EUROPIANISTI I FUNDIT, ÇUN MULA

EUROPIANISTI I FUNDIT, ÇUN MULA
Frrok Çupi

Më duket e trishtueshme kur e them këtë, por, ndërkohë, më duket se pas këtij patrioti shqiptar të shekullit të XIX-të, nuk paska mes nesh, politikanë europianistë.

Çfarë bëri Çun Mula i Hotit, dhe çfarë nuk po bëjnë këta të sotmit, për europianizimin shqiptar? Çun Mula, sapo ndjeu se po çahej perandoria Osmane rreth nesh dhe po kërkohej pavarësi kombesh, ra në Shkodër dhe ngriti flamurin kombëtar në 16 korrik 1880, 21 vjet para pavarësisë së Greqisë.

Europianizmi i patriotit ishte kapja në ajër e erërave në kontinent, dhe ai kapi pavarësimin e kombeve. Europioanizmi i patriotit tonë ishte shpejtësia për ndryshim, sipas frymës evropiane; ishte ruajtja e kombit, konservatorizmi ndaj vlerave dhe sovranitetit...

Ky ishte i fundit, për këtë po e them.

Sikur çfarëdo frymë europiane të vërshojë mbi politikën tonë, askush më duket se e pret këtu. Nga Europa po vërshon fryma e konservatorizmit, e ruajtjes së vlerës, e politikës antifederaliste (si të thuash antixhonturke, krahasuar me atëherë), e ruajtjes së integritetit kombëtar dhe kufijve shtetërorë... Këtu nuk ka asnjë jehonë. Madje, fryma e lëvizjes evropiane, nuk ka asnjë partner. Mund të na ndodhë si në kohën e patriotit, Çun Mula, kur fryma e pavarësimit u përhap në shtetet fqinjë dhe europiane, por ne shqiptarët u vonuam. Për këtë them se, Çun Mula ishte europianist në kuptimin e shpejtësisë së kapjes së lëvizjeve europiane.

Sot, europianistët konservatorë të Europës, kanë bërë një hap tjetër të dallueshëm përpara: Austria, sipas gjithë sondazheve, po voton për konservatorët e Sebastian Kurtz, vetëm 31 vjeç, i cili e lëvizi partinë e tij konservatore, Partia Popullore, në një kurs më të djathtë konservator. Austria, me këtë hap, po lëviz djathtas pas dekadash që është ndodhur në politikat centriste. Konservatorët e Kurz, para një viti, në zgjedhjet presidenciale, bënë një sprovë, por humbën ngushtë me Socialdemokratët. Veç një vit u desh që, konservatorët të bindin votuesit austriakë se, antifederalizmi, konservatorizmi, ruajtja e kufijve, antiemigracioni masiv - këto janë interesat për kombin.

... Megjithatë, këtu, në politikën shqiptare nuk ka indikacione se çfarë po ndodh në Europë. E djathta fle në njëfarë luhatje, as këndej as andej. Kudo që bie erë pushtet, - si majtas, mbrapa, para, - e gjen duke u përzierë në tortë. Në prag të zgjedhjeve të 25 qershorit, kur pritej që të dalloheshin vijat mes konservatorëve dhe liberalëve, mes institucionit dhe të rinjve, mes elitave demagogjike dhe atyre që e ndryshojnë status quo-në, djathtistët e vendit tonë u bashkuan me qeverinë e majtë tradicionale. Pas asaj dite, u krijua aleanca e të gjithëve, pa konservatorë. Nuk ka më Republikanë që, të paktën, mbrojnë trashëgiminë e pronës. Nuk ka më Demokristianë, që mund të mbronin, sado pak, vlerën dhe konservatorizmin e familjes. Nuk ka më nacionalistë, sepse e djathta ka frikë nga nacionalizmi...

Europianistët nuk dallohen vetëm nga gjeografia, as vetëm nga ideologjia. Europianistët dallohen nga shpejtësia dhe vlera.  Në Europë po ndryshojnë gjërat, po fryjnë erëra të konservimit të kulturës së kombeve.

A dëgjohen jehonat këtu? Këtë po pyes... Po të ishte Çun Mula, ose patriotët tanë të mençur, do ta kishin kapur shpejt, se në Europë ka ndryshime...

Në Austri ndodhën më të fundit. Në Francë u provua se djathtistët nacionalistë të Le Pen-it, erdhën me fuqi në Parlamentin francez. Centristi Macron nuk mund të ndërtonte qeveri pa konservatorët e Fillon-it. Në Gjermani, përveç konservatorëve të CDU-së, vijnë në parlament, për herë të parë, nacionalistët e Alternativës për Gjermaninë, të krijuar vetëm katër vjet më parë. Në Holandë nacionalistët konservatorë të Gert Wilder, edhe pse parti e re,  iu afruan fitores në zgjedhjet e fillimit të këtij viti. Në Poloni, Çeki, Hungari...,  qeveritë kombëtare po kundërshtojnë politikat federaliste dhe multikulturaliste të BE-së. Në Spanjë, sapo u krijua një hendek i madh politik, për shkak të votës për pavarësi të Katalonjës. Në Angli është vendosur vlera e shekullit, e ndarjes nga moçali i eurokratëve në BE dhe besimi ndaj vlerave të kombit...

Pse ka mbetur vendi pa lëvizje në politikë? Ose, po të thuash, pse pa rryma të brendshme?.

Analizat politike e transferojnë mëkatin, herë te e majta që është e fuqishme, për shkak të të kaluarës komuniste të vendit, herë të rënia e thellë e të djathtës. Djathtizmi politik nuk e bind njeriun, se është ndryshe nga demagogjia majtiste. Në mes demagogjisë majtiste të të majtës dhe demagogjisë majtistë së të djathtës, votuesit kanë zgjedhur të parën, më origjinalen.

Mes elitave politike premtuese, por pa realitet, dhe djathtistëve po aq në institucion, sa elitat majtiste, pse u dashkan zgjedhur djathtistët?! Skuadrat nuk kanë asnjë dalim tjetër, përveç emrave.  Kjo është dilema.

Ndërsa në politologji dhe në publik ka dilema, në krahët politikë nuk ka asnjë dilemë. E majta është e vendosur aty ku ndodhet. Ndërsa edhe e djathta, nuk ka asnjë indikacion se duhet të lëvizë nga pozitat po kaq liberale majtiste, sa ç’është e majta. Djathtistët nuk marrin asnjë sinjal nga shpejtësia e ndryshimeve europianiste. Edhe kur fiton Sebastian Kurz-i në Austri, këta janë me socialdemokratët. Edhe kur fiton Trump-i në Amerikë, këta janë me George Soros...

Atëherë, vendi ngelet pa një spektër të plotë europianist. Shpejtësia e lëvizjeve konservatore nuk përkrahet nga politika, as e majtë as e djathtë. Është njësoj si në periudhat historike, kur u vonuam para shpejtësisë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: