Ismet Bellova: Me Enverin jam takuar dy herë, Adil Çarçani më nxori jashtë shtetit

Ismet Bellova: Me Enverin  jam takuar dy herë, Adil  Çarçani më nxori jashtë shtetit
INTERVISTA/ Flet "Mjeshtri i Madh" i sportit: Me mikrofon, nga 29 nëntori 1950 deri më 28 nëntor të vitit 2012... Pra, 62 vjet dhe një ditë!

 

Plot 62 vjet para mikrofonit, duke transmetuar ndeshjet sportive. Pas Anton Mazrekut, profesor Ismet Bellova ka hyrë i dyti në historinë shqiptare të transmetimit radiofonik të ndeshjeve tona të futbollit. Duke mbetur, në këtë mënyrë, idhulli i  të gjithëve në transmetimet e ndeshjeve....

 

 Intervistoi për “Albanian

Free Press”: Albert Z. ZHOLI

 

Si ishte profesor Ismeti fëmijë; sa i lidhur ishit me sportin dhe dëgjimin e transmetimit të ndeshjeve të ndryshme sportive? Si vazhdoi dashuria për të dhe transmetimin e tyre?

Fëmijëria ime lidhet tërësisht me sportin. Ishin vitet kur Shqipëria po ndërtohej nga lufta dhe nuk kishte terrene sportive si sot, as materiale sportive. Ishte varfëri, por kishim ëndrra dhe dëshira sportive. Fillimisht, luaja futboll me shokët e lagjes, por edhe volejboll, basketboll etj., - të gjitha këto në rrugicat e lagjes, ku këmbët na bëheshin copë. 7-vjeçaren e kam bërë në shkollën "Hasan Prishtina". Kur mbusha 10 vjeç, duke parë cilësitë fizike, energjitë dhe dashurinë e madhe që kisha për sportin në tërësi, mësuesit më tërhoqën në rrethet sportive të shtëpisë së pionierit. Këtu duhet të veçoj një njeri të mirë, të shkëlqyer, që ka lënë gjurmë në ecurinë e jetës sime. Ky ishte  i paharruari, Petrit Caslli, i cili më nxiti në disa disiplina sporti si, në gara atletike, pingpong, gjithmonë duke i dhënë përparësi  futbollit, por edhe basketbollit e volejbollit. Të gjithë më nxisnin të vazhdoja shkollën e mesme të Fizkulturës "Vojo Kushi", - nxitësi kryesor ishte futbollisti i shquar i Kombëtares, Zyber Lisi (Fagu) dhe Enver Maçi, njerëz të mirë dhe miq familjarë. Në shkollë fillova të preferoj futbollin, volejbollin, basketbollin, madje edhe hendbollin. Këtu dua të ndalem në volejboll, pasi kam luajtur me të mëdhenjtë, Vangjel Koja, Pëllumb Pelivani e Andon Kona. Ata ishin mjeshtra në këtë sport. Sado që u përpoqa, nuk arrita në lartësinë e tyre. Ndaj u detyrova ta lija këtë sport. Pra, nuk u bëra sportist i niveleve të larta, me gjithë dëshirën e madhe dhe aktivizimin në disa sporte. Fati im ishte shënuar gjetiu...

Ishte shënuar të realizoheshe si komentator. Kur dhe si u njohët me të madhin, Anton Mazreku? Si nisi historia, në çfarë moshe e kape mikrofonin?

Fati e solli që, me të madhin dhe të paarritshmin, Anton Mazreku, të njihesha në shkollën e Mesme të Fizkulturës, "Vojo Kushi". Ishte mësuesi dhe njeriu që ndikoi shumë në jetën time. Anton Mazreku ishte ylli i emisioneve sportive, mësues gjeografie në Institut, por kishte për zemër mikrofonin dhe është themeluesi i radiotransmetimit të futbollit shqiptar. Ai kishte zë magjik dhe një mirësi të rrallë. Krahas kësaj, ndihmë e madhe ishte se shkolla me stadiumin ishin fare pranë. Kjo më favorizonte të isha pranë profesorit tim, gjatë kësaj periudhe shkollore, - ishte koha e pozicionimit tim në ëndrrën e jetës. Sa herë dëgjoja Mazrekun, mendoja që, një ditë, të isha dhe unë si ai. Kur ishin aksionet e rinisë, kur shkonim nëpër hekurudha, nëpër orët e lira,  shokët më kurdisnin të bëja transmetime të atypëratyshme. Koha punoi për mua. Sa herë futesha me profesorin në kabinën e transmetimit, kisha emocione të papara, madje dridhesha, por Mazreku dinte të sillej dhe t’i hiqte emocionet. Ai më sqaronte gjithçka, - si duhej të flisja, sa larg mikrofonit duhej të rrija, si duhej të ndiqja ndeshjet, shënimet që duhej të mbaja, më thoshte të kisha kujdes për numrat e lojtarëve dhe emrat e tyre. Çdo ndeshje ishte një leksion. Një ditë, kur nuk e prisja, më afroi mikrofonin dhe me zë të avashtë më tha, “vazhdo...”. Disa sekonda mbeta pa fjalë, por e kapa veten e fillova transmetimin. Atë ditë luhej një ndeshje e madhe, Dinamo-Partizani, ndeshje finale për Kupën e Republikës. Interesi ishte i madh. Ishte edhe një ditë feste që ma bënte më të bukur ndeshjen dhe transmetimin. Ishte 29 Nëntor i vitit 1950. Kjo ndeshje, mes rivalëve të mëdhenj, u mbyll me fitoren e dinamovitëve, 1-0. Në këtë ndeshje mund të them se, Mazreku më la të transmetoja rreth 10 minuta. Ishte dita më e bukur e jetës sime! Ishte fillimi i realizimit të një ëndrre të madhe. Kisha hedhur hapin e parë. Mazreku, në fund, më lëvdoi. U ndjeva mirë. Më tha se isha mrekulli! Unë e kundërshtova, por ai u entuziazmua shumë. Në Komitetin Sportiv, pas ndeshjes, kishte thënë që e gjeta pasardhësin. Dua të theksoj se, atë ditë, isha vetëm 16 vjeç, djalë i ri, mustaqe padirsur. Dhoma e transmetimit m’u duk si një kullë e fildishtë. Kjo ishte dita e parë, ndërsa e fundit ishte në ditën e shënuar të 100-vjetorit të Pavarësisë. Në këtë ditë, po të shënuar, mbusha 62 vjet që jam në mikrofon. E fillova më 29 nëntor 1950, dhe e lashë mikrofonin më 28 nëntor të vitit 2012, - me mikrofon, 62 vjet dhe një ditë.

Pas kësaj dite, ju nuk u shkëputët nga mikrofoni, asnjë çast. Si i vazhduat lidhjet me Mazrekun e famshëm?

Ah! Jo! Nuk vazhdoi kështu, pasi me mbarimin e shkollës u emërova përgjegjës i sporteve në qarkun e  Dibrës. Kjo ndoshta ngaqë jam dibran me origjinë, por lindur e rritur në Tiranë dhe kisha vështirësi në zanatin tim. Kjo bëri që të shkëputesha nga transmetimi. Në Dibër bëra një punë të mrekullueshme për  kohën, me të gjitha llojet e sporteve. Në vendin e origjinës, ndenja afro dy vjet (1953-1954). Por edhe këtu nuk u ndala, pasi me mikrofonin vazhdoja me “korrespondencë” ku, sa herë vija në Tiranë për punë të ndryshme, patjetër që do të shkoja në Radio të transmetoja me Mazrekun, - aty ku e kisha derën e hapur. Më vonë shkova për të kryer shërbimin ushtarak. Pas tij, erdha në klubin “Partizani” si trajner për atletikën dhe më pas si kryetrajner. Njëkohësisht, jepja mësim edhe në shkollën “Skënderbej”, 30 orë mësim. Tashmë isha në Tiranë dhe lidhjet me Mazrekun vazhduan më të forta. E kisha idhull. Profesori im i mirë, njeriu më i dashur i sportdashësve shqiptarë, ndërroi jetë në  moshën 69-vjeçare. E mbaj mend shumë mirë atë ditë, pasi kam qenë në  Shkodër me shërbim, për të shoqëruar dy trajnerë kinezë që do të punonin në Shkodër. Kurrë nuk e besoja dhe sot, nuk do ta besojë askush se kanë ardhur e më kanë marrë me helikopter për në Tiranë, për të marrë pjesë në varrimin e tij. Në ceremoninë e varrimit  ka  folur ministrja e atëhershme e Arsimit, Tefta Cami. Iu bë një vlerësim i madh. Mbetet legjendë, i paarritshëm!

 

 

Fillimet e transmetimeve si përkojnë, a bëheshin që në vitet 1950 transmetime nga rrethet?

Fillimet ishin tepër të vështira. Teknika nuk ishte shumë moderne. Mjetet e transportit nuk janë si sot. Çdo gjë bëhej me vështirësi. Në fillimet tona,  kishim vetëm një transmetim nga Tirana. Por kishte raste të rralla kur  shkonim në Shkodër, Kavajë, Durrës, Elbasan dhe shumë rrallë në Korçë. Në Tiranë, të shtunë dhe të diel, kishte ndeshje, të cilat transmetoheshin rregullisht. Në Tiranë ishin skuadrat e mëdha si Partizani, Dinamo, Tirana, Spartaku, Kombinati. Të  gjitha këto ishin  pjesëmarrëse të kategorisë së parë. Pastaj, më vonë, erdhi Shkëndija. Ishte ngarkesë e madhe, 90 minuta  lojë. Unë me Mazrekun  harmonizoheshim me njëri-tjetrin. Rastiste që kishte ndeshje edhe në mesjavë dhe na takonte të transmetonim të mërkurave, të enjteve, të shtunave dhe  të dielave.

 

A i ke takuar ndonjëherë ish-udhëheqësit e kohës? Si do t’i komentoje takimet me ta? Me cilët ke pasur më shumë takime?

Puna ime ishte e tillë që të kisha lidhje me të gjitha kategoritë e njerëzve. Padyshim, lidhja me ish-udhëheqësit nuk mund të shmangej. Kam takuar disa nga ish-udhëheqësit e sistemit komunist. Udhëheqësin kryesor, Enver Hoxhën, e kam takuar në një kongres të Rinisë, ku ne kishim shkuar nga sporti tre vetë: Refik Resmja, një atlete fierake që e kisha në klasë, Sofia Meçe -Mjeshtre e Sportit, dhe unë si një nxënës i shkëlqyer i shkollës. Për herë të dytë, e kam takuar në vitin 1959 në Teatrin Kombëtar, ku mbahej një konferencë e bashkimit të fizkulturistëve dhe sportistëve  të  Shqipërisë. Nuk folëm, vetëm rrokëm duart. Dua të bëj me dije se, Enveri nuk ishte dashamirës i sportit dhe, për këtë arsye, vinte rrallë,  shumë rrallë, në aktivitetet sportive. Por shumë i lidhur dhe i dashur me sportin e sportistët ka qenë Adil Çarçani. Një dashamirës, por që edhe mua më vlerësonte. Madje, njëherë, i kam qarë dhe një hall në zyrën e tij, ku i them se përse të mos dilja si më parë për të pasqyruar sportin shqiptar. Qysh në atë sekondë, mori në telefon ministrin për shqetësimin. Ministri e sqaroi se pengesë ishte Komiteti i Partisë në Tiranë. Pas atij momenti, çdo gjë u zgjidh. Fillova të dal sërish jashtë.

 

Disa mbresa nga libri, “Portierë  të mëdhenj”?

Mbetet një libër i bukur për mua, - një libër që më dha shumë kënaqësi. Madje, dua të them, se këtë libër e bëra i shtyrë nga ish-pronari i shtypshkronjës (Edlors), i ndjeri Bajram Haxhia. Ky njeri i rrallë, dashamirës i sportit, kishte mik portierin e madh, Perlat Musta. Me këmbënguljen e tij iu futa punës për të bërë një libër kushtuar Perlat Mustës, pasi ai m’u lut ta bëja. Kur fillova punën, iu luta që, krahas Perlatit, në libër të fusnim edhe Qemal Voglin, një portier i madh ky i lënë në heshtje, pasi sistemi i kaluar i kishte vjedhur rininë dhe ne i kishim borxhe atij njeriu. Qemali, një portier i madh, ishte burgosur vitet më të bukura të jetës, regjimi i kishte burgosur  talentin. Ndaj duke shkruar për Mustën dëshiroja që njëkohësisht të nxirrja në pah edhe rolin e madh të portierëve në lojën e futbollit. Kështu ramë dakord me Bajramin dhe kështu i hyra  një pune plot labirinte ku mezi dola. Mendoja t’i jap lexuesit edhe një kuriozitet, se  ç’është loja e portierit dhe si ka lindur loja e tij, si ka  evoluar dhe si kanë qenë rregullat e  para dhe si janë përpunuar ato.  M’u desh disa kohë që ta realizoja, aq sa nuk e kisha parashikuar. Por m’u hap oreksi. Pse të mos shkruaja dhe dy fjalë për portierët më të mirë të botës, pse jo edhe të atyre shqiptar në vite? Pse?! Nga portierët shqiptarë nisa të përmend ato të paraçlirimit dhe ata të pasçlirimit. Midis të tjerëve futa edhe një person që kishte arritur të bëhej portier i Partizanit dhe portier i kombëtares, Mikel Janku, të cilin e kisha nxënës dhe i dedikova 2-3 faqe. Kisha kontribuar që ai të bëhej një portier i mirë, veç vullnetit dhe falë dhuntive të tij. Përmenda edhe Jani Kaçin, Dinellën dhe të gjithë portierët tanë. Kapitullin e  parë ua kushtova portierëve të botës dhe portierëve  tanë. Kapitullin e dytë ia kushtova Qemal Voglit dhe kapitullin e tretë ia kushtova Perlat Mustës. Këtu u ndala më shumë dhe vura një theks më të fortë. Perlati qe një talent i kohës dhe një nga portierët më të mëdhenj që kemi nxjerrë ne. Shfrytëzova një rast, si njëherë një revistë e madhe sportive e futbollit (Francë),  kishin vënë në  kopertinë foton e tij dhe kjo përbënte një konsideratë të madhe që e bindte lexuesin se me të vërtetë e paska merituar Perlati këtë libër. Ajo që e zbukuroi librin akoma më shumë është parathënia e bërë nga  portieri i madh Italian Dino Xoff. Unë i bëra një kërkesë dhe ai m’u përgjigj pozitivisht. Nuk e besoja. Ishte një përgjigje gjithë kulturë dhe mirësi. Nuk e mendoja kurrë që ai për tre ditë të më sillte parathënien. Kjo e bënte më të plotë, më të bukur dhe më domethënës librin. Pra, ia kisha arritur asaj që kisha menduar që në fillim. Ai u tregua shumë i gatshëm dhe për 2-3 ditë, më çoi parathënien. Kjo ia arriti vlerat librit. Deri atë kohë nuk e njihja personalisht Xofin. Ishte një lidhje indirekte për librin. Më pas e kam takuar rastësisht në Romë para një ndeshje midis Lacios dhe Dinamos së Kievit për Kupën e Kampioneve të Europës. Me vete kisha marrë disa libra. Kur iu afrova dhe i dhurova librat, ai u befasua. Lotoi. Shtangu. “Është një dhuratë e bukur dhe surprizë”, më tha. Menjëherë na ndihmoi duke zënë një vend të nderuar në tribunë, atje ku ulej  Presidenti i Republikës. Ishim pesë veta. Pas ndeshjes na dha një darkë ku pjesëmarrës ishin dhe gazetarë të gazetës “Dello Sport”.

 

Kur ke dalë për herë të parë jashtë shtetit? Po nga jashtë a keni tranmetuar ndeshje futbolli?

Për herë ta parë kam shkuar jashtë shtetit në vitin 1948, në Bullgari, por më vonë nuk shkova, sepse lindi një problem derisa e zgjidhi Adil Çarçani. Në vitin 1973 shkova kryetar delegacioni  i ekipit “Shpresa” në Izmir të Turqisë . Kam transmetuar edhe një ndeshje në Bukuresht në vitin 1986. Luante kombëtarja jonë me  kombëtaren e Rumanisë. Na kanë mundur 5:1 aty në stadiumin e Bukureshtit. Ka qenë një dimër i madh dhe një dëborë e madhe. Ministri i Mbrojtjes së Rumanisë erdhi të na urojë mirëseardhjen. Ai ishte tifoz dhe vëllai i tij ishte ambasador në  Shqipëri. Skuadra  e Rumanisë  ishte me emër në atë kohë. Ishte koha kur ne kërkonim të hapeshim me botën.

Arkiva e ndeshjeve të transmetuara?

Arkivi nuk është i saktë. Në vitin 1983, u  bënë rreth 5 mijë  ndeshje. Në vitin 1983, ne kaluam në një emision shumë të  ri  dhe modern duke transmetuar jo vetëm një ndeshje, por  të  gjitha ndeshjet e javës me copëza. Pikërisht, në këtë moment e lashë numërimin. Kur ka qenë Mazreku sëmurë, apo për një arsye tjetër  mua më ka  rastisur  që të mbaja 6 orë në javë  transmetim. Deri në vitin 1960 ne kemi qenë dy veta dhe kjo vazhdoi deri në  vitin 1965. Në këtë vit afrohet Ahmet Shqarri, Aleko Gjergo, Ymer  Sterniqi në Shkodër . Ishte Ymer Kurti, pastaj hyri Veli Rada dhe më vonë ky numër  erdhi duke u shtuar.

17 nëntor 1967, Shqipëri-Gjermani 0:0...

Mbetet për mua ndeshja më e bukur e ekipit tonë kombëtar. Kjo, duke e parë futbollin dhe me syrin e kohës. Atë kohë, Gjermania ishte e ndarë në dy pjesë dhe ne u ndeshëm me kombëtaren e Republikës Federale Gjermane. Ishte një ndeshje, e cila u mbyll me barazim, 0:0. I prishëm punë Gjermanisë, sepse i  hoqëm të drejtën  për të shkuar në finale. Ekipi gjerman në atë kohë  ka sjellë në Shqipëri yjet e futbollit të vet, emrat e mëdhenj të futbollit. Kanë ardhur në Tiranë mbas Kampionatit Botëror të vitit 1966 në Londër, ku u mundën në finale nga kombëtarja e Anglisë. Ne kemi bërë edhe një gol, por arbitri austriak nuk e pranoi dhe ky sulm është fotografuar  edhe nga fotografi i vjetër sportiv, Enver Çobani. Por e rëndësishme është që i morëm një pikë shumë të vlefshme Gjermanisë, duke i prerë udhët për të shkuar në finale. Në Dortmund ka qenë një ndeshje krejt tjetër. Humbëm me rezultatin e thellë  6-0. Zhgënjim! Por Gjermania e asaj kohe ishte mbret në futboll. 

MBRESA

 

Një kujtim i vitit 1958 dhe

një ndeshje me Belgjikën

 

“Ato kohë, sporti po merrte përmasa të mëdha. Futbolli ishte mbi të gjithë. Sport mbarëpopullor, ose më mirë të themi si dhe sot, sport mbarëbotëror. Ishte koha kur zhvilloheshin spartakiadat e ushtrive mike. Në vitin 1958, u bë një spartakiadë madhështore në Pragë. Ne aty shkuam me disa sporte ku unë kam qenë edhe si kryetrajnier. Në përbërje të ekipit tonë kishim 6 atletë, por morëm pjesë edhe në boks, futboll, basketboll, qitje. Por ai që na zbardhi faqen ishte futbolli. Bëmë ndeshjen e parë në grup ku ishim me Vietnamin dhe rumunët. Vietnamin e kemi mundur 5:1 dhe rumunët 1:0. Pastaj kanë ardhur ndeshjet e tjera kualifikuese. Kemi mundur  një skuadër shumë madhështore të Pragës, “Dukla”, pas një goli që ka bërë Refik Resmja në minutën 118. Na  është vrarë Kolec Kraja. Kjo ishte në shtator të vitit 1958. “Dukla” në atë kohë  kishte futbollistë madhështorë të njohur në të gjithë botën. Pastaj mundëm një skuadër të Berlinit, 2:1. Më vonë, erdhi finalja me skuadrën e Sofies (Bullgari), që ishin skuadra të ushtrisë. Ndeshja është luajtur  në stadiumin qendror në prani të 120 mijë spektatorëve. Humbëm 1-0. Skuadra  bullgare qëndronte më  lart se ne dhe ata morën medalje të arta, ndërsa ne morëm medalje të argjendta. Një ndeshje  tjetër e paharruar është edhe ajo me  Belgjikën në Tiranë, ku e kemi mundur 3:0. Unë aty në mikrofon kam pasur një shfrenim në vetvete. Dy golat i kanë bërë Minga  dhe Mirel Josa”.

 

Takimi me Mishel Platini

 

Sporti i bashkon dhe

i vëllazëron njerëzit”

 

“Takim që e kujtoj dhe sot. Ai mbetet një futbollist i shkëlqyer dhe një njeri i jashtëzakonshëm. Personalitete të tilla sportive janë kthyer në ikona të civilizimit, mirësisë, dashurisë njerëzore. Njerëz që përhapin kudo që shkojnë mesazhe paqeje, harmonie, solidariteti. Ky është sporti. Bën atë që nuk e bën politika. Atë që nuk e bëjnë partitë. Sporti i bashkon dhe vëllazëron njerëzit”.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: