Dritëro Agolli, autori shqiptar që mrekulloi edhe lexuesit bullgarë

Dritëro Agolli, autori  shqiptar që mrekulloi  edhe lexuesit bullgarë
HISTORI/ Përkthimi në bullgarisht i mjaft veprave të shkrimtarit të njohur shqiptar, ka intensifikuar edhe më shumë ndër vite marrëdhëniet kulturore mes dy popujve

Nga Prof. as. dr. Dhimitri Bello,

& Dr. Raqi Bello

  

Marrëdhëniet kulturore të popullit shqiptar dhe atij bullgar kanë tradita të hershme. Ato datojnë që prej kohëve të lashta dhe gjithnjë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në nivel dhe pa paragjykime, model i një bashkëpunimi të mirë në “Ballkanin e trazuar”. Dy popuj, që kanë jetuar shekuj me radhë pranë njëri-tjetrit, në udhëkryqin e quajtur Gadishulli Ballkanik dhe që kanë shumë gjëra të përbashkëta në doke, zakone, folklor, traditë dhe kulturë. Mjafton të kujtojmë se në kohën e lëvizjes së madhe të popullit shqiptar për pavarësi, shumë intelektualë, poetë dhe shkrimtarë patriotë të Rilindjes Kombëtare shqiptare, jetuan dhe punuan në Bullgari. Sofja, ku u themelua shoqëria “Dëshira”, u kthye në një nga qendrat më të rëndësishme të kohës për botimin e librave dhe gazetave në gjuhën shqipe, qendër e veprimtarisë kulturore e politike, me ndikim të madh në trojet etnike të shqiptarëve. Ndërsa aktivistët e shoqërive patriotike të Rilindjes, të Stambollit dhe Bukureshtit, kalonin nëpërmjet Sofjes për të shkuar në tokat e pushtuara shqiptare, si qyteti që kishte lidhje të drejtpërdrejtë me to. Nuk ka rilindës shqiptar që të mos e ketë vizituar Sofjen. Atje ka qëndruar Petro Nini Luarasi, Lumo Skëndo, Shahin Kolonja, Bajo dhe Çerçiz Topulli, Mihal Grameno, Fan S. Noli etj. Në Sofje, në shtypshkronjën “Mrothtësia”, filluan të botohen një numër i konsiderueshëm gazetash dhe revistash, midis të cilëve një rol të veçantë luajti gazeta “Drita”,  një nga gazetat më të mira për kohën në gjuhën shqipe. Sot, që pas Luftës së Dytë Botërore, Bullgaria përsëri u shfaq si një qendër e rëndësishme për albanologjinë. Por, kësaj radhe interesi për çështjet që kanë të bëjnë me Shqipërinë dhe shqiptarët, për gjuhën, kulturën dhe letërsinë e tyre, janë vetë bullgarët. Shumë studentë që mësuan gjuhën shqipe, u bënë specialistët e parë bullgarë, të cilët u afirmuan në fusha të ndryshme. Disa nga këta filluan të merren edhe me përkthime, kryesisht nga fusha e letërsisë artistike. Në Bullgari përkthimet e letërsisë shqiptare fillojnë nga vitet ‘60 të shekullit të kaluar dhe vazhdojnë edhe sot. Interesi për t’u njohur me njëri- tjetrin gjen shprehjen e vet konkrete në Bullgari, me përkthimet që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen veprave më të rëndësishme të letërsisë shqiptare. Pavarësisht se është krijimtaria letrare e një populli të vogël, siç janë shqiptarët, kjo letërsi vlerësohet shumë në Bullgari.

Përsa i përket letërsisë, lexuesit bullgarë janë njohur fillimisht kryesisht me krijimtarinë e Ismail Kadaresë dhe të Dritërp Agollit. Përkthyesit kryesorë të letërsisë shqiptare në bullgarisht janë: Marina Marinova, Marko Gançev, Thoma Kacorri, Ekaterina Josifova, Zoja Kostadinova, Viktor Genkov, Evgenija Kotova etj. Por “zbulimin” e letërsisë shqiptare për lexuesit bullgarë e bëri përkthyesja Marina Marinova. Ajo u bë e njohur si përkthyesja e parë e Kadaresë, kur gjatë vitit 1966 bëri përkthimin e parë të romanit të tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (bullg. Генералът на мъртвата армия). Pas këtij hapi të parë, ajo i dhuroi lexuesit bullgar në një mënyrë origjinale dhe plot gjallëri edhe disa nga veprat më të njohura të Dritëro Agollit, Zija Çelës, Rexhep Qoses, Besnik Mustafajt etj.

“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”

Nga këto përkthime mjaft i njohur për lexuesin bullgar është bërë shkrimtari Dritëro Agolli, me të cilin përkthyesja Marinova ka pasur rastin të njihet personalisht në Tiranë, kur ky ka qenë kryetar i Lidhjes. Të gjitha librat e përkthyera ptej tij, janë shoqëruar me një autobiografi të shkurtër për autorin dhe disa fjalë në lidhje me krijimtarinë e tij. Shkrimtari i njohur nëpërmjet kësaj përkthyeseje të talentuar ka folur në një bullgarishte të përkryer, fillimisht me romanin e tij “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (titulli në bullg. “Величието и залезът на Другарят Зюльо”, ose i njohur thjesht si “Drugarjat Zylo”), botuar në Sofje në mars të 1978-ës nga shtëpia botuese “Narodna kulltura” (Издателство “Народна култура”), me 116 faqe dhe me tirazh 10 125 kopje. Romani është pritur mjaft mirë nga lexuesi dhe kritika bullgare. Në gojën e tyre ai qarkullon si “Shoku Zylo”. Në fjalët e hyrjes të përkthimit bullgarisht të romanit thuhet, se ky roman për herë të parë është prezantuar jashtë vendit (Shqipërisë) në bullgarisht. Në fund të këtij prezantimi lexojmë edhe vlerësimin që i bëhet këtij romani: “Ky roman i Agollit nuk është vetëm një satirë e rrallë, e suksesshme dhe bashkëkohore, por edhe një vepër që paraqet figurën e burokratit servil dhe burokratit të paaftë, pjellë e realitetit socialist. Shprehja e autorit është dinamike, me një mprehtësi dhe zgjuarsi të madhe. Zylo është tipizuar kaq mirë, saqë kalon kufijtë e realitetit shqiptar, duke na u paraqitur si një karakter i njohur në shumë vende të tjera, ku ka pasur kushte të mbijë, të shfaqet fenomeni Zylo. Nëpërmjet të qeshurës shkrimtari me guxim denoncon një radhë fenomenesh negative, karakteristike për një epokë të tërë”.

“Njeriu me top”

Nuk vonoi shumë dhe kjo përkthyese i dhuroi kënaqësinë lexuesit bullgar të njihen me një tjetër roman të bukur të Agollit, “Njeriu me top” (titulli në bullg. Човекът с оръдието). Në hyrjen që i është bërë këtij romani thuhet se autori e merr subjektin nga koha e pushtimit italian të Shqipërisë, por vitet e luftës ai i shikon nga një aspekt krejtësisht tjetër. Romani “Njeriu me top” shpaloset me një psikologjizëm të thellë, me ndjenja njerëzore, të manifestuara nga fshatarët e thjeshtë ndaj ish-pushtuesve të tyre,ushtarëve të mjerë italianë, të gjithë bij të popullit, që endeshin në dhe’ të huaj, me rrugën e vështirë të jetës së shqiptarit në kohë lufte, të mbushur me kontradikta dhe kthesa. Duhet thënë se të dy këta romane, të përkthyera në bullgarisht janë dhe përkthimet e para në gjuhë të huaj që u janë bërë atyre.

“Trëndafili në gotë”

Kurse romani i tretë i përkthyer është “Trëndafili në gotë” (në bullg. “Роза в чашата”) i përkthyer që më 1988-ën,  po nga M. Marinova, pjesë e një antologjie, ndërsa në vitin 2006 ai është botuar si libër më vete. Romani është prezantuar me një hyrje të përkthyeses, ku ndër të tjera thuhet se tematika e romanit është bashkëkohore dhe se ai pasqyron fundin e viteve ‘70 të shek. XX, kur inteligjenca në vend e parandien se diçka duhet ndryshuar, të shkëputet nga rutina dhe inercia, të braktisen shtigjet e rrahura si më të lehta, sepse e gjitha kjo pengon prosperitetin e Shqipërisë. Romani është i mbushur me humor spontan dhe tall burokratët dhe teknokratët, njerëzit e paditur dhe karrieristë, diçka tipike për stilin e Dritëro Agollit.

VLERËSIMI

Ja se çfarë shkruan për lexuesin bullgar përkthyesja M. Marinova

“Ndër poetët më të shquar

shqiptarë, unik e origjinal”

“Krijimtaria e Agollit zë një vend të rëndësishëm në letërsinë bashkëkohore shqiptare. Ai është ndër poetët më të shquar të vendit, por në të njëjtën kohë është dhe një beletrist, romancier dhe dramaturg unik dhe origjinal. Është autor i shumë fejtoneve. Shkruan gjithashtu kritikë letrare dhe publicistikë. Agolli dallohet për nga aftësia dhe mjeshtëria e jashtëzakonshme në përshkrimin e jetës së gjallë, të pozitives dhe negatives tek njeriu. Ai është një tregimtar i natyrshëm dhe fjalëmbël dhe ka aftësi që me humorin e tij të sjellë qetësi dhe harmoni. Krijimtaria e tij është mjaft kolorite, me karakter të theksuar kombëtar. Shumë vepra të Agollit në poezi dhe në prozë janë përkthyer në gjuhë të huaja. Midis tyre popullaritet më të madh gëzon romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Dy nga romanet e prezantuara tek ne (në Bullgari, bëhet fjalë për “Shoku Zylo” dhe “Njeriu me top”) janë dhe përkthimet e para të këtyre romaneve në gjuhë të huaj”.

PËRSHTYPJET

Studentët bullgarë:

“Jemi të mahnitur, me talentin

e jashtëzakonshëm të Dritëroit”

“Ne jemi të mahnitur, - thotë një studente e universitetit të Veliko Tërnovës. Me talentin e jashtëzakonshëm të Dritëroit, që si rrallë ndonjë poet tjetër, arrin të krijojë poezi melodike nga gjithçka. Shkruan thjesht, në mënyrë të këndshme dhe ritmike, shumë pastër, pa komplikuar dhe rënduar me figura të tepërta, me ndjenjë humori e kombinuar me një dozë të hollë vetironie. Ky është autori i botës sonë rinore”.

Robert Elsie: “Popujt e Evropës Juglindore, vuajtjet

e së shkuarës shumë shpejt do t’u zhyten në kujtesë”

Robert Elsie në parathënien e librit të studiueses së mirënjohur bullgare, Rusana Bejleri, kushtuar letërsisë shqipe, shprehet: “Gjatë shekullit XX, popujt e Ballkanit më shumë kanë jetuar afër njëri- tjetrit, sesa bashkë. Kurse shekulli i XXI do jetë rrënjësisht i ndryshëm. Popujt e Evropës Juglindore, ashtu si pjesa tjetër e kontinentit, do mësohen të jetojnë si një familje në shtëpinë e përbashkët evropiane dhe vuajtjet e së shkuarës shumë shpejt do të zhyten në kujtesë. Duhet theksuar, që sot këta popuj, edhe pse fqinjë prej shekujsh nuk njihen mirë reciprokisht. Mund të quhet edhe simbolik fakti, që jo shumë larg në kohë, të fluturoje nga njëri vend në tjetrin, ishte e domosdoshme që të kalohej tranzit nëpërmjet aeroporteve të Vjenës, Romës ose Cyrihut...”

Shpërndajeni me miqtë tuaj: