FNSH-ja në aksion në 5 qarqe të vendit, "në shënjestër" goditja e grupeve kriminale

FNSH-ja në aksion në 5 qarqe të vendit, "në shënjestër" goditja e grupeve kriminale
Gjatë një konference për mediat Drejtori i Rendit Publik në Policinë e Shtetit, Albert Dervishaj informoi se janë ndërmarrë operacione masive në 5 qarqe të vendit për goditjen e grupeve kriminale.

10 grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, janë duke operuar në qytetet e Vlorës, Durrësit, Dibrës, Lezhës, Fierit dhe Elbasanit ndërkohë që kontrollet janë ushtruar në akse rrugore, lokale apo ambjente të ndryshme në bazë të informacioneve që disponojnë strukturat vendore të policisë, për mundësinë e zhvillimit të aktivitetit kriminal.

Bëhet me dije se janë arrestuar 5 persona për armëmbajtje pa leje, drogë dhe të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në Dibër, u arrestua shtetasi Eduart Havalja, 40 vjeç, banues në fshatin Cërujë-Klos. Arrestimi i tij u bë pasi në banesë i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 automatik kallashnikov me krëhër, 1 pistoletë tip ‘Beret’, 1 thikë, 3 granata offensive dhe 2 kaseta metalike me rreth 1000 fishekë.

Në Lezhë, u sekuestruan 1 armë zjarri dhe 4 kg lëndë narkotike Cannabis Sattiva, si dhe u arrestuan në flagrancë 2 poseduesit e tyre.

U arrestua, Emiliano Arapi 18 vjeç, banues në Mirditë pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet në banesën e tij, iu gjetën dhe sekuestruan 4 kg lëndë narkotike Cannabis Sattiva e paketuar në qese dhe e futur në një thes sintetik. U arrestua, Rafael Lazri 24 vjeç, banues në Troshan, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar në një lokal iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri ‘Glock’ me 27 fishekë si dhe disa doza lëndë bimore e llojit Cannabis Sattiva.

Në Shijak, në një lokal bastesh sportive të marrë me qira nga shtetasi Selman Krasniqi, u kap dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatike, tip “Scorpion”, kalibër 7.65 mm dhe 1 krehër me 20 fishekë kalibër 7.65 mm.Shtetasi Selman Krasniqi në momentin që Policia po hynte për kontroll në lokalin e marrë me qira prej tij, ka tentuar të largohet pasi ka hedhur armën e zjarrit, por është ndaluar dhe arrestuar nga forcat e policisë.

Gjithashtu nga shërbimet e Policisë Kufitare Muriqan në  Shkodër, është bërë arrestimi me qëllim ekstradimi i shtetasit Arben Elezaj, 45 vjeç, banues në Kodër Kamzë, Tiranë. Ai rezulton person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Catanzaro/Itali, ka lëshuar urdhërin e arrestit ndërkombëtar dhe ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni”, “Krime ndaj të miturve” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”.  /f.ç/

Foto: Google

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: