EPOKA DIXHITALE DHE PROVA E LIRISË- OPINION NGA ALFRED PEZA

EPOKA DIXHITALE DHE PROVA E LIRISË- OPINION NGA ALFRED PEZA
Nga ALFRED PEZA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Shqiptarët janë ndër shumë popuj të tjerë të vegjël nëpër botë, që kanë një të përbashkët tjetër, përgjatë historisë mes tyre, mungesën e lirisë për shkak të luftërave, pushtimeve, copëzimeve dhe kërcënimeve nga më të mëdhenjtë. Pas luftërave botërore dhe rrëzimit të Murit të Berlinit, rikthimi i lirisë në ish-Lindjen komuniste, pas rivendosjes së pluralizmit dhe konsolidimit të sistemeve demokratike, u shoqërua edhe me revolucionin e teknologjive të reja dixhitale. Ishte epoka e lindjes së kompanive të reja në "silicon valley", që sollën rrjetin e gjerë botëror ose, thënë ndryshe, internetin, kompjuterin personal, celularin inteligjent e për të arritur tek sfidat e reja të robotikës, - inteligjencën artificiale, sfidat e hapësirës dhe teknologjitë e së ardhmes. E shoqëruar kjo me një klasë të re miliarderësh të rinj, super të pasur.

Një revolucion që nuk kishte se si të mos përfshinte edhe shqiptarët e Shqipërinë, duke u bërë tashmë edhe një mënyrë e re jetese nëpërmjet celularit, kompjuterit, internetit, sistemeve dixhitale e deri tek rrjetet sociale dhe mediat online. Në këtë mënyrë, dimensioneve të lirive politike, demokratike, ekonomike, të lëvizjes së lirë të njerëzve, mjeteve, mallrave, ideve, ju shtua edhe mundësia e pakufizuar, jo vetëm për të marrë, por edhe për të dhënë informacion. Për të prodhuar në mënyrë individuale, gjithsecili, informacion, ide, komente, opinione dhe qëndrime për çështje dhe tema që, deri dje, ishin tabu, ose ishin pronë vetëm e pushteteve e të të pushtetshmëve.

Edhe kjo përmbysje kaq e madhe, e cila e ka ndryshuar kryekëput mënyrën dhe kulturën e jetesës sonë, e cila ka qenë e papërfytyrueshme, deri pak vite më parë, për shqiptarët dhe Shqipërinë, është pjesë e një mega ndryshimi epokal global. Brenda një çerekshekulli nga izolimi total, shqiptarët kanë kaluar në hapësirat e një lirie pa limite, pa frè dhe pa kufizime. 25-vjeçarët e atëhershëm sot, janë 50-vjeçarë. Ndërsa ata që lindën në liri, sot janë 20-30- vjeçarë. Duke u rritur, në këtë mënyrë, si një brez i një epoke tjetër lirie. Një gjeneratë e re, me një kulturë, shkollim, mentalitet dhe ndjenjë krejt të re, për lirinë gjithfarësh.

Nga sfidat e djeshme të mbijetesës nën diktaturën e egër komuniste, sfidat e sotme janë kryekëput të ndryshme, gati-gati të kundërta. Sot, perëndimi dhe bota e qytetëruar në përgjithësi, po përballen me sfidat e mbijetesës nën "diktaturën" e një lirie të pamatë. Sepse shoqëria e sotme, në raport me lirinë e shprehjes, informacionit, të drejtën e informimit dhe të ushtrimit të lirive të tjera nëpërmjet tyre, ndodhet ndoshta në një provë që nuk e ka kaluar asnjëherë më parë. Shoqëritë e sotme, bota në raport me të drejtën e informimit, për herë të parë, nga vertikale janë shndërruar në horizontale. Për shkak të revolucionit të epokës dixhitale, monopoli i informimit nga lart tek të pushtetshmit, ka shkuar poshtë te shoqëria, te të gjitha shtresat dhe te të gjithë individët.

Përshtatja me këtë realitet të ri, duket se është një nga sfidat më të mëdha, jo vetëm për shoqëritë me demokraci të brishta si kjo jona, por edhe në shoqëri me demokraci shumë më të konsoliduara se ne.

Një nga debatet më të mëdha të provokuara orët e fundit në SHBA, lidhet me një deklaratë të presidentit amerikan, Donald Trump, me televizionet që janë jo vetëm burimi kryesor i informimit dhe argëtimit të shoqërisë, por edhe një nga simbolet më të mëdha të së drejtës së patjetërsueshme, të lirisë së shprehjes. Mediat ndërkombëtare i kanë vënë shumë diçitura, etiketime dhe tituj, këtyre deklarata, për të cilat emëruesi i përbashkët shkon deri tek përcaktimi se, presidenti i SHBA-së "sapo bëri njërin prej kërcënimeve më diktatoriale".  Ai ka kërcënuar se do të mbyllë televizionin NBC dhe rrjetet e tjera televizive amerikane, duke thënë se ato shesin lajme të rreme.

"Me gjithë ato lajme të rreme që po dalin nga NBC-ja dhe rrjetet e tjera televizive, kur është momenti i duhur për t'ua ndalur licencat? Shumë keq për vendin!" - shkroi Trump-i, në profilin e tij zyrtar në Twitter.

Reagimi i Trump-it erdhi pas një kronike të NBC-së, në të cilin thuhej se Trump-i kishte kërkuar që arsenali bërthamor i SHBA-së, të rritej dhjetëfish pas rishikimit të një broshure informuese, e cila tregoi se arsenali bërthamor i SHBA-së ka pësuar rënie të qëndrueshme, qysh nga vitet '60 të shekullit të kaluar. Në këtë kronikë citoheshin tre zyrtarë amerikanë, të cilët ishin të pranishëm në sallë, kur Trump i kishte bërë këto komente. "NBC i rremë e sajoi një artikull kinse. Unë kam kërkuar rritje dhjetëfish në arsenalin tonë bërthamor", - ka shkruar Trump.

NBC-ja është një nga kanalet kryesore televizive amerikane dhe kjo nuk është hera e parë që presidenti amerikan përplaset me gjigantët mediatikë, duke filluar që nga CNN-i e me radhë. Luftërat dhe betejat e tij me gazetarët, përfshijnë një listë tjetër mediash të rëndësishme me peshë ndërkombëtare, kombëtare e deri tek ato lokale. Ky shembull që vjen nga kryeqendra e demokracisë dhe nga njeriu më i rëndësishëm i planetit, tregon sesa të brishta janë sot ekuilibrat e lirisë, për shkak të traditave demokratike, për shkak të lirisë dhe revolucionit të teknologjive dixhitale të informimit, në një epokë si kjo e sotmja.

Është lehtësisht e kuptueshme se, kur ky problem ekziston në tempullin më të rëndësishëm të demokracisë, imagjinohet lehtë se asnjë shtet, popull dhe shoqëri tjetër, në shtete po aq, më pak ose aspak demokratike, nuk është imun ndaj kësaj sfide të re. Aq më pak imune janë ato shtete ku zhvillimet demokratike, prej disa vitesh, janë shoqëruar me rritjen e ndikimit të ekstremizmit të të gjitha kaheve dhe formave. As Europa Perëndimore e demokratike nuk është më imune, aq më pak vendet e ish-Lindjes komuniste të kontinentit dhe shtete, shoqëri e popujt e Ballkanit, ku problematika, përballja dhe sfidat e lirisë kanë qenë të përjetshme, përgjatë rrjedhave të historisë.

Shqipëria dhe shqiptarët, sigurisht, që herët ose vonë, do të përballen me këtë sfidë themelore të demokracisë dhe epokës sonë. Aq më tepër, po të kemi parasysh historinë tonë të largët e të afërt dhe raportin e saj me lirinë. Sidomos me lirinë e fjalës, shprehjes, mendimeve, gjykimeve dhe opinioneve. Historia jonë e germave, alfabetit, shtypshkrimit, e leximit në gjuhën amtare, e botimit të librave në gjuhën shqipe, shkollave të të gjitha niveleve, e studimeve, është një histori pothuajse bashkudhëtare dhe bashkëmoshatare me shtetin. Një histori pak më shumë se njëshekullore, ku gati në gjysmën e kësaj periudhe, popullsia ka qenë në masën mbi 90% analfabete.

Kjo e bën shumë më delikate raportin e shqiptarëve me lirinë e fjalës dhe të së drejtës universale dhe kushtetuese për informim. Edhe vetë pushtetet, institucionet demokratike, liderët politikë, partitë, shoqëria civile dhe aktorët e faktorët e tjerë kryesorë të shoqërisë, po kalojnë një periudhë shumë delikate dhe të rëndësishme në këtë drejtim. Në pamje të parë, për shkak të penetrimit të internetit në masë të madhe të popullsisë dhe të territorit, krijohet përshtypja se kjo liri i ka dhënë rezultatet. Aq më tepër, po të kemi parasysh se kjo ka sjellë një numër shumë të madh të hapjes dhe përdorimit të adresave në rrjetet sociale, duke prodhuar një fluks të paparë aktiviteti në rrjet. Pa harruar këtu, mbi dy milionë adresat e Facebook-ut, mbi 30 mijë website-t në gjuhën shqipe, etj.

Deri tani, me gjithë ulje-ngritjet e raportit me këtë hapësirë të re të lirisë, në raport me të vërtetën, me ushtrimin e së drejtës dhe mundësisë për të eksploruar në botën e pafund të lirisë së informacionit dhe botës virtuale, gjërat duket se janë në ekuilibër dhe balancë. Sfidat janë përpara, ndoshta për t’u parë, atëherë kur si në shumë shtete dhe shoqëri të tjera, kur edhe për shkak të detyrimeve të integrimit në BE, do të duhet të hartohen dhe miratohen rregullimet e reja ligjore të fenomenit dhe këtij realiteti të ri. Raporti mes lirisë dhe ligjit në demokraci, së bashku me vullnetet politike të liderëve, siç ishte rasti i fundit i presidentit Trump, janë provat e zjarrit për të ardhmen.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: