BSH: Pas zgjedhjeve, shqiptarëve iu forcua besimi tek ekonomia

BSH: Pas zgjedhjeve, shqiptarëve iu forcua besimi tek ekonomia
Shqiptarët e kanë patur më të fortë besimin tek ekonomia e vendit të tyre gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, se më parë. Periudhë kjo në fakt, e cila përkon me atë pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 25 qershorit 2017. E që tregon në këtë mënyrë, se pas tyre në vendin tonë pati një stabilizim jo vetëm të treguesve makro-ekonomikë, disi të lëkundur nga kriza politike e fillimvititi, por në të njëjtën kohë edhe të besimit që bizneset dhe individët kanë tek ekonomia si e tillë. Një dukuri të tillë e ka faktuar vetë Banka e Shqipërisë në Vrojtimin e Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit për tremujorin e tretë të këtij viti, sipas të cilit, rezulton se “Treguesi i ndjesisë ekonomike shënoi rritje me 1.8%, duke qëndruar mbi mesataren afatgjatë të tij dhe mbi vlerën e shënuar në të njëjtin tremujor një vit më parë”. Duke shtuar më tej se rritja reflektoi përmirësimin e besimit të bizneseve të tregtisë e ndërtimit, dhe besimit të konsumatorëve. “Ndërkohë nivelet e treguesve të besimit në shërbime dhe në industri rezultuan lehtësisht më të ulëta krahasuar me tremujorin e mëparshëm”, cilësojnë ekspertët e BSH-së. Por nga ana tjetër, ata pranojnë edhe faktin e një besimi më të forcuar edhe tek konsumatorët si të tillë dhe jo vetëm tek biznesi. Si për të përforcuar në këtë mënyrë idenë se në tërësi, pas qershorit elektoral, vendi u përfshi nga një klimë më e qetë sa u përket financave. “Treguesi i besimit konsumator vazhdoi të rritet edhe gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, me nivelin prej 1.3%, duke u vendosur  në rreth 4.5% mbi mesataren historike të tij”, cilësojnë mes të tjerash ekspertët e BSH-së. Duke argumentuar më tej lidhur me një dukuri të tillë se ka qenë blerjet e mëdha, por në të njëjtën kohë më shumë shpenzime që konsumatorët kanë kryer pas qershorit, që e vërtetojnë atë.

 

Ndërtimi e “rimerr veten”, përfiton nga shtimi i lejeve prej vendorëve

Ndërtimi është një nga ata sektorë kyçë të ekonomisë vendase, i cili ka shfaqur më shumë besim se të tjerët tek ajo pas periudhës së zgjedhjeve të 25 qershorit. “Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit vijoi të shënojë rritje për të tretin tremujor radhazi, deri në nivelin prej 7.2% gjatë tremujorit të tretë”, pohojnë ekspertët e bankës qendrore rreth kësaj. Duke shtuar më tej se pikërisht kjo tendencë ka bërë që besimi në ekonomi si i tillë, për ndërtimin të arrijë deri në nivelin prej 8.5% të mesatares së tij historike. Dhe një gjë e tillë, sipas ekspertëve, shpjegohet kryesisht me shtimin e lejeve të ndërtimit që autoritetet vendore kanë dhënë gjatë pjesës së parë të këtij viti, sidomos për pjesën më urbane dhe industriale të vendit, atë Durrës-Tiranë. E mesa duket ka bërë që ndaj këtij sektori të ketë një shtim të kontratave porositëse, saktësisht, deri në nivelin prej 4.4% gjatë verës. E shoqëruar kjo natyrshëm, edhe me një shtim të ritmit të aktivitetit ndërtues si i tillë, duke kapur një nivel deri në 10% të avancimit të punimeve pas zgjedhjeve.

Parashikimi, konsumatorët: Kohë më të mira po vijnë

“Kohë më të mira po vijnë...”. Këtë duket sikur thonë konsumatorët, të paktën sipas Bankës së Shqipërisë, lidhur me pritshmëritë që ata kanë mbi gjendjen e ekonomisë vetjake gjatë muajve në vijim. Konkretisht, të pyetur lidhur me situatën e tyre financiare, ata janë shprehur se ajo do të jetë pozitive, deri në nivelin prej 12%. Gjë të cilën në fakt nuk e thonë për situatën e tyre aktuale, e cila paraqitet negative, deri në nivelin prej -2.5%. Sikundër negative paraqesin edhe situatën e kursimeve të tyre, me një rënie deri në nivelin prej -40%. Por ama kur bie fjala tek papunësia apo çmimet, sesi do të ecin ato gjatë muajve në vijim, ata janë më optimistë, duke u shprehur se që të dy këta tregues kanë për të patur me siguri rënie të mëtejshme të tyre.

 

Industria “në vend numëro”, nuk po i shton dot as kontratat dhe as prodhimin

Sektori i industrisë vendase duket se po paraqitet me ritme “në vend numëro” gjatë muajve të këtij viti. Pa u ndikuar dot madje as edhe nga një frymë optimizmi që e ka shoqëruar pas zgjedhjeve në tërësi biznesin vendas. Madje mund të thuhet se ky lloj biznesi ka shfaqur edhe një rënie të besimit të tij tek ekonomia. “Treguesi i besimit në sektorin e industrisë shënoi rënie të lehtë me nivelin prej -1% gjatë tremujorit të tretë të këtij viti”, cilësojnë ekspertët e Bankës së Shqipërisë. Duke argumentuar se një rënie e tillë është shkaktuar pikërisht nga rënia e nivelit të prodhimit të këtij sektori, 0.4%. “Ndërkohë, kontratat porositëse, qëndruan pothuajse në të njëjtin nivel si në tremujorin e mëparshëm”, saktësojnë më tej ata.

Shërbimet dhe tregtia nuk duken në “ditët e tyre më të mira”, po shfaqin dobësim

Shërbimet dhe tregtia janë dy sektorë të tjerë, të cilët nuk duken se janë në “ditët e tyre më të mira”, pavarësisht një klime pozitive që është vënë re në tërësi në botën e biznesit pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Kështu, ekspertët e Bankës së Shqipërisë pohojnë se treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve vazhdoi të bjerë edhe gjatë kësaj periudhe, përkatësisht me nivelin prej -2.2%. Rënie kjo të cilën ata ia faturojnë ecurisë së biznesit të shërbimeve në tërësi, por në të njëjtën kohë edhe më pak kërkese që ka ndaj tyre prej qytetarëve. Gjë e cila nuk duket se është në këtë nivel me tregtinë, por gjithsesi, edhe kjo e fundit po tregon dobësim të ecurisë së saj. “Vlerësimet për punësimin dhe pritshmëritë për tregtinë shënuan rënie”, cilëson BSH-ja.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: