INSTITUCIONET, SI BASHKËFAJTORE NË KRIM – OPINION NGA PLATOR NESTURI

INSTITUCIONET, SI BASHKËFAJTORE NË KRIM – OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Votimi në Parlament se deri në çfarë mase do të lejohej Prokuroria e Krimeve të Rënda të operonte me hetimin për ish-ministrin Tahiri, tashmë ka stimuluar një betejë tjetër. Më tepër sesa për vlerat e hetimit dhe hapja e rrugës për organin e akuzës për të vijuar në çështjen që u bë aq e bujshme nga përgjimet italiane, politika e ka shndërruar në cassus-in e betejës politike. Tashmë në çdo ekran media, kemi përballje të përfaqësuesve të shumicës dhe opozitës që vijojnë të debatojnë pa pushim. Duke interpretuar ligje, referime të së shkuarës dhe mësime morali, ku pis është veç kundërshtari. Beteja vijon dhe çuditërisht, ky nuk quhet kazan i pavlerë ku ziejnë lëveret e ndotura të politikës në këto 27 vjet. Ajo çfarë nuk dihet është, nëse vetë hetimi vijon me seriozitet apo dhe ky rast do të vijojë në kalvarin e stërlodhur të zgjatjes  hetimore, sa të mbarojë dhe ky mandat që ka nisur.

Ishte vetë prokuroria që me ndërhyrjen e saj, plot komente politike, e dëmtoi veten dhe hetimin, duke dëshmuar se dhe ajo është pjesë e këtij sistemi të kalbur që pretendon se po e heton për ta dënuar. Dhe nuk është vetëm prokuroria e tillë. Nga një deklaratë e Kontrollit të Lartë të Shtetit, jepen shifra të frikshme se, nga vetë administrata publike janë shpërdoruar qindra milionë euro në këto dy vite, çuditërisht ky lajm kaloi pa ndonjë bujë të madh mediatike. Madje, dhe opozita vetë nuk iu referua shumë këtyre shifrave në përballjet e përjavshme që bën në Parlament. Në çdo vend tjetër, kjo do të ishte tema kryesore, se si shpërdorohen paratë e taksapaguesve nga ata të cilët janë zgjedhur për t’i administruar këto para. Por siç duket, ky është një realitet aq i njohur tashmë, si për mediat, si për qytetarët, ashtu dhe për opozitën (pasi kështu ka vepruar dhe vetë kur ka qenë në pushtet), saqë jo vetëm nuk përbën lajm, por është thuajse normalitet. Gjithsesi, vetë Kontrolli i Lartë i Shtetit duket se pas deklaratës me shifra abuzimi, e quan të larë veten, pas deklarimit të dhënë. Ky është konkluzioni, por se kush ka përgjegjësi dhe kush do ta paguajë këtë mal me pará që, sigurisht, kanë hyrë në xhepat e tjetër kujt, kjo mbetet jetim.

Vijojmë më tej me Agjencinë e Deklarimit të Pasurisë dhe ajo e pastrimit të Parave. Para disa kohësh, u deklarua se ishin sekuestruar 40 milionë euro pasuri, që rridhnin nga aktivitete kriminale dhe të pastrimit të parave. Dhe kjo referuar me rastet e hetimeve dhe dhënies së gjykimit për elemente me precedentë kriminalë, ku shumë prej tyre nuk ishin hetuar apo gjykuar në Shqipëri, por ne vende të tjera të BE-së, nga ku kishin ardhur kërkesat për ekstradim apo për kontroll të pasurive që kishin vënë, nëpërmjet aktiviteteve të paligjshme.

Ndërkohë, kemi një heshtje të madhe për pasuritë e politikanëve, deputetëve dhe drejtuesve shtetërorë, të cilat duhet t’i marrë në shqyrtim çdo vit, Deklarimi i Pasurive. Ndërsa në media, nga nisja e procesit të vetingut, kanë dalë probleme për shumë prokurorë e gjykatës, se nuk arrijnë të vërtetojnë si kanë arritur të grumbullojnë shifra marramendëse në banka apo se si kanë në pronësi, shtëpi e prona të paluajtshme, - në gjithë këto vite, nuk kemi dëgjuar të ketë problem të ngjashëm, asnjë politikan apo zyrtar i lartë. A kanë funksionuar këto institucione që duhet të jenë gardianë të pastërtisë së figurës së deputetit apo të zyrtarit? Deri më tani, duket se gjithkush prej tyre është i pastër, në kundërshtim me perceptimin e përgjithshëm qytetar, se korrupsioni është në nivele të larta e madje galopante.

Në këto kushte, duket panoramë e zymtë se si mund të hetohet një abuzim, një rast korrupsioni, një trafik i paligjshëm ku përfshihen dhe zyrtarë dhe policë. Të gjitha institucionet që duhet të merren me këtë punë, janë ose anemike ose më keq akoma, të pa interesuara për të kryer funksionet që iu ka ngarkuar ligji dhe që kanë për detyrë të kryejnë. Dhe këtu nuk është çështje paaftësie. Pak kush mund të besojë se një çështje denoncimi për korrupsion nga një institucion, vjen i mangët. Pak kush mund të besojë se dhe një dosje nga ana e prokurorit për të hetuar këto çështje është me të meta, prej paaftësisë së tij. Shpesh, të bësh të paaftin është një mënyrë për të prishur me qëllim atë që në fakt e ke për detyrë ta bësh. Dhe kjo është bashkëpjesëmarrje në krim.

Ndaj dhe politika thjesht debaton dhe mbush ekranet. Se ajo e di, institucionet janë të mekura e të paafta për të shkulur të keqen. Pasi nëse do të kish rezultat puna e institucioneve, nuk do të fliste demagogjia, por thjesht ligji.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: