Euro 2020, Panucci zbulon të ardhmen kuqezi

Euro 2020, Panucci zbulon të ardhmen kuqezi
Shqipëria humbi me Italinë 1-0, në “Loro Boriçi”, por duke i mbyllur kualifikueset e Kupës së Botës Rusi 2018 në vendin e tretë, pas “axurrëve” e iberikëve. Panucci si detyrë kryesore do të ketë rinovimin e ekipit për kualifikueset e Euro 2020, me qëllim kualifikimin direkt. - “Do të nis udhëtimet për të gjetur lojtarë të rinj. Në ndeshjet e përfaqësueses së 19-vjeçarëve dhe te ekipi U-21 do të vëzhgoj dy-tre lojtarë që më pas do t’i testojmë në ndeshjet miqësore,” – tha Panucci.

Nga nëntori i këtij viti dhe deri në gusht, një muaj para kualifikueseve të Europianit të ardhshëm trajneri italian do të rinovojë skuadrën, që pritet të mos ketë gati gjysmën e lojtarëve titullarë që luajnë aktualisht. Mes atyre që do të vijnë fliten emra si Albian Ajeti, Rey Manaj, Kristal Abazaj, Sabien Lilaj etj.

“Albian Ajeti më jep ndjesinë se po pret Zvicrën. Gjithsesi unë do shkoj ta takoj për të kuptuar çfarë dëshiron ky lojtar. Do të vëzhgoj edhe Manajn te Granada”, - theksoi Christian Panucci.

“Kam dëgjuar që është i vështirë, por kështu më thanë edhe për Xhakën. Megjithatë, kur e takova Taulantin ballë për ballë, ai më krijoi bindjen se nuk më tradhton dhe është i gatshëm të vdesë në fushë. Edhe Manaj duhet ta njoh personalisht për të vendosur”, - theksoi Panucci.

“Në sulm dhe në mesfushë kemi mjaft alternativa, por duhet të gjejmë lojtarë në mbrojtje. Agolli është 35 vjeç dhe në Europian do të jetë 37. Tani është shumë mirë, por duhet të mendojmë edhe në perspektivën e Europianit, ku aktualisht kemi dy të rinj si Balliu dhe Memolla. Do të ndjek Lilajn me Skënderbeun në Europa League, ndërsa kam edhe një listë me 10-15 lojtarë që do t’i shoh, të cilët luajnë në Gjermani, Greqi, Austri apo Sllovaki ku luajnë disa lojtarë. Duhet të studiojmë gjithçka që mund të na ofrojë Europa. Ky ekip ka nevojë për kualitet.”

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: