Çështja "Tahiri", Krimet e Rënda: Nxjerrja e sekreteve hetimore po rrezikon jetën e disa personave

Çështja "Tahiri", Krimet e Rënda: Nxjerrja e sekreteve hetimore po rrezikon jetën e disa personave
Përmes një deklarate për mediat Prokuroria për Krime të Rënda ka ngritur shqetësimin se prova dhe fakte të paraqitura prej saj në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve në Kuvendin e Shqipërisë lidhur me çështjen Tahiri, janë bërë dhe po vijojnë të bëhen publike.

Organi akuzës shprehet se edhe pse mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura, provat u publikuan, gjë që cenon hetimin por edhe vënë në rrezik serioz persona që kanë dijeni për rrethanat e hetimit.

“Disa nga personat në hetim janë në kërkim. Ata qëndrojnë të fshehur dhe rezulton se ende nuk ka asnjë rezultat për kapjen dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, e për këtë arsye, ata përbëjnë rrezik serioz për jetën e personave që kanë dijeni për veprën penale” thuhet në deklaratën e Prokurorisë.

Në seancën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë, drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmataj, tërhoqi vëmendjen e Këshillit për të ruajtur sekretin e të dhënave hetimore.

“Është e rëndësishme të theksohet se nxjerrja e sekretit hetimor përbën vepër penale dhe ndëshkohet sipas parashikimeve ligjore”

Në vijim të deklaratës, organi i akuzës nënvizon se “përfaqësues të Prokurorisë për Krime të Rënda, në respekt të Kushtetutës dhe legjislacionit, u paraqitën para Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, duke prezantuar qëndrim korrekt, procedurial dhe institucional”.

“Por, konstatohet se publikimi i të dhënave “sekret”, sidomos mbi ekzistencën e personave që kanë dijeni për rrethanat e hetimit, cënon rënde të gjithë procesin hetimor që është në vijim, si edhe intimidon e cënon integritetin fizik të këtyre personave” përfundon deklarate. /f.ë/

Foto: Google

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: