HIPOKRIZIA E LUFTËS NDAJ KRIMIT- OPINION NGA PLATOR NESTURI

HIPOKRIZIA E LUFTËS NDAJ KRIMIT- OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga PLATOR NESTURI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Debati kryesor që ka marrë vëmendjen më të madhe kohët e fundit, - si në botën mediatike ashtu dhe në debatet politike në Kuvend e më gjerë, - ka qenë ai mbi krimin në vend. Jo thjesht si një çështje e rendit publik dhe mbarëvajtje e jetës normale qytetare që respekton ligjin, por për krimin që tashmë është i lidhur ngushtë me politikën, që përdoret prej tij dhe që vetë politika i lehtëson aktivitetin kriminal, si kompensim mbështetjeje në fushatë elektorale. Gjithçka nisi me një video në Elbasan, pasqyruar nga media, ku vihet në dyshim autoriteti i policisë si i pafuqishëm, përballë të fortëve të zonës. Ndërkohë, në gjithë vendin, kemi patur një shtim të rasteve të përdorimit të armëve të zjarrit, atentate me profil mafioz e ordiner, të vdekur e të plagosur. E gjithë kjo situatë, krijon një gjendje të rritjes së pasigurisë së qytetarit në rrugë e mjedise publike.

Në këtë reagim që, më së shumti, ka qenë vetë opinioni publik i cili ka reaguar, iu bashkua dhe opozita, duke bërë akuza direkte nga tribuna e parlamentit. Natyrisht, mirë bën dhe ku ka shfaqje të shkeljes, abuzivizmit dhe rrënim të autoritetit të shtetit, duhet të reagojnë të gjithë. Por e gjitha kjo, të duket si reagim frikacakësh.

Krimi dhe bota rreth tij, nuk u shpik apo u shfaq sot. Ajo aty ka qenë dhe aktiviteti i saj, nuk njeh ngjyra partiake, por realizim fitimi të shpejtë. Dhe ndërsa komentet e ambasadorit amerikan apo të ndonjë institucioni tjetër ndërkombëtar, flasin për rritje të rrezikshmërisë së krimit ne vend, - se ka katër klane mafioze e 20 familje në botën e krimit, - kjo dëshmon se ky realitet është përftuar pas një periudhe relativisht të gjatë, ku të gjitha palët politike, ose kanë mbyllur sytë, ose i kanë përdorur, herë pas here, në luftën e tyre ndaj kundërshtarëve politikë. Lidhja me krimin dhe përdorja e tij, pra, nuk ka një krah të përcaktuar. Me krimin është bërë pis e gjithë klasa politike e  cila, për shërbimet që ka marrë, ka mbyllur sytë ndaj aktiviteteve kriminale që kanë sjellë pasurimin dhe fuqizimin e këtyre klaneve apo familjeve.

Është hipokrite që, vetë opozita, merr si shembull të rritjes së krimit dhe të lidhjeve me politikën, arrogancën e ndonjë të forti apo gangsteri lokal, ndaj uniformave të policisë. Ta tkurrësh gjithë problemin në muhabete të fortësh rrugësh, atëherë ose do të mbyllësh sytë përpara problemit, ose ta minimizosh atë për të shpëtuar kokat e rëndësishme. Forca e krimit nuk varet nga sjelljet në rrugë ndaj policit, por nga fuqia ekonomike që arrin të grumbullojë. Kapot nuk bëjnë skena rrugësh, por bëjnë marrëveshje për të investuar sërish paratë, në tryeza të shtrenjta, ku jo rrallë gjenden politikanë nga të dy krahët. Krimi e korrupsioni është shndërruar në një binom bashkë ekzistence e nëse duhet goditur njëri, atëherë i ke në shënjestër të dyja këto fenomene, për të cilat të gjitha institucionet europiane na rekomandojnë t’i luftojmë me forcë: Kriminalitetin dhe korrupsionin. Ndaj dhe qasja që i bën vetë opozita problemit të rritjes së kriminalitetit, duket apatik dhe jo  i sinqertë. Duke u marrë me krimin e rrugës, por jo me thelbin e problemit, të duket sikur do të hapë dhe vetë një shteg për bashkëpunim, - kur vetë bota e krimit do ta shikojë se, balancat e pushtetit mund të ofrohen drejt opozitës së sotme. Në këtë rast, vetë krimi afrohet për bashkëpunim.

Vite më parë, shkrirja e strukturës së task forcës në Prokurorinë e Tiranës, u kritikua rëndë nga ambasada amerikane dhe ato të BE-së. Jo thjesht se, për prokurorët e gjykatësit në fjalë, ishin harxhuar fonde për specializimin e tyre, fonde të cilat rezultuan se vajtën dëm, por dhe për faktin se, si strukturë e specializuar, po operonte kryesisht në krimin ekonomik. Dhe ku është krimi ekonomik, ndodhet vetë krimi i rrugës, i trafiqeve, i korrupsionit dhe më gjerë. E gjithë klasa politike, heshti në atë rast. Dhe të djathtët, sot në opozitë, e cilësuan si diçka të tepërt e të pavlefshme. Ndërsa sot, na duhen dëshpërimisht, masa ekstreme për të shpëtuar nga molepsja e gjerë. Vetingu është veç një pjesë për të filluar dhe SPAK-u një vijimësi. Pasi nuk duhet të harrojmë që krimi u ngjit në parlament, porse ende e kemi të instaluar fort në ekonomi, në ndërtim e në çdo sektor. Ka shumë për të bërë, por, gjithsesi, ai nuk mund të luftohet pa një vullnet politik të përgjithshëm, ku krimi nuk është pjesë e vetëm njërës palë. Ajo ka qenë e të gjithëve bashkë. Nëse nuk bëhet vetëpastrim e një marrëveshje reale, për ta luftuar si fenomen, është e kotë të besojmë se do të ngjasë. Më së shumti, do të komentojmë vetëm gangsterët e rrugës.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: