DERI NË FRYMËN E FUNDIT- OPINION NGA SONILA MEÇO

DERI NË FRYMËN E FUNDIT- OPINION NGA SONILA MEÇO
Nga SONILA MEÇO

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

“Njerëzit do të harrojnë çfarë ke thënë, do të harrojnë çfarë ke bërë, por nuk do të harrojnë kurrë, si i ke bërë të ndihen”. Dhe në kohën e depersonalizimit prej një hierarkie vlerash të kthyer përmbys, secili që lexon frazën e thënë nga Angelou, e bën një analizë të shpejtë të vetes: Si po e bëjnë të ndihet, pavarësisht dëshirës, vullnetit apo aftësive të veta.

Nëse ka një fill që na përshkon të gjithëve njëkohshëm, është mënyra si po na bëjnë të ndihemi për të ardhmen, ata që kanë në dorë të na e nxijnë a përshkëndisin. Iskrën në dorë e ka ekonomia, për të cilën vështirë se gjen një familje shqiptare të mos thotë se ndjen duart e qeverisë në xhepat e vet, për ta rrjepur ca më shumë se më parë. Nëse ka bilance familjare që janë shtuar në vitet e fundit, duhet studiuar mirë perimetri i lidhjeve të biznesit a punës me pushtetin, fushat e gjelbëruara të kanabisit, apo një jack pot-i që është i verbër zakonisht e shkon më pak tek ai që ka nevojë vërtetë.

Le t’i kthehemi fillit të përbashkët, duke abstraguar nga rrethanat e veçanta të ekonomive tona të vogla, për të kuptuar se sa mirë do ta mbajmë mend si na kanë bërë të ndihemi si popull i një vendi shtrirë burimesh e zhveshur varfërie. Për këtë ia vlen të kuptojmë se, ç’do të thotë që ekonomia të rritet. Pra, të prodhojë më shumë, bizneset të kenë më shumë fitime, kompanitë të kenë më shumë mundësi të investojnë kapitalet, të krijojnë më shumë vende pune. Sa më shumë punësim, aq më shumë të ardhura. Më shumë të ardhura në duar, bëjnë të rriten blerjet e produkteve dhe shërbimeve. Konsumi i lartë çon në rritje të mëtejshme të ekonomisë. Ndaj dhe rritja ekonomike është treguesi më i ndjekur, për të vlerësuar së çfarë po masim dhe nëse vlera po shoqërohet me rritje të standardit të jetesës, për çdo shqiptar. Për këtë, duhet gjykuar me maturi se cilët faktorë të rritjes ekonomike po stimulohen, - ato afatgjatë që ndikojnë mirëqenien e shoqërisë, apo ata afatshkurtër që kanë ndikim vetëm për një periudhë të dhënë, - apo përdorin edhe borxhin publik për të rritur konsumin, ose një sektor të veçantë ekonomik. P.sh., në Shqipëri ka ndodhur që, për shkak të ndikimeve afatshkurtër të dy investimeve madhore, - projekti TAP, apo Hidrocentrali i Devollit, - rritja ekonomike të ketë rezultuar përkohësisht e lartë, por këto investime nuk kanë sjellë mirëqenie të shtuar te shqiptarët. Ata që, realisht, ndjejnë duart e shkathta të qeverisë, teksa shfryjnë xhepat e tyre.

Çfarë na thotë qeveria Rama 2 për rritjen ekonomike dhe a do të na ndikojë kjo për mirë në bilancet tona familjare? A do kujtojmë si ndihemi, për mirë a keq, pas pak kohësh, pavarësisht se ç’thonë e ç’bëjnë, pa një planifikim a transparencë? Në programin e saj zbardhur pak javë më parë, qeveria tha se rritja ekonomike do të arrijë deri në 6% në fund të mandatit, ndërsa borxhi publik do të ulet deri në 60% të PBB-së (prodhimit të brendshëm bruto), nga rreth 70% që është aktualisht.

Ambicioz e shpresëdhënës, programi jep një panoramë optimiste. Megjithëse, qeveria me të njëjtin emër, frymën e fillimmandatit të parë e shndërroi në lemzë kolektive në fund të tij, - me politikat shtrënguese, taksat e larta, ndryshimet e shpeshta ligjore, papunësinë e pazgjidhur dhe korrupsionin masiv.

Vështirë të përballesh për këto çështje, me vendimmarrësit. Media e mat ekonominë me klikimet mbi programet e showbiz-it, ndërsa qeveria me edicionet informative në ekranin e kryeministrit, ERTV. Ndaj, le të provojmë t’i qasemi xhepit të shqiptarit, jo me kostot e dasmave vip, klikimet në instagram apo buletinet informative, sepse, me këtë model, populli që sheh e klikon, jo domosdoshmërisht blen e investon, por edhe absolutisht nuk bëhet më i mençur për të ndërtuar mirëqenien e vet, por atë të pronarëve të vërtetë të informacionit në vend.

Le të përpiqemi të informohemi nga burime të besueshme, duke bërë elementaren, të pyesim e dyshojmë:

Si do ta arrijë qeveria synimin e rritjes ekonomike me 6%, në fund të mandatit? Ku e bazon këtë parashikim? Në cilët sektorë? Çfarë do të ndikojë në këtë tregues tejet optimist? Meqë përgjigjen nuk ta jep as programi i qeverisë e as ndonjë analizë e saj, le të citojmë parashikimin e institucionit më të specializuar në botë, për zhvillimin ekonomik, FMN-në ( Fondin Monetar Ndërkombëtar). Sipas tij, në skenarin më optimist, ekonomia shqiptare do të rritet maksimalisht 4.1%, në vitin 2021. Ky nuk është një tregues i pasfidueshëm në realitet, por mjafton të kujtojmë se rritja ekonomike e vitit 2017, mendohet të jetë 3.6%, nga 4.5% që ishte parashikuar nga FMN-ja, në kohën e pranimit të programit të kësaj të fundit, nga qeveria shqiptare në vitin 2014.

Borxhi publik, sipas FMN-së, duhet të ulet në 53.4 për qind në fund të mandatit të qeverisë “Rama 2”. Por qeveria e ka parashikuar 60%, duke mos përfshirë këtu edhe borxhin që krijohet prej kontratave koncesionare. Pse duhet t’i interesojë kjo gjë shqiptarëve dhe si ndikon në jetën e tyre? Sepse rritja ekonomike ngec nga mos ulja e borxhit publik, por edhe nga rritja e detyrimeve prej një borxhi të ri, që shfaqet në formën e koncesioneve. Paratë ikin nga qarkullimi, mbeten gjithnjë e më pak në duart e shqiptarëve, duke mos stimuluar dot kësisoj, rritjen ekonomike si një tregues mirëqenieje, por si një shifër që mbahet ende nga projektet e TAP-it e Hidrocentralit të Devollit (për këtë dëshmoi edhe treguesi i rritjes ekonomike për tremujorin e dytë të 2017-ës, publikuar nga Instat).

Nga burimet e informacionit në media, kryesisht ato kombëtare dhe ERTV-së, nuk mund të mësosh se BMI FITCH, një nga institucionet ndërkombëtare më të rëndësishme të vlerësimit të riskut, ka deklaruar se, megjithëse Shqipëria ka rritje ekonomike, nuk prodhon dot mirëqenie në periudhë afatgjatë. Për ta mbështetur analizën,Trading Economics që ofron të dhëna për më shumë se 196 vende të botës, duke analizuar rritjen tonë ekonomike, vë re se të ardhurat mesatare të popullsisë janë sa 37% e mesatares globale dhe se ritmi i rritjes ekonomike do të mbetet për shumë vjet, rreth 3%. Pra, pavarësisht optimizmit të shprehur në shifra makroekonomike, organizmi i ndjeshëm i ekonomisë, nuk e fsheh dot ngërçin e një situate që nuk është adresuar ende nga qeveria në rastin më të mirë, apo adresohet bash gabuar, pa planifikim e në improvizim të plotë, në rastin më të keq.

Sado të përpiqen ta shfaqin tërheqëse kur e citojnë në rritje për propagandë, apo të mërzitshme kur analizohet se si ndikon jetën e çdo shqiptari, rritja ekonomike në thelb merr kuptim si rritja e mirëqenies së popullsisë. Sepse rritja e saj do të thotë më shumë para nëpër duar, për të shpenzuar në konsum, për të kursyer për të ardhmen, për të investuar. Që do të thotë se, sado të përpiqen të luajnë me një shifër në rritje, nëse nuk ndjeni në shpenzime, kursime dhe investime efektet e rritjes ekonomike, atëherë ajo shifër është thjesht një marifet specialistësh të propagandës, për të luajtur me psikikën e secilit prej nesh, por assesi tregues i mirëqenies sonë.

Vështirë të informohemi qartë e kujdesshëm nga media tradicionale se, Banka e Shqipërisë ka publikuar të dhënat e tremujorit të dytë të vitit 2017, sipas të cilave, investimet e huaja direkte kanë rënë mbi 25%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Dhe arsyet janë të lidhura të gjitha me mungesën e garancive në respektime kontratash, ligjesh, në infrastrukturën e dobët, burokracinë e lartë, korrupsionin e paqartësinë e orientimit të politikave në sektorë prioritarë. Gjithçka në funksion të një grushti investitorësh pranë qeverisë, që kanë zënë radhën për të pushtuar çdo burim natyror mbetur pa privatizuar e dhënë me koncesion. Pse ka lidhje kjo, me shqiptarin e thjeshtë? Sepse mungesa e investimeve të huaja ndikon drejtpërdrejtë rritjen ekonomike dhe papunësinë, duke kompromentuar mirëqenien e tyre.

Dhe si për të dëshmuar se premtimi i bujshëm i rritjes 6%, është një flluskë që, nëse plas, do na lëshojë pa parashutë në greminën ekonomike, na vjen në ndihmë një raport i Komisionit Europian mbi të dhënat e industrializimit në rajon, sipas të cilit, vendi më i industrializuar është Serbia, ku ky sektor kontribuon me rreth 26% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndjekur nga Kosova, Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia. Peshën më të ulët të industrisë e kanë Shqipëria, me 14.6% dhe Mali i Zi, me 12.9%. Shqipëria mban rekord për peshën që zë bujqësia, duke e bërë atë vendin më rural në të gjithë Europën, me rreth 22% të totalit. Pas nesh vjen Kosova me 14%, Maqedonia me 11%. Pavarësisht peshës së lartë të bujqësisë, Shqipëria vijon të importojë shumë produkte ushqimore, ndërsa industria përpunuese po bëhet gjithnjë e më pak konkurruese, përballë importeve. Asnjë logjikë ekonomike. Logjikë që vendosur në kontekstin e burimeve dhe shfrytëzimit efikas të tyre, do të prodhonte ekonomi. Dhe, të kuptohemi, ekonomi Made in Albania.

Të ndjekësh logjikën në politikat ekonomike të qeverisë shqiptare, është sport ekstrem. Shqiptarët do ta mbajnë mend mirë, si kjo qeveri i ka bërë të ndihen moralisht, financiarisht e shpirtërisht. Asnjë prej nesh s’mund të flasë në emër të të gjithëve, ama, të gjithë ne jemi një statistikë në tryezën e zyrës së dikujt që mpreh lapsa me ngjyra për të vizatuar bienaleve të botës, me paratë e të gjithëve ne. Brenda asaj statistike ka jetë, frymë, marrëdhënie njerëzore, fëmijë, pleq, sakrifica, lodhje, punë, dështime, suksese, ndjenja, pritshmëri, ëndrra, shpresa. Kush manipulon me statistikën, ka vënë dorë tek çfarë na mban gjallë.

Shembulli më i fundit? Shqipëria është ndër vendet me numrin më të lartë të të vetëpunësuarve në botë, me rreth 36% të totalit të të punësuarve. Në një përpjekje për të ulur informalitetin, qeveria ka vendosur uljen e pragut të aplikimit të TVSH-së në bizneset me të ardhurat vjetore nga 5 milionë lekë, që është aktualisht, në zero pas 1 janarit të vitit 2018. Tatimet numërojnë rreth 82 mijë subjekte të vogla dhe të mesme, nga rreth 105 mijë biznese gjithsej në të gjithë vendin, shumica e të cilave nuk plotësojnë kriterin e xhiros për të paguar TVSH-në. Kuptohen pasojat ekonomike e sociale për një pjesë të rëndësishme të shoqërisë. A do të sjellë më shumë formalizim kjo masë, apo çmime më të larta për konsumatorët dhe falimentime në biznesin e vogël, këtë do ta tregojë koha. Por precedentët e politikave të formalizimeve nga kjo qeveri, nuk sollën asnjë efekt mbi të ardhurat dhe stimuluan edhe më shumë evazionin fiskal.

Një Zot e di si do të ndihen shqiptarët deri atëherë. Kur qeveria të ketë bërë dëmin e me një taktikë kumtuar rishtas nga altoparlantët e vet, do të ketë gjetur fajtorin. Dhe të sigurt duhet të jemi për diçka, sërish nuk do të ndalet. Sepse nuk lodhet, derisa të ketë mbaruar mirë punë me çdo burim natyror e frymën e mbetur të çdo nevojtari. E atëherë, s’do të na e ketë ngenë askush të na pyesë: Si ndihesh, o njeri?

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: