Eurostat: Shqipëria, për bujqësi dhe ndërtim ia kalon çdo vendi evropian

Eurostat: Shqipëria, për bujqësi dhe ndërtim ia kalon çdo vendi evropian
Një vend tipik bujqësor, ku ndërtimi po njeh një “boom” të vërtetë... Kjo është panorama që Instituti Evropian i Statistikave krijon për Shqipërinë, teksa e rendit të parën mes të gjitha vendeve evropiane për kontributin që bujqësia, por edhe ndërtimi japin në ekonominë e saj

***

E para në listën e vendeve të kontinentit evropian për peshën që bujqësia zë në ekonominë e saj. Por në të njëjtën kohë edhe për “boom”-in e madh të ndërtimeve, falë të cilave ajo tashmë i lë të gjithë pas në Evropë... Kjo është Shqipëria, e parë në sytë e ekspertëve evropianë të statistikave, të cilët i kanë dhënë asaj vendin e parë në renditjen e këtyre sektorëve për kontributin që ata kanë në ekonominë vendase. E në të njëjtën kohë, imazhin e një vendi ende bujqësor, por që po e “mbysin” ndërtimet, teksa paratë e fituara nga biznesi dy dekadat e fundit mesa duket nuk po gjejnë ende një formë tjetër më të mirë investimi sesa në këtë sektor, duke e kthyer kështu në një “kantier” të vërtetë. Konkretisht, referuar të dhënave të Eurostat-it (Institutit Evropian të Statistikave), rezulton se në Shqipëri, kontributi që bujqësia jep realisht në ekonominë vendase është prej 22.9%, niveli më i lartë ky krahasuar me të gjitha vendet evropiane. Teksa vetë Bashkimi Evropian këtë tregues e ka vetëm në nivelin prej 1.5% të të gjithë ekonomisë që ai prodhon. E thënë ndryshe, teksa në vendin tonë bujqësia zë gati çerekun e ekonomisë si e tillë, në kontinentin e vjetër, roli i saj është reduktuar aq shumë, saqë mund të vlerësohet deri edhe e papërfillshme. Mjafton të përmendim këtu vende të tilla si  Britania e Madhe apo edhe Zvicra, pesha e bujqësisë në ekonomitë e të cilave arrin deri në nivelet prej 0.6% apo 0.7%. Por “Shqipëria bujqësore” si e tillë, rezulton se është mjaft para edhe fqinjëve të saj, ku sektori i bujqësisë në fakt duhet thënë se ende ka peshë për ekonomitë e tyre, të tilla si Maqedonia apo Kosova, përkatësisht në nivelet prej 10.5% dhe 13.4% (gati sa gjysma e saj). Madje, edhe partnerët e saj kryesorë tregtarë, si Greqia dhe Italia, mund të thuhet se e kanë të ulët peshën reale të bujqësisë në ekonomi, vetëm në nivelet prej 4% dhe 2.1%. Një situatë kjo e ngjashme edhe me sektorin e ndërtimit, për të cilin gjithashtu Shqipëria prin ndaj të gjitha vendeve evropiane, saktësisht me një nivel deri në 10.5% të kontributit që ai i jep ekonomisë së saj. Kur në fakt, mesatarja e tij për Bashkimin Evropian, është gati sa gjysma e tij, vetëm 5.3%. Çka tregon se në vendin tonë, industria e ndërtimit si e tillë paraqitet më e fuqishmja për momentin, sa i përket ecurisë së saj nga viti në vit. Në këtë këndvështrim, ajo lë pas edhe vendet fqinje, ku duhet thënë se gjithashtu ndërtohet, porse jo me ritmet e saj mesa duket. Konkretisht, në Maqedoni ndërtimi jep 8.6% të kontributit në Prodhimin e Brendshëm Bruto, në Kosovë, 8.2%, në Turqi 9.7%, për t’u ulur më pas në Greqi me 2.5% etj.

 

DUKURIA

Po ndërtojmë, por ende s’dimë të "luajmë" me pasuritë

Eshtë e vërtetë se shqiptarët janë të parët në Evropë që po ndërtojnë, por ama mesa duket ata ende nuk dinë të “luajnë” me pasuritë e paluajtshme që po krijojnë. Këtë dukuri e konfirmojnë të dhënat më të fundit të Eurostat-it, sipas të cilave rezulton se Shqipëria renditet poshtë mesatares së Bashkimit Evropian, sa i përket aktiviteteve në tregun e këtyre pasurive. Konkretisht, nëse BE-ja e ka këtë tregues në nivelin prej 11.4%, Shqipëria e ka vetëm 6.7%. Duke u lënë pas, për ecurinë e këtij tregu edhe nga fqinjët e saj, si Maqedonia (11.8%) dhe Kosova (10.3%) etj.

 

KRAHASIMI

Për tregti e shërbime, njësoj si evropianët

Për të bërë tregti, apo për të ofruar shërbime, tashmë shqiptarët duket se “ia kanë marrë dorën”. Ata paraqiten njësoj si evropianët. Konkretisht, sipas Eurostat-it, nëse në vendet e Bashkimit Evropian tregtia dhe shërbimet zënë në peshë deri në 20% të ekonomisë së vendeve anëtare, në Shqipëri ky nivel është disi më poshtë, deri në 18.5%. Teksa janë vendet mesdhetare ato që paraqesin një epërsi të dukshme të këtij sektori në ekonominë e tyre, kjo edhe për faktin pasi pesha e turizmit dhe e industrisë së akomodimit si e tillë tek ato është më e lartë. Mjafton të përmendim vende të tilla si Greqia, Qipro apo Spanja, ky shërbimet japin gati çerekun e kontributit të gjithë ekonomisë së tyre. Por në këtë aspekt nuk mbeten pas as vendet balltike, si Lituania që i ka shërbimet deri në 32% të gjithë ekonomisë, etj.

 

NDËRMJETËSIMI

Financa dhe siguracione, ende kulturë e ulët tek ne

Kultura e ndërmjetësimit financiar si e tillë, duket se paraqet ende një nivel që lë për të dëshiruar në vendin tonë. Dhe kjo për faktin pasi pesha që aktivitetet financiare dhe ato që kanë të bëjnë me siguracionet, ende zënë një peshë të ulët në ekonomi. Konkretisht, referuar shifrave që Eurostat jep rreth një situate të tillë rezulton se ky sektor zë vetëm 3.3% të gjithë ekonomisë shqiptare. Ndërsa mesatarja e Bashkimit Evropian rreth tij është më e lartë, deri në nivelin prej 5%. Sikundër, ka vende të tij, që e kanë mjaft të lartë peshën e ndërmjetësimit financiar në ekonominë e tyre, deri edhe në çerekun e saj, siç është rasti i Luksemburgut, me 27% të kontributit që ai jep. Kurse peshën më të ulët për këtë tregues rezulton se e ka Lituania, me vetëm 2.2%, vend ky që e lë pas edhe Shqipëria. Nga ana tjetër, ajo rezulton pas BE-së edhe për peshën që zë shkenca në ekonomi, por edhe administrata publike etj.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: