Buxheti 2018, projektohen më shumë pará

Buxheti 2018, projektohen më shumë pará
464.2

Miliardë lekë parashikohet të arkëtohen nga autoritetet fiskale të vendit që gjatë vitit 2018, kundrejt 436.4 miliardë lekëve gjatë këtij viti, me një rritje deri në nivelin prej 6.4%

496.6

Miliardë lekë parashikohet të shpenzohen nga arka e buxhetit të shtetit gjatë vitit 2018, kundrejt 469.6  miliardë lekëve gjatë këtij viti, me një rritje deri në nivelin prej 5.8%

***

Më shumë pará do të futen në arkën e shtetit, por në të njëjtën kohë edhe më shumë do të dalin prej saj. Kjo është situata që qeveria shqiptare parashikon të ndodhë me financat e saj gjatë vitit 2018, në krahasim me atë të sivjetshmen. Kjo bie në sy të paktën gjatë përballjes së parë me shifrat e projektit të buxhetit për vitin e ardhshëm. Ky i fundit, i njohur nga të gjithë si dokumenti themeltar i financave të shtetit, tashmë i ka ravijëzuar të dhënat e tij paraprake në formën e një drafti nga ekspertët e financave dhe tashmë pritet  të nisë rrugëtimin e tij “tradicional” si çdo periudhë fundviti, derisa të kalojë për votimin final në Kuvendin e Shqipërisë. Konkretisht, sipas këtij drafti, bëhet me dije se qeveria shqiptare parashikohet që gjatë vitit 2018 të mbledhë plot 464.2 miliardë lekë. Shifër kjo që po ta krahasojmë me atë të këtij viti, përkatësisht prej 436.4 miliardë lekësh, figuron të jetë më e lartë, deri në nivelin prej 6.4%. Dhe që flet kësisoj për një pritshmëri pozitive të autoriteteve fiskale në mbledhjen e më shumë parave nga taksat dhe tatimet. Ndoshta kjo ka lidhje edhe me futjen në regjimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) të kategorisë së biznesit të vogël, një masë kjo e përcaktuar tashmë që të aplikohet me paketën e re fiskale 2018. Por në të njëjtën kohë të mos harrojmë që në këtë të fundit, është e parashikuar të përfshihet edhe taksa e re e pronës, gjithashtu një burim i mirë të ardhurash për arkën e buxhetit të shtetit. Nga ana tjetër, projekt-buxheti i vitit të ardhshëm parashikon edhe një rritje shpenzimesh, përkatësisht deri në nivelin prej 5.8%, krahasuar me vitin e kaluar. Konkretisht, në vlerë shifrash, nëse gjatë këtij viti, qeveria shqiptare ka parashikuar të shpenzojë deri në fund të tij, një shumë deri në 469.6 miliardë lekë, gjatë vitit të ardhshëm ajo do të shpenzojë në total 496.6 miliardë lekë. Pra, janë rreth 30 miliardë lekë më shumë që do të dalin nga arka e shtetit në formë shpenzimesh, në krahasim me sivjet. Por gjithsesi, nëse e krahasojmë ndryshimin mes shpenzimeve dhe të ardhurave mes këtij viti dhe atij që vjen, vlen të thuhet se këto të fundit do ta kenë atë në një nivel më të lartë. Për të nxjerrë si konkluzion, se qeveria në tërësinë e saj ka një parashikon që vitin e ardhshëm të përfitojë më shumë para, sesa do të humbasë rrugës së muajve me shpenzimet normale që do të kryejë.

 

Riorganizimi i institucioneve, do shtohen fondet për pagat

Riorganizimi i institucioneve në tërësinë e tyre, sipas modelit të ri që qeveria “Rama 2” përcaktoi që në fillim të mandatit të saj për vitet 2017-2021, kërkon edhe një fond të posaçëm nga buxheti i shtetit. Pikërisht, këtë të fundit duket se ekspertët e Financave nuk e kanë harruar aspak teksa janë marrë me hartimin e draftit të buxhetit për vitin e ardhshëm 2018. Konkretisht, sipas tij, rezulton se fondi i planifikuar për pagat është në vlerën totale të 65 miliardë lekëve, duke shënuar një rritje me nivelin prej 10.5% në krahasim me këtë vit. E thënë ndryshe, në vitin që vjen, nga arka e shtetit do të nxirren 6.1 miliardë lekë më shumë për të paguar administratën publike, sipas ndarjes së re të saj institucionale. Në një kohë, kur në buxhetin afatmesëm, fondi i parashikuar për paga gjatë vitit të ardhshëm ishte parashikuar të arrinte deri në nivelin prej 60.8 miliardë lekësh. Një vlerë kjo më e ulët në fakt sesa ajo që u caktua nga drafti i buxhetit për vitin e ardhshëm, 2018. Që e vërteton kështu shtimin e fondit në total të pagave për punonjësit e administratës.

 

Partneriteti publik-privat, vitin e ardhshëm do të realizohen më shumë investime

 Vitin e ardhshëm pritet që të realizohen më shumë investime publike dhe këtë e tregon edhe drafti i projekt-buxhetit 2018, sipas të cilit rezulton se zëri për investimet në infrastrukturë pëson një rritje të ndjeshme. Mesa duket, në vitin që vjen, qeveria do të fokusohet më së shumti në realizimin e investimeve publike për të ndërtuar rrugë, ujësjellës-kanalizime etj. Një pjesë e të cilave, pritet që të realizohen pikërisht me formën e njohur koncesionare të lançuar nga qeveria “Rama”, partneriteti publik privat (PPP). Përfshirë këtu edhe nismën e madhe të publikuar prej saj, projekti “1 Miliardë Euro”, i cili presupozon në vetvete pikërisht ndërtimin e mjaft veprave publike nga ana e privatëve, të cilët do të paguhen më pas nga shteti. Konkretisht, fondet për investime parashikohet të arrijnë në rreth 86 miliardë lekë, me një zgjerim prej 16% në krahasim me pritshmëritë e 2017-ës.

 

PENSIONET

Në dokumentin themeltar të financave të shtetit për vitin e ardhshëm, projekt-buxheti 2018, përveç pagave të nëpunësve publikë, ajo që bie në sy, është fakti se edhe fondi për politika të reja pensionesh ka pësuar një rënie të tij. Konkretisht, ai është ulur në vlerën e 1.8 miliardë lekëve, nga 2.6 miliardë lekë që ishte në vitin 2017-n dhe 3.1 miliardë lekë që ishte parashikuar në buxhetin fillestar afatmesëm (për 2018-n). Duke lënë kështu të kuptohet se gjatë muajve të vitit të ardhshëm, për kategorinë e pensionistëve në rang vendi nuk do të ketë një rritje të dukshme të pensioneve të tyre, siç ndodhi për shembull këtë vit i cili përkoi edhe me një vit elektoral.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: