Elektronika mund të shtojë problemet, thelbi është reforma zgjedhore

Elektronika mund të shtojë problemet, thelbi është reforma zgjedhore
Ish-kryetari i KQZ-së dhe ish-ministri i qeverisë “Rama”, Ilirjan Celibashi, flet për votimin elektronik dhe reformën zgjedhore. Pse duhet të evidentojmë fillimisht problematikat që duhen zgjidhur në procesin e votimit, përpara se të kërkojmë votim elektronik. Shitblerja e votës, fenomeni që elektronika nuk e ndalon dot. Problemet që duhet të adresojnë partitë në vendimet për reformën zgjedhore. Pse duhet primi dhe pse duhet të rikthehemi në versionin e vjetër: Mazhoritar në 100 zona dhe 40 vende me proporcional

Ish-kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ish-deputet dhe ish-ministër për marrëdhëniet me Parlamentin, avokati Ilirjan Celibashi është një njohës i mirë i procesit zgjedhor, problematikave të shfaqura dhe alternativave për zgjidhjen e tyre. Në një intervistë për “Albanian Free Press”, ai thotë se duhet të tregohemi të matur me kërkesat për përdorimin e teknologjisë së informacionit në procesin e votimit. “Nëse palët pjesëmarrëse në proces zgjedhor, partitë politike apo kandidatët, nuk e besojnë sistemin, nuk e besojnë njëra-tjetrën, nuk e besojnë atë që administron procesin zgjedhor, ka shumë pak gjasa që nëpërmjet përdorimit të teknologjisë së informacionit të rritet besimi në proces, madje mund të kemi efektin e kundërt”, thotë Celibashi. Ai shtron edhe çështjet që politika duhet të marrë në konsideratë në hartimin e reformës zgjedhore, duke përfshirë edhe mundësinë e ndryshimit të sistemit të zgjedhjeve.

Intervistoi për Albanian Free Press: Alket Aliu

Z. Celibashi, diskutimet për mënyrat se si mund të votohet në Shqipëri, duke përfshirë edhe votimin elektronik, janë të hershme. Ju keni qenë kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deputet dhe ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin. Si janë vlerësuar problematikat që ka shfaqur në vende të ndryshme votimi elektronik dhe si është vlerësuar mundësia e aplikimit të kësaj teknologjie në Shqipëri?

Ajo çfarë kam konstatuar unë në lidhje me këtë çështje dhe diskutimet për të, ka të bëjë me bazën nga janë nisur palët në këtë diskutim. Për mendimin tim, nuk është e qartë se pse një pjesë e politikës shqiptare kërkon që, në aspektin teknik të votimit, të përdoret teknologjia.

Nëse duam të përdorim teknologjinë për të lehtësuar procedurat e votimit, ky është një diskutim tjetër dhe duhet të marrim në analizë disa rrethana të caktuara.

Nëse në aplikimin e teknologjisë së informacionit në procesin e votimit, nisemi nga komponenti i sigurisë, atëherë ky është një diskutim tjetër.

Nga eksperienca ime dhe për aq sa unë e njoh këtë çështje, asnjëherë teknologjia e informacionit në procesin e votimit nuk është përdorur për të rritur besueshmërinë në procesin zgjedhor. Nëse palët pjesëmarrëse në proces zgjedhor, partitë politike apo kandidatët, nuk e besojnë sistemin, nuk e besojnë njëra-tjetrën, nuk e besojnë atë që administron procesin zgjedhor, ka shumë pak gjasa që nëpërmjet përdorimit të teknologjisë së informacionit të rritet besimi në proces, madje mund të kemi efektin e kundërt

Prandaj them se duhet të qartësohen ata që e propozojnë votimin apo numërimin elektronik apo në përgjithësi përdorimin e teknologjisë së informacionit në procesin e votimit se përse e kërkojnë implementimin e këtij sistemi.

Në qoftë se ti thua se duke aplikuar sistemin e votimit elektronik dhe/ose të numërimit elektronik, mendon se do të evitosh, le të themi, problemin e shitblerjes së votës, unë mendoj se ky argument nuk qëndron. Nuk ka lidhje shkak-pasojë. Shitblerja e votës bëhet jashtë qendrës së votimit, jashtë procesit teknik të votimit dhe nuk e dimë sa do ta afektojë pozitivisht përdorimi i teknologjisë së informacionit eliminimin e shitblerjes së votës.

Mendoj se nuk është kjo zgjidhja që na shpëton nga problematikat e procesit zgjedhor dhe dyshimeve që kemi për integritetin e procesit. Ne duhet të forcojmë institucionet, të ndërtojmë institucione të besueshme për administrimin e procesit zgjedhor. Kjo është e rëndësishme, duhet ta nisim nga kjo dhe pastaj të shkojmë tek përdorimi i teknologjisë së informacionit.

Duket sikur mazhoranca dhe opozita ndajnë të njëjtin objektiv për të shkuar në zgjedhje me votim elektronik, madje PD e ka vendosur si kusht, ndërsa Kryeministri Rama ka shtuar një tjetër kusht, duke kërkuar të votojnë edhe emigrantët...

Janë dy gjëra që kanë lidhje me njëra-tjetrën, por nuk janë kushte që njëra nuk mund të ekzistojë pa tjetrën. Partia Demokratike e ka kërkuar për një arsye tjetër: Të evitojmë shitblerjen e votës, të rritim integritetin e procesit.

Kjo nuk ka lidhje kaq të drejtpërdrejtë.

Edhe kjo që thotë Kryeministri që duhet ta aplikojmë, por të përfshijë emigrantët, nuk më duket si ndonjë kusht, pasi, natyrshëm, nëse ti zgjedh një mekanizëm që të lehtëson procesin e votimit, nuk ka arsye përse të mos i përfshish edhe emigrantët. Pra, nuk më duket se ky është kusht. E njëjta gjë vlen si në rastin e votimit elektronik nga shtëpia, ashtu sikurse nëpërmjet qendrave të votimit. Edhe në rastin e dytë, emigrantët mund të votojnë në selitë diplomatike, në ambasada e konsullata apo në zona të caktuara.

Nëse aplikohet sistemi i votimit on-line, nuk ka asnjë arsye për të përjashtuar ata që ndodhen jashtë kufijve.

Por për mua nuk është ky thelbi i diskutimit. Thelbi është arsyeja përse kërkohet implementimi i teknologjisë në votim. Duke qartësuar arsyen apo arsyet përse kërkohet votimi elektronik, natyrshëm arrijmë në argumentimet nëse teknologjia i zgjidh apo jo problemet e shtruara për zgjidhje. Duhet bërë një listë me këto probleme që janë shfaqur gjatë proceseve zgjedhore dhe ta konfrontojmë me mundësitë praktike të zgjidhjeve, pasi mund të ndodhë që elektronika t’i komplikojë problemet në vend që t’i lehtësojë.

Ju jeni marrë për një kohë të gjatë me çështje të zgjedhjeve, qoftë në KQZ, qoftë si përfaqësues politik në Kuvend dhe Qeveri. Në gjithë këto periudha që është diskutuar në nivele politike mundësia e votimit elektronik, a janë vlerësuar edhe problematikat që ka shfaqur votimi elektronik në vende të ndryshme të botës?

Kur ulesh të diskutosh dhe të bësh një propozim, duhet të kesh bërë analiza paraprake dhe vlerësim të gjithë faktorëve dhe elementëve. Janë aspekte ligjore, teknike dhe politike. Ndryshe nuk arrihet në një konkluzion.

Nëse palët thonë se nuk ka problem dhe do të pranojnë këtë problematikë, atëherë mund të instalohen pajisjet dhe të shkohet në votim elektronik.

Risqet janë padyshim dhe ne këtë e kemi ditur. Nuk ka siguri absolute edhe me elektronikën. Më kujtohet vizita në Çikago, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku votohej në një kompjuter me touch-screen. Atje ishin edhe përfaqësuesit e kompanisë private që menaxhonte nga ana teknike gjithë procesin. Ishte koha e debateve që kishin shoqëruar zgjedhjet presidenciale Bush-Al Gore në Florida. Edhe vetë përfaqësuesit e kompanisë e pranuan se saktësia e makinës ishte diçka më shumë se 98%, por kurrë 100%. Por palët në proces e dinin këtë marzh gabimi dhe e kishin pranuar. Prandaj e përsëris se teknologjia e informacionit nuk të zgjidh në mënyrë absolute çështjen e saktësisë, nuk të zgjidh as problemin e mosbesimit. Nëse palët e pranojnë mundësinë e gabimeve dhe angazhohen që gjithsesi ta përdorin teknologjinë për të lehtësuar problematika të tjera, mund të bëhet.

Për këto çështje që do të shtrohen nuk është zgjidhje vetëm elektronika...

Po, në përgjithësi këto çështje duhet të parashikohen në paketën e reformës zgjedhore, e cila duhet të fillojë dhe të përfundojë sa më shpejt. Do të ishte mirë që brenda një viti partitë politike, të mblidhen, të diskutojnë, të debatojnë dhe të vendosin lidhur me atë si do të jetë sistemi zgjedhor dhe si do të jenë aspektet e tjera teknike të zgjedhjeve.

Kemi një Kod Zgjedhor të mbingarkuar në detaje procedurale, por gjithsesi vazhdojnë problematikat. Mendoni se ky kod duhet riparë në kuadër të reformës zgjedhore dhe cilat janë problemet që duhet të zgjidhin ndryshimet ligjore e kushtetuese?

Nëse nuk diskutojmë në lidhje me sistemin, pasi kjo është një çështje politike, përsa i përket çështjes së administrimit zgjedhor, ka probleme që duhen zgjidhur. Është e vërtetë ajo që thoni ju për mbingarkesën e Kodit Zgjedhor me shumë procedura, të cilat janë fiksuar për të zgjidhur situata të ndryshme problematike dhe për të dhënë më shumë garanci për procesin, por që në fakt e kanë rënduar situatën. Kjo pasi, sa më e rënduar të jetë kjo procedurë, aq më e lehtë bëhet realizimi i qëllimit të atyre që kanë si synim të ndërhyjnë në proces për qëllime manipulimi të rezultatit. Ka gjithmonë paragrafë ku ata mund të kapen me qëllimin për të deformuar rezultatin përfundimtar.

Ka nevojë të thjeshtohet, të lehtësohet Kodi Zgjedhor nga kjo pikëpamje.

Duhet parë çështja e organizimit dhe funksionimit të komisioneve zgjedhore në nivele të ndryshme, ajo e procedurës së nxjerrjes së rezultatit. Këtu mund të përdoret teknologjia e informacionit, për numërimin elektronik. Këtu ka sisteme të cilat e garantojnë në mënyrë thuajse absolute saktësinë. Por, edhe në raste dyshimesh, mund të kryhet edhe numërimi manual.

Gjithashtu, duhen adresuar çështjet që kanë të bëjnë me animimet dhe apelimet, financimi i partive politike dhe fushatave zgjedhore, megjithëse pak besim kam se skema aktuale mund të ndryshojë thelbësisht, pasi është një gjë që nuk është e pastër as në vende me demokraci të zhvilluar.

Çështja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si autoriteti më i lartë i administrimit të procesit zgjedhor. Duhet të jetë një organ teknik, por është me përfaqësues të subjekteve politike. Në një vend si ky i yni, ku ka mjaft antagonizëm politik, nuk mund ta ndërtosh këtë institucion me përfaqësues të zgjedhur nga partitë politike.

Po fakti që janë zgjedhur me përfaqësues të forcave të ndryshme, garanton një lloj ekuilibrimi të institucionit?

Nuk është e mundur, përderisa ka një numër tek të anëtarëve. Ai që zotëron shumicën në përfaqësim, ka edhe shumicën në vendimmarrje. Padyshim që ka edhe njerëz me integritet profesional dhe moral, që mund të sigurojnë një pavarësi, por kjo është çështje individësh. Puna është të kesh një sistem që të mos ngelet në dorën e individit.

Është një çështje që reforma zgjedhore duhet ta trajtojë. Unë dëgjoj që të gjithë flasin dhe thonë se administrimi i procesit zgjedhor duhet të bëhet nga teknicienë. Po kur nuk jemi në gjendje të gjejmë shtatë teknicienë në institucionin më të lartë të administrimit të procesit zgjedhor, si mund të gjejmë mijëra njerëz në komisionet e tjera të niveleve më të ulëta apo për 4700 qendra votimi?

Për mendimin tim, duhet kaluar në një organ monokratik, me një person përgjegjës që administron gjithë procesin?

Mos po aludoni për Presidentin e Republikës?

Edhe ky variant nuk më duket i pranueshëm, pasi Presidenti i Republikës, me ndryshimet kushtetuese, mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë votash në Kuvend. Pra, ka rrezik të jetë i anshëm politikisht. Pavarësisht nga emri i Presidentit në një periudhë të caktuar, duhet menduar për situata të ndryshme politike. Ndoshta mund të garantojë diçka Presidenti aktual, po ai që do të vijë pas tij dhe që sërish mund të zgjidhet nga një parti e caktuar politike në mazhorancë, me shumicë të thjeshtë votash?

Ndërkohë, në kuadër të reformës zgjedhore, është hedhur në diskutim edhe mundësia e sistemit të primit. Ju si e shikoni?

Kjo është një çështje e diskutimit politik. Mendoj se Shqipëria është ende një vend që ka nevojë për një qeverisje të qëndrueshme dhe të fortë. Nuk e kemi ende kulturën e bashkëpunimit në koalicion. Por, përveç qeverisjes së fortë, sistemi duhet të sigurojë edhe përfaqësim sa më të gjerë në Kuvend, të ketë sa më shumë zëra.

Po flisni për sistemin proporcional?

Ky është njëri variant, por unë jam më shumë me sistemin që kemi patur deri në vitin 2005, pra për një mazhoritar në 100 zona dhe një proporcional me 40 vende. Ishte një sistem që e kënaqte edhe kushtin e një qeverie të fortë, por edhe të një përfaqësimi të gjerë.

Për mendimin tim, në një rast të tillë mund të lidhet vota e kandidatit me atë të partisë. Kjo do të shoqërohej me detyrimin që partitë të paraqiten me kandidatë. Kjo do të kufizonte në zgjedhjen e një alternative të vetme, që do të shkonte drejt kandidatit ose subjektit. Duket se kjo e kufizon zgjedhjen, por edhe sot vetëm një alternativë mund të votohet.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: