HAPËSIRA SHQIPTARE SI MINIATURË E BOTËS, - OPINION NGA ALFRED PEZA

HAPËSIRA SHQIPTARE SI MINIATURË E BOTËS, - OPINION NGA ALFRED PEZA
Nga  Alfred Peza

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Zgjedhjet e djeshme lokale në Kosovë, procesi i para një jave në Maqedoni dhe zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, e bëjnë botën shqiptare në Ballkan, të duket si një epruvetë ku po eksperimentohen të gjitha zhvillimet e sotme globale. Gjen në këtë botën tonë të vogël, pothuajse të gjitha rrymat dhe tendencat e botës së madhe, gjithandej rreth e qark e në çdo kënd tjetër të globit. Një tregues i faktit ky, se ende nuk jemi thjesht dhe vetëm një cep i trazuar e problematik i të kaluarës së largët. Por ende jemi larg edhe dëshirës sonë, për të qenë ajo qoshja jonë e rehatshme e së ardhmes.

Në këto ditë të vjeshtës së dytë të vitit 2017, gjen në botën shqiptare në rajon, edhe zhvillime demokratike, edhe tendenca antidemokratike. Edhe politikë të drejtë, edhe drejtësi politike. Edhe moderacion, edhe ekstremizëm. Edhe mendësi moderne europiane, edhe sjellje neotomane. Edhe rregulla loje, edhe lojëra ciklike. Edhe shtet ligjor, edhe ligje që interpretohen për t’i shërbyer "maliqëve". Edhe qetësi, edhe tension. Edhe grupe të tëra shoqërore që merren me punët dhe që shohin jetën e vet, edhe elita që kacafyten për të rrëzuar tjetrën. E, në fund të fundit, kemi shoqëri që funksionojnë, pavarësisht rrymave që përplasen dhe zhurmave që bëhen. Shenjë e qartë se, sistemi është kristalizuar e po funksionon, duke e bërë edhe këtë botën tonë të vogël, të ndjekë ritmin e të ecë sinkron me botën e madhe.

Le t’i marrim me radhë këto mikrobotë shqiptare, për të kuptuar më mirë epruvetën tonë, e për të parë më qartë se ku po shkojmë.

 

Së pari, zgjedhjet lokale në Maqedoni, më shumë sesa për qytetarët shqiptarë atje, kishin rëndësi për gjithë vendin. Më shumë sesa një betejë për të fituar një komunë më tepër, ndër 80 + qytetin e Shkupit, ajo ishte votë pro ose kundër gruevizmit. Një teori, por, mbi të gjitha, një praktikë e një lloji të tejkaluar sjelljeje demokratike në Ballkan. Një model politik që e afronte këtë vend më shumë me demokracitë e ish-republikave sovjetike, asaj ruse, por edhe demokraturave aziatike, sesa kahut të zhvillimeve që të çojnë drejt rrjedhave të reja të demokracisë europiano-perëndimore.

Ky model ka dishepujt e vet çuditërisht, edhe në botën shqiptare në Ballkan, - si në Maqedoni, ashtu edhe në Kosovë, madje edhe në Shqipëri. Ndaj, fitorja e Zaevit atje dhe e partive të tjera të krahut reformator, që janë pjesë përgjithësisht edhe e koalicionit të qeverisjes qendrore në Shkup, ishte një fitore për progresin e progresistët edhe në pjesët e tjera të Ballkanit.

Faktori politik shqiptar realizoi një ushtrim tjetër të dobishëm demokracie. Duke përfituar më shumë përvojë në lojën plurale të partive shqiptare e mes nacionaliteteve të ndryshme, duke e bërë më interesante hapësirën e lirisë për t’u zgjedhur e për të zgjedhur. Tensionet që e shoqëruan procesin në terren javën e fundit, megjithëse tek-tuk edhe me sjellje të papranueshme, gjithsesi nuk dolën jashtë një kornize të caktuar për "normalitetin" e demokracive ballkanike.

 

Së dyti, procesi i zgjedhjeve për pushtetin lokal në Kosovë, erdhi vetëm pak kohë pasi partitë parlamentare në Prishtinë, ia dolën me shumë mund, që pas shumë e shumë ditësh nga përfundimi i zgjedhjeve të përgjithshme, të krijonin qeverinë e re të kryeministrit, Ramush Haradinaj. Nëse ka një vend e një moment që i shkojnë vargjet, "nga zgjedhjet vijmë/ në zgjedhje shkojmë", ajo është Kosova, e cila me tensionin rreth proceseve elektorale, krizave qeverisëse, krizave të koalicioneve të partive politike para e paszgjedhore, duket si një shtet që pothuajse jeton në gjendje fushate permanente elektorale.

Gjithsesi, të pamësuar ende me ndarjen e qartë të pushteteve, mes atij qendror e lokal, në Kosovë vijohet që zgjedhjet për krerët e rinj të komunave dhe institucioneve të tjera të administrimit, të shihen dukshëm si më të parëndësishme se proceset për zgjedhjet e përgjithshme politike, për Parlamentin dhe qeverinë e re. Është një qasje që duket normale me shtetet dhe shoqëritë ende të pamësuara me sistemin plural dhe atë demokratik. Shteti i Kosovës është shumë i ri dhe shpejt zgjedhjet lokale do të kuptohet që janë shumë të rëndësishme, jo vetëm se dhe vetë politika është lokale, për aq kohë sa hamendësohet që i shërben njerëzve me punë, më së shumti komunale e vendore. Por edhe në Shqipëri, me një traditë gati njëshekullore shtetërore, vetëm pasi në garën për kreun e bashkisë së Tiranës u fut në lojë Edi Rama e më pas Lulzim Basha, që sot janë dy liderët kryesorë të politikës së madhe kombëtare në shumicë dhe opozitë, u kuptua rëndësia reale e të qenit kryetar bashkie apo komune.

Zhvillimet e procesit elektoral në terren, kanë treguar të paktën nga raportimet e mediave kosovare, se procesi ka qenë shumë më i qetë se në të kaluarën, çka tregon se pas çdo palë votimesh, kultura elektorale po zhvillohet gradualisht, duke bërë që e diela e votimeve të mos shihet si dikur, si një moment ndeshje mes bajlozësh, apo si një shesh dyluftimesh për jetë a vdekje.

 

Së treti, java ka qenë shumë intensive në Shqipëri, në një përplasje palësh për atë që quhet çështja "Tahiri". Ish-ministri i Brendshëm socialist ishte pjesë e një skenari të një filmi të njohur tashmë në Tiranë, sa herë që kërkohet një kurban i ri politik, me ndihmën e palëve politike e ku me apo pa dashje, jashtë loje, nuk qëndrojnë edhe institucionet e drejtësisë. Edhe në këtë rast, për shkak të debatit politik, mediatik dhe publik, ato u dukën si vazhdim i politikës me mjete të tjera. Duke krijuar një amalgamë ku një qytetar i zakonshëm dhe indiferent, e ka shumë të vështirë të kuptojë qartë kufirin mes politikës, të drejtës, drejtësisë, pafajësisë, lojës, intrigës dhe përdorimit për nevojat e konsumit të ditës, nga njëra apo tjetra palë.

Gjithsesi, pavarësisht kësaj loje force, kësaj prove gjenerale të palëve rreshtuar dukshëm në dy kampe, pavarësisht se i përkasin tre pushteteve që hamendësohen teorikisht si të ndryshme, një gjë është e qartë. Këto janë lojëra "normale" në një demokraci që pritet të përfshihet, pas pak ditësh praktikisht e konkretisht, nga efektet e para të një reforme më shumë se të thellë në drejtësi. Është frika ajo që i bënë djajtë të hidhen në krahët e njëri- tjetrit, e që i bën bashkë për të përballuar efektet e asaj që vjen nga ana tjetër.

Java që sapo kemi hyrë, do të jetë shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe për rrjedhat e zhvillimeve të ardhshme, qoftë në planin afatshkurtër, qoftë në atë afatmesëm. Kjo nuk ka lidhje thjeshtë më votimin në seancën e Parlamentit të mërkurën, të kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për t’i hapur rrugë arrestimit të mundshëm të Saimir Tahirit. Fundi i kësaj historie, tashmë është qartësuar, për aq kohë sa PS-ja që ka shumicën në atë sallë, është shprehur kundër kësaj kërkese. Më e rëndësishme sesa kjo, është sjellja e palëve, pasi e gjithë kjo lojë të përfundojë, e ku secila të ulet në qoshen e vet, për të lëpirë plagët e për të bërë bilancin e asaj çfarë ndodhi.

 

Ajo çfarë po ndodh këto kohë në botën shqiptare në Ballkan, qoftë kjo në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri e kudo tjetër ku jetojnë shqiptarët në trojet e tyre, nuk është gjë tjetër, veçse miniatura e asaj çfarë ndodh me të gjithë popujt, kombet, shtetet dhe rajonet e tjera të botës sonë sot. E rëndësishme është që në gjithë këtë qasje, rezultantja e tendencës së këtyre zhvillimeve, të jetë në kahun pozitiv. Shenjë e qartë që jemi qytetarë normalë, të një bote me zhvillime e tendenca anormale, e cila pavarësisht temperaturave të pjesshme, vazhdon të ndjekë trajektoren e vet konstante të zhvillimeve historike. Nuk jemi thjesht shqiptarë, por edhe qytetarë të kësaj bote të trazuar.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: