Gjama e burrit dhe piskama e shoqërisë

Gjama e burrit dhe piskama e shoqërisë
Nga Juela Meçani

Nuk është se u vë shumë rëndësi komenteve të njerëzve nëpër rrjetet sociale, mbi ngjarjet e ditës, rozë ose jo. Por u ndala në një moment tek lajmet mbi lotët e një mjeshtri koreograf, kur pa dashurinë e tij të madhe në një video-përshëndetje. Sot ajo dashuri ka ndërruar kahje dhe çifti kanë mbetur miq. Lot të nxehtë emocioni rrodhën nga sytë me botë të një djali që ka dy dekada mes së bukurës. E ja ku u sulën “burrat” e këtij vendi “burrëror” me komente ironike ose dhe tallëse mbi lotët shpirtërorë të tij. Aq shumë u bëri përshtypje kjo shprehje publike dhimbjeje ose emocioni, sa që ngjarja u bë virale.

Ah, po, burri nuk duhet të derdhë lot. Mendohet rëndom se burri është i rëndë, i pandjeshëm, i pa zoti që t’i përçojë jashtë ndjenjat. Po kush e thotë këtë? Kush janë ata burra që nuk paskan derdhur lot asnjëherë në jetë? Të frikshëm duhet të jenë, e në fakt janë, sepse jo më kot jetojmë në një vend ku thuajse çdo ditë një grua hidhet nga kati i lartë i një pallati nga një burrë, vritet me plumba në kokë, me sqepar ose hanxhar, për një fjalë, për një grindje, për një pasiguri burri trim e sypatrembur.

Vetëvlerësim i rremë ky i këtyre burrave që nuk lotojnë kurrë? E vërtetë është, mendoj, që nuk është e lehtë për një burrë, të tregojë ndjenjat dukshëm, sepse që të vegjël u mësohet se, kur vriten, nuk duhet të qajnë se janë djem, që të përqafosh një mik nuk është mirë, se janë djem. Aq shumë janë nën presion që të mbajnë ndjenjat burrat me opingë në tru të këtij vendi, sa që ndërtojnë një skafandër nën të cilën fshehin pasiguritë e tyre, krijojnë distanca nga dhimbja, a thua se asgjë nuk i prek. E ja ku mbushen plot klubet me alkool e avuj tallavaje, ruletët dhe makinetat luajnë fatin e burrave të fortë, të mësuar me dogmën se nuk duhet të qajnë kur u dhemb shpirti. Por shpirti diku duhet të shpërthejë, apo jo?

Por, në fakt, një burrë që derdh lot, ka arritur një formë maturie që e mbron më fort se çdo skafandër. Është një njeri i zoti të marrë vendime delikate, pa luhatje, e do të jetë gjithmonë një shpatull e sigurt për një mik në një moment nevoje. Sipas të gjitha gjasave, ashtu siç është i sigurt se, duke derdhur lot nuk vë në diskutim në asnjë moment vetëvlerësimin, ashtu dhe nxjerrja jashtë e dhimbjes dhe gëzimit është nga aktet më të shëndetshme të një njeriu në jetën e tij. Një proverb kinez që dëgjova diku thotë se “duhet të ruhesh nga burri që nuk flet dhe qeni që nuk leh”...e duke u nisur nga mllefi që lexova mbi lotët e artistit të njohur, do mendoja se në fakt duhet të ruhesh nga burri që nuk derdh kurrë lot e tallet me lotët e tjetrit. I është këputur filli diku gjatë rrugës dhe zor se arrin të ndërtojë një jetë të vetën me emocione. Ndaj gjama e burrit, vlerë e madhe burrërie dikur, është piskama e një shoqërie që siç falsifikohen pasaportat, ka falsifikuar shpirtin nën petkun e një burrërie të sëmurë që fatkeqësisht po e kalojmë brez pas brezi.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: