ÇADRA NË PARLAMENT- OPINION NGA PLATOR NESTURI

ÇADRA NË PARLAMENT- OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga PLATOR NESTURI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Kujt mund t’i shërbejë një acarim i sforcuar dhe rritje e konfliktit politik në parlament? Qytetarëve apo elektoratit, vështirë se mund të pranohet, pasi, në vetvete, këto skenat me sokëllima e me përplasje të deputetëve, janë bërë bajate, tashmë, e pa pikë vlere. I intereson PD-së? Edhe kjo ka pak shanse, pasi në amullinë që e ka pushtuar nga debatet e brendshme dhe grupet fraksioniste brenda saj, më së tepërmi, partisë së djathtë në kuvend i intereson akordimi i strukturave, strategjisë dhe vënia në moto si parti politike normale. I intereson shumicës dhe Ramës? Në një farë mënyre, po. Pasi me këtë luftë naive e pa bosht që po bën PD-ja, kryeministri e qeveria e tij mund të tallet sa të dojë, për të thënë se opozita është në ditë të hallit dhe pa vizion në betejën e saj politike.

Por dikujt duhet t'i interesojë kjo skemë tensioni. Dhe i interesuari kryesor, është vetë Lulzim Basha. Kryetari i anatemuar nga të vetët i PD-së, duket se është shumë në stres, përderisa kërkon me ngulm një tension politik, qoftë edhe të stisur. I stisur, pasi nuk mund t’i vësh emër tjetër, asaj çfarë u pa në sallën e Kuvendit. Ngulmimi për të krijuar një seancë debati mbi një temë të cilën vetë kryetari i grupit parlamentar të PD-së, as e kish kërkuar në takimin e kryetarëve e ku përcaktohet axhenda e punimeve të Kuvendit, ishte vetëm një truk për të krijuar përplasje dhe tension. Asgjë me tepër se kaq. Nuk ish çështje debati për problemet më pikante që ka vendi, por thjesht një alibi për konflikt të stisur, nga ku kërkohet të merret roli i viktimës.

Një pjesë teatrale e dobët, sidoqoftë. Një djalkë që nuk ka këllqe, thjesht provokon policinë e lagjes e, pasi merr nja dy fshikullima, tenton të shndërrohet në heroin e të abuzuarve nga pushteti. Kështu i harrohen dhe ca dëme që i ka shkaktuar miqve dhe vetë familjes së tij.

Bashës i duhet ky tension, me debat apo pa debat qoftë. I kontestuar që për humbjen e zgjedhjeve, listën e deputetëve dhe mënyrën se si u rizgjodh në krye të PD-së, debati i brendshëm vijon, çka ka dobësuar si partinë, ashtu edhe pozicionin e tij. Nisma e re e Patozit, Bodes dhe figurave të tjera në PD, që formësuan një lëvizje fraksioni brenda partisë, është një sfidë jo e vogël me të cilën duhet të përballet partia kryesore në opozitë; për më tepër që në të marrin pjesë, figurat më të spikatura në historinë e saj. Ndaj, tensionimi i situatës në parlament, me shkak apo pa, thjesht do të shmangte shumë nga këto andralla. Nuk do të kishte kohë për asnjë debat të brendshëm brenda partisë e, me këtë rast, do të shfryheshin gjithë kritikat në kurriz të Bashës, përderisa partia do të ketë hyrë në një betejë politike kundër shumicës. Dhe, një kryekomandant përpara një beteje, nuk ka se si kritikohet, pavarësisht se organizimi është copë-copë, morali në fund të këmbëve dhe motivi për betejën, i stisur. Bashës i intereson thjesht të mbetet kryekomandant, pavarësisht se ushtria mund t’i shndërrohet në një turmë laramane, me të cilën mund të qeshë, kush e shikon.

Dhe ndërsa kthehemi tek debati për të cilin u bë shkak e gjithë kjo melodramë, ai humbet gjithë peshën e vet. Jo se nuk është i rëndësishëm, pasi çështja e kriminalitetit, e luftës ndaj korrupsionit dhe vetingut në drejtësi, është parësore, së pari, për qytetarët e thjeshtë. Por duke u përdorur në këtë formë, ky interes qytetar thjesht tradhtohet, e shndërrohet në banalitet. Çdokush shqiptar mund të kish pritur një debat mbi ngjarjet që e shqetësojnë jetën e tij të përditshme dhe që kanë shqetësuar dhe ndërkombëtarët tashmë. Dhe këtë, PD-ja mund ta kish bërë fare mirë, nëse do të ish e përgatitur për të bërë opozitë, duke kërkuar që më parë, një debat të kësaj natyre në takimin e kryetarëve të grupeve parlamentare. Nëse nuk e ka bërë këtë, ose nuk ka strategji dhe është pa vizion për të bërë opozitë, ose këtë kërkon ta përdorë thjesht për të krijuar tension fiktiv në interes të kryetarit. Në të dyja rastet, si në rastin e diletantizmit, ashtu edhe të përdorimit hilacak, PD-ja rrezikon shumë. Rrezikon që askush ta marrë më seriozisht, në vijim..

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: