Buxheti, edhe për dy vjet “në vend numëro”

Buxheti, edhe për dy vjet “në vend numëro”
Edhe për vitet 2019 dhe 2020, pesha që të ardhurat e buxhetit do të zënë në ekonominë vendase, do të jetë e njëjtë me atë të këtij viti, si edhe atë që parashikohet në projekt-buxhetin 2018

***

Mund të mbledhë edhe pak lekë më shumë se sivjet, por ama sërish do të mbetet “në vend numëro”. Kjo të paktën për nga ritmi i ecurisë së treguesve në tërësinë e tij. Fjala është për buxhetin i shtetit, i cili sipas të dhënave që japin vetë ekspertët e Financave, paraqitet thuajse me të njëjtën peshë të ardhurash dhe shpenzimesh edhe për 2-3 vitet e ardhshme. Për të mos pritur në këtë mënyrë që ai të përbëjë ndonjë “boom” gjatë publikimit të shifrave të radhës, e kësisoj, të mos ketë dot fuqinë që ta ndryshojë dot sërish në thelb nivelin aktual të jetesës së qytetarëve shqiptarë. Kështu, referuar tabelave statistikore të ofruara nga ekspertët bashkangjitur me projekt-buxhetin 2018, rezulton se nëse në vitin e ardhshëm parashi-kohen që autoritetet shtetërore të mbledhin në total 464.2 miliardë lekë, ato do të zënë përkatësisht një nivel prej 28.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. I njëjti nivel në fakt, me atë që parashikohet të zënë të ardhurat e buxhetit të shtetit për vitin pasardhës, 2019. Madje edhe më pas, në vitin 2020, kur sërish të ardhurat do të zënë vetëm nivelin prej 28.1% të PBB-së. Kjo, edhe pse në vlerë reale ato do të jenë disi më të larta nga viti në vit, respektivisht në shifrat prej 494 miliardë apo 527 miliardë lekësh. Shifra këto të cilat në fakt pritet të rriten për inerci, falë rritjes ekonomike të përvitshme që pëson një vend, sado e ulët qoftë ajo. Nga ana tjetër, kujtojmë se gati të njëjtin nivel të Prodhimit të Brendshëm Bruto zënë të ardhurat edhe për këtë vit, rreth 28.2%, edhe pse shifra e grumbulluar prej tyre është në nivelin prej 438 miliardë lekësh. Duke treguar në këtë mënyrë se nga viti në vit, nuk do të ketë asnjë rritje progresive reale në të ardhurat e buxhetit të shtetit, edhe pse do të mblidhen më shumë lekë.

Edhe shpenzimet nuk do të lëvizin gjatë viteve të ardhshme, do mbeten të njëjtat

Edhe shpenzimet e buxhetit të shtetit, njësoj si të ardhurat, nuk do të lëvizin gjatë viteve të ardhshme, pro do të qëndrojnë në nivele gati të njëjta. Duke treguar në këtë mënyrë, ecurinë monotone në tërësi të treguesve makro-ekonomikë shqiptarë nga viti në vit. Kështu, nëse në fund të këtij viti, ekspertët e Financave kanë parashikuar që shpenzimet të mos arrijnë më shumë se 30.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në projekt-buxhetin e vitit të ardhshin, 2018, është parashikuar që ato të jenë deri në nivelin prej 30.1% të tij. Kjo edhe pse në vlerë shifrash, shteti parashikon që mot të shpenzojë më shumë pará nga arka e përbashkët e buxhetit të shtetit të shqiptarëve, respektivisht 496.6 miliardë lekë, krahasuar me vetëm 387.7 miliardë lekë që ai do të shpenzojë deri në fund të këtij viti. Skemë e ngjashme kjo edhe me buxhetin e viteve të mëpasme. Konkretisht, në vitin 2019, shteti ka parashikuar që shpenzimet totale me paratë e tij të mos e kalojnë nivelin prej 29.8%, duke referuar në këtë mënyrë madje një rënie të tyre, krahasuar me sivjet apo me mot. Ndërsa duke shkuar edhe më larg, në vitin 2020, ekspertët e Financave kanë parashikuar që shpenzimet të mos i çojnë më shumë se 29.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Një logjikë e njëjtë që do të veprojë edhe për shpenzimet korrekte, të cilat zënë edhe pjesën më të madhe të atyre që realizon qeveria gjatë një viti me paratë e buxhetit të shtetit. Konkretisht, sipas të dhënave që referon ministria e Financave, rezulton se në tre vitet e ardhshme ato nuk kanë për ta kaluar nivelin prej 24.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Falja e borxheve, kanë përfituar 7.562 tatimpagues në rang vendi

Është në proces fshirja e detyrimeve tatimore edhe për 25 mijë tatimpagues të tjerë

Plot 7.562 tatimpagues në rang vendi kanë përfituar deri tani nga nisma për faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore të prapambetura ndër vite. Në shifra konkrete, bëhet fjalë për rreth 5.1 miliardë lekë që ata kanë përfituar prej një nisme të tillë. Këto shifra janë publikuar nga vetë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, sipas së cilës, është në proces fshirja e detyrimeve tatimore për 25 mijë tatimpagues të tjerë. Duke sqaruar më tej se tatimpaguesit që përfitojnë nga ky ligj njoftohen elektronikisht nëpërmjet postës së tyre elektronike. “Administrata tatimore fton tatimpaguesit të përfitojnë nga falja me kusht, duke paguar principalin për detyrimet e prapambetura”, citojnë autoritetet tatimore lidhur me një fakt të tillë. Sipas tyre, në total, borxhi tatimor dhe doganor, përmes nismës së lartpërmendur, ulet me 91 miliardë lekë. Ndërsa vlera e taksave të mjete të përdorura që çregjistrohen sipas të dhënave  është përllogaritur të jetë rreth 11.9 miliardë lekë.

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: