FANTAZMA E QEVERISË SË PËRBASHKËT - OPINION NGA FRROK ÇUPI

FANTAZMA E QEVERISË SË PËRBASHKËT - OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Duket si koincidencë ndodhia që, pikërisht, në momentin më të rëndë të politikës shtetërore shqiptare, shfaqet  Hoyt Brian Yee, i dërguari i SHBA-së në Ballkan. Ai ka folur dje nga Beogradi, mbi zhvillimet pas seancës plenare të Kuvendit, ku shumica socialiste mbrojti imunitetin e ish-ministrit, Saimir Tahiri, - i vënë nën akuzë për bashkëpunim me bandat kriminale dhe korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë. Pas kësaj, politika shtetërore ka rënë më shumë në gropë. Kryeministri është bërë nervoz dhe nuk po përmbahet. Opozita, sidomos LSI-ja, është bërë më agresive. Çdo ditë, dalin në shesh dëshmi të tjera mbi bashkëpunimin e  politikës me bandat kriminale, etj. Besimi  ka rënë në të gjithë kolonat e politikës dhe të shtetit...

... Kur po dukej se në Shqipëri po ndryshonte një gjë e madhe në politikën shtetërore, aty nga gjysma e parë e majit, në Tiranë u shfaq Hoyt Brian Yee. Misioni i tij në zgjidhjen e  krizës politike, kur opozita ndodhej në çadër dhe nuk pranonte të shkonte në zgjedhje, u mbyll me një marrëveshje mes shumicës dhe opozitës, për qeveri të përbashkët. Kjo u quajt marrëveshja e fshehtë e natës së 18 majit, e cila fundosi opozitën dhe i dha shumicës një pushtet monist, me shumicë dërrmuese në Kuvend...

... Erdhi përsëri dita që të krijohet qeveri e përbashkët mes shumicës dhe opozitës? Pavarësisht nga rastësia e ardhjes së zotit Yee, pikërisht në këtë orë, është momenti kur kriza shumë e madhe (e dytë pas çadrës), nuk mund të zgjidhet me solucione të tjera.

Rrethanat e prishjes së qeverisë moniste, pavarësisht nga numrat në Kuvend, janë të qarta:

Pas pak ditësh, mund ta shikojmë një ish-ministër, i ashtuquajtur superministër, prapa hekurave të burgut. Që në atë moment, ai nis e merr të tjerë me vete, o nga radhët e ministrave, o poshtë ministrave, o lart anëtarëve të kabinetit qeveritar. Pas Tahirit dhe sidomos pas arrogancës së qeverisë për të mos dorëzuar ministrin e kapur si anëtar i bandave kriminale, kuintat fshehin shumë akte... Bashkë me presionin e qytetarëve, të mediave dhe opozitës, nis e rritet presioni ndërkombëtar për një lloj Raqqa, që ndodhet në breg të Adriatikut. Por këtu nuk është qendër e IS-së si vetë Raqqa, është qendër e narkotikut. Territori shqiptar, përsëri pas incidentit të kanalit të Korfuzit pas Luftës së Dytë Botërore, kthehet në një fushëbetejë rreziku për sigurinë e qytetërimit perëndimor. Brenda vendit situata po vjen e bëhet shpërthyese. Shpërthimi i pakënaqësisë njerëzore bëhet edhe më i rrezikshëm, për shkak se qytetarët nuk përfaqësohen nga një opozitë dhe media e besueshme, as nga institucione civile e fetare të besueshme. Ekonomia në rënie po krijon varfëri ekstreme. Në dy vitet e ardhshme, pritet që investimet e huaja të bien edhe 20 për qind më shumë. Nëse nuk ka investime të huaja, cili është investimi i brendshëm?... Tani është deklaruar se Shqipëria investon vetëm për narkotikë. Policia e shtetit - sipas dëshmive nga brenda saj - ka punuar për kultivimin e bimës narkotike, për farën, korrjen dhe trafikun. Investimi në drogë nuk është investim në ekonomi, por në mafie, në krijimin e klaneve kriminale, në pasurimin e politikanëve mafiozë që blejnë pushtetin përgjithmonë.

Këto janë rrethanat që e bëjnë të nevojshme një qeveri të përbashkët, mes të gjitha grupimeve, me qëllim që të gjithë të jenë bashkë, edhe në të keqen.

Kush fiton me një qeveri të përbashkët?

Fituesi më i madh është rastësia ose pasiguria; pasiguria në atë se nuk dihet  kush fiton. Momenti do të ishte tepër delikat. Nëse bashkohen të gjithë elementët në një qeveri të përbashkët, mund të forcohet më shumë krimi, i cili ndodhet në të gjitha krahët. Por mund të ndodhë edhe që të gjithë së bashku,  të kontrollojnë njëri -tjetrin. Qeveria e përbashkët PD+PS para zgjedhjeve të 25 qershorit, nuk e provoi këtë. Edhe pse PD-ja kishte në dorë ministri të rëndësishme, nuk ndodhi që krimi të denoncohet apo ndalohet nga askush.

Faktori ndërkombëtar mund të fitojë përkohësisht. Jo faktori, por të dërguarit e faktorit. Diplomatë si zoti Yee, etj., do të shënojnë në CV, se zgjidhën edhe një krizë tjetër, pavarësisht se kjo zgjidhje mund  të zgjasë vetëm sa flaka e kashtës.

Faktorët e brendshëm do të ndanin fitoren mes njëri-tjetrit. Për shembull:

Partia Socialiste do të mbulonte krizën e shkaktuar prej saj, deri në një stad të dytë. Sigurisht, ajo do të humbte kryeministrin dhe shumicën moniste në Kuvend. Por sidoqoftë, do të fitonte ndërprerjen e një krize të rëndë kombëtare të krijuar prej saj, siç është kriza e kthimit të vendit në rrezik për fqinjët e të tjerët dhe e krijimit të konfliktit të gjatë mes klaneve në narkotikë. Fundi i qeverisë së përbashkët, me siguri, do të sillte përsëri një PS maxhoritare, por jo më si sot.

Partia Demokratike po e pret si shans të ardhur nga qielli. Kryetari i PD-së, Basha, sot kur doli nga takimi me ambasadorët e BE-së dhe SHBA-së, dukej entuziast kur tha se duhet një qeveri kundër drogës. Kush di të lexojë, kjo do të thotë se në takim me aleatët kryesorë, ai ka biseduar dhe ka pranuar për një qeveri tjetër, d.m.th., të përbashkët. PD-ja, në këtë rast, humb gjithë demokratët, por kjo nuk i kushton gjë PD-së. Sepse PD-ja ndërkaq është e humbur. Ajo nuk ka më votues, nuk ka as anëtarë të vërtetë, nuk ka pikë besimi në popull. Me këtë rast shton shpresën se me një dorë në tepsi, do të stimulojë militantët që t’i ketë për më vonë... Por të gjitha këto janë të diskutueshme. Në qeverinë e përbashkët të 18 majit, PD-ja doli e “sëmura e Bosforit”.

I humburi më i madh vazhdon të jetë altari ku venë dorën e betohen të gjithë, populli.

 

 

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: