Buxheti 2018, më pak pará nga planifikimet rreth tij

Buxheti 2018, më pak pará nga planifikimet rreth tij
Të tjera të dhëna ishin parashikuar rreth buxhetit të shtetit për vitin e ardhshëm, 2018. Dhe të tjera duket se figurojnë në të dhënat paraprake të publikuara ditët e fundit rreth draftit të tij, ende jo zyrtar. Kjo është ajo që bie në sy nga krahasimi i të dhënave për paratë që do mbushin e arkën e buxhetit të shtetit, të planifikuara në Programin Buxhetor Afatmesëm 2016-2018 dhe në Draftin e Projekt-Buxhetit 2018. Duke konfirmuar në këtë mënyrë faktin se ekspertëve u është dashur që gjatë hartimit të këtij të fundit, të kryejnë edhe disa korrigjime të caktuara në shifrat e hartuara që tre vjet më parë, për “fatin” që i pret financat e shtetit gjatë vitit tjetër. Konkretisht, nëse në Programin Buxhetor Afatmesëm 2016-2018, thuhej qartë se të ardhurat e arkës së shtetit do të rriteshin me një nivel deri në +6.7%, kjo duket se do të ndodhë aspak vitin e ardhshëm. Pasi në projekt-buxhetin 2018, në tërësinë e tyre, të ardhurat janë parashikuar të rriten vetëm në nivelin prej +6.4%, pra me ulje nga shifra e lartpërmendur. “Të ardhurat totale të buxhetit për tre vitet në vijim (2016 -2018) parashikohet të rriten mesatarisht me rreth +6.7% në çdo vit”, thuhej saktësisht në Programin Buxhetor Afatmesëm 2016-2018. Për të detajuar më tej se burimet totale të qeverisë për t’u shpenzuar gjatë viteve 2016-2018, do të ishin mesatarisht në rreth 484 miliardë lekë në çdo vit, ose mesatarisht në nivelin prej rreth 29.7% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ku as kjo nuk duket se do të ndodhë gjatë muajve të vitit të ardhshëm, sipas draftit të bërë gati tashmë për t’ia kaluar për miratim qeverisë. Pasi sipas tij, të ardhurat e parashikuara për arkën e buxhetit të shtetit mot nuk do të jenë më shumë se 464.2 miliardë lekë. Duke arritur në jo më shumë se niveli prej vetëm 28.1% të PBB-së, pra, më pak sesa ajo që ishte planifikuar.

 

Mot ka më shumë shpenzime buxhetore nga sa ishte plani

Vitin e ardhshëm nga arka e buxhetit të shtetit do të dalin më shumë pará nga sa ishte programuar që të ndodhte, ndërsa ekspertët e Financave kishin bërë planin afatmesëm për tre vitet 2016, 2017 dhe 2018. Kjo bie në sy pikërisht gjatë krahasimit të zërit “totali i shpenzimeve” mes programit afatmesëm 2016- 2018 dhe draftit të projekt-buxhetit 2018. Konkretisht, në të parin ishte parashikuar që ky zë të arrinte deri në shumën e 489 miliardë lekëve. Kurse në të dytin, ai rezulton se është më shumë se kjo shifër, përkatësisht deri në 496.6 miliardë lekë. Duke referuar në këtë mënyrë faktin se qeveria mot do të shpenzojë më shumë pará. Më tej, tabelat paraprake e draft-buxhetit 2018, referojnë se shpenzimet pritet që të rriten me nivelin prej +5.8% në krahasim me pritshmërinë e këtij viti. Dhe në krahasim me atë që prodhon ekonomia shqiptare në një vit, shpenzimet kapitale pritet të jenë 30.1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Edhe investimet i “kapërcejnë” shifrat e planifikuara

Nuk bëhet fjalë vetëm për të ardhurat apo shpenzimet me paratë e arkës së buxhetit të shtetit. Por edhe për investimet që parashikohet të kryhen me to gjatë vitit të ardhshëm. Fjala është pikërisht për dukurinë e “kapërcimit” të tyre nga shifrat e planifikuara nga ekspertët në Programit Buxhetor Afatmesëm 2016-2018, në draftin e projekt-buxhetit 2018. Konkretisht, në këtë të fundit, fondet për investime parashikohet që të arrijnë në rreth 86 miliardë lekë, me një zgjerim në nivelin prej +16% në krahasim me pritshmëritë e vitit 2017. Ndërsa në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, ato pritet të arrijnë në nivelin prej 5.2% të tij. Teksa në dokumentin e mëparshëm, rreth tyre thuhej saktësisht se ato nuk do ta kalonin nivelin prej 5% të PBB-së.

Programi buxhetor afatmesëm pohonte Rritje ekonomike +4.3% në vitin 2018!

“Rritja reale ekonomike parashikohet që të përshpejtohet duke arritur në rreth 4.3% në vitin 2018”. Një deklaratë të tillë bënin ekspertët e Financave në programin afatmesëm buxhetor 2018, teksa kryenin kështu projeksionin e tre viteve të ardhshme të ekonomisë shqiptare. Duke dhënë në fakt një shifër që ndoshta do të jetë e vështirë për t’u realizuar prej saj gjatë vitit të ardhshëm. “Niveli i inflacionit që parashikohet për këtë periudhë është 2.5% për vitin 2016, 2.9% për vitin 2017 dhe 3% vitin 2018”, ka qenë një tjetër parashikim që ekspertët jepnin në dokumentin në fjalë. Duke përfunduar me faktin se rritja ekonomike pritet të mbështetet nga një nivel më i lartë i kërkesës së brendshme, teksa do të rriten më tej importet.

Buxheti i vitit të ardhshëm, ja disa nga risitë e tij kryesore

Gjatë vitit 2018 pritet të mblidhen plot 464.2 miliardë lekë,  duke patur për një pritshmëri pozitive në mbledhjen e më shumë parave nga taksat dhe tatimet. Ndoshta kjo ka lidhje edhe me futjen në regjimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) të kategorisë së biznesit të vogël. Por në të njëjtën kohë të mos harrojmë që në këtë të fundit, është e parashikuar të përfshihet edhe taksa e re e pronës, gjithashtu një burim i mirë të ardhurash për arkën e buxhetit të shtetit. Nga ana tjetër, projekt-buxheti i vitit të ardhshëm parashikon edhe një rritje shpenzimesh, përkatësisht deri në nivelin prej 5.8%, krahasuar me vitin e kaluar. Për të nxjerrë si konkluzion se qeveria në tërësinë e saj parashikon që mot të përfitojë më shumë pará, sesa do të shpenzojë.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: