Juela Nikolli: Konkurrenca vetëm mund të më forcojë

Juela Nikolli: Konkurrenca vetëm mund të më forcojë
Në pamje të parë, duket një vajzë e brishtë, me flokët ngjyrë gruri dhe sytë e mëdhenj, me ujëra të kaltër e jeshilë. Por është një vajzë e fortë që, në moshën 11-vjeçare, ndoqi familjen në emigrim. Ndërkohë që studionte për ekonomi, zbukuronte galeritë e modës në Milano, me buzëqeshjen e saj delikate. Por kishte një pasion, të bëhej këngëtare, qysh e vogël në Laç, kur motrat i rrinin pranë. Tashmë, Juela Nikolli debuton në festivalin “Kënga magjike”, duke ndërtuar një urë mes Italisë ku u rrit dhe Shqipërisë ku u lind, duke hedhur një spirancë drejt tregut të zhurmshëm shqiptar. Vjen në një rrëfim për veten dhe pasionet e saj, vajza nga Laçi, por me stilin e Milanos.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Je debutuese në festivalin “Kënga magjike”, por ndërkohë ke disa hit-e të publikuara rishtazi. Kur ka lindur ky pasion për këngën?

Po, shumë e vërtetë. Pasioni im për këngën ka lindur qysh në moshë të vogël, kur isha 5-vjeçare. Madje, daljet e para nëpër shfaqje dhe aktivitete kulturore janë që në klasë të parë fillore, në aktivitetet shkollore, ku këndoja si soliste. Kam përfaqësuar shkollën 8-vjeçare, “Mark Trokthi”, në Laç, deri në moshën 10-vjeçare.

Si ka qenë fëmijëria jote? Çfarë kujton me nostalgji?

Kam qenë tepër aktive kur kam qenë e vogël, kureshtare dhe e shkathët. Kam kaluar një fëmijëri shumë të bukur. Më pëlqente të vallëzoja, të këndoja, tani që kthehem pas me kujtimet, ndoshta po përgatitesha për pasionin tim kur të rritesha. Të gjitha mikeshat e mia, me të cilat komunikoj edhe sot, më kanë përkrahur dhe vazhdojnë të më përkrahin edhe sot që karriera ka marrë rrugë.

Videoklipi i fundit është xhiruar në Milano. Prej sa vitesh jeton në Itali, je familjarisht aty?

Jetoj në Milano në Itali, prej shumë vitesh, me familjen. Që në moshën 11 -vjeçare, edhe në shkollë në Milano, kam marrë pjesë në aktivitetet teatrore të shkollës. Madje, kujtoj me nostalgji që kam luajtur rolin e Xhulietës tek pjesa e përshtatur për fëmijë, “Romeo dhe Xhulieta”. Kam interpretuar edhe në role të ndryshme në spektakle “musical”. Mund ta quaj Milanon, magjike! Ndihem shumë me fat që jam rritur në një qytet aq të madh e modern.

Më trego diçka më shumë për familjen tënde, sa ju ka përkrahur në këtë rrugë, drejt artit...

Familja ime ka sakrifikuar shumë, prindërit tanë kanë sakrifikuar për ne fëmijët. Babai ka kaluar detin për ne, në vitin 2000, vetëm për një të ardhme më të mirë, për mua për motrat e mia. Mamaja është idhulli im si femër, si grua në karrierë në Shqipëri dhe si bashkëshorte. Ajo braktisi çdo gjë të ngritur në Shqipëri, që ne vajzat të rriteshim në një vend perëndimor, ku të kishim një shkollim më të mirë. Motrat e mia janë jeta ime, më kanë përkrahur në hapat e mi në art, qysh herët kur isha 5-vjeçare. Veçanërisht motra e dytë e cila zbuloi edhe talentin tim e më shoqëroi tek kompozitori i qendrës kulturore në Laç, i cili kompozoi dhe këngën e parë për mua, “Ne jemi fëmijë”. Aty nisi ëndrra ime.

Këngët me të cilat keni filluar karrierën, duket që janë produksion i huaj. Si lindi ideja për këto këngë? Kush janë autorët dhe si ka qenë bashkëpunimi me ta?

Kënga ime e parë është në gjuhën angleze, “Was I wrong”, shkruar nga unë, në bashkëpunim me Paolo Faldi, i cili është një producent italian dhe që ka edhe një shkollë muzike, “Overdrive Studio”, në Milano. Paolo është kompozitori i këngës dhe ideja për të qenë në gjuhën angleze lindi nga pasioni që kam për këtë gjuhë. Fakti që kam punuar në shtëpitë e modës në Milano, më ka bërë ta përdor mjaft anglishten. Po ashtu edhe gjuhën frënge. Kënga e dytë, “Vetëm ti”, lindi në gjuhën shqipe me muzikë të producentit Dj A-Boom dhe është prodhuar në Zvicër, në një studio në Zyrih. Të dy videoklipet janë realizuar në Milano, me një artist freelancer-videographer, Frank Galang. Në të dyja këngët, jam përfshirë në çdo detaj, si në tekst, prezantim dhe në muzikë.

Deri më tani, keni kënduar këngë dashurie... Ju vetë, si e mendoni dashurinë? Sa frymëzim merrni prej saj?

Dashuria është frymëzimi im. Lum ai që ka dashuri! Nuk mund të këndohet vetëm ana e bukur dhe e mirë e dashurisë, por edhe vuajtjet që ndonjëherë shkakton. Unë frymëzohem nga përditshmëria ose nga historitë që dëgjoj prej miqve dhe të njohurit.

Jeni një nga talentet e reja që po paraqitet në skenën e festivalit. Sa shpresë keni që publiku shqiptar do t’ju mirëpresë dhe përse?

Nuk jam njeri që veproj duke shpresuar, jam e vendosur në atë që dua. Pas mbarimit të shkollës së lartë në degën Ekonomi Europiane në Milano dhe punës në shtëpitë e modës së Michael Kors, Banana Republic, Hermes, Dior etj., doja të ndiqja ëndrrën time. Puna dhe sakrifica që po bëj, jam e bindur se një ditë, do të më shpërblehen me sukses.

Jetoni jashtë Shqipërisë; për arsye të muzikës po jetoni në Shqipëri, si e kaloni kohën? Keni miq këtu?

Edhe pse jetoj në Itali, prej shumë vitesh, prindërit na kanë sjellë në Shqipëri çdo vit, ndaj i kam mbajtur lidhjet, me të mirat e të këqijat e vendit, njerëzve dhe shoqërisë sonë.

Cilat janë studimet që ndiqni ose keni ndjekur?

Kam përfunduar studimet në Ekonomi Europiane në Universitetin e Milanos, me rezultat maksimal të notave. Ndërkohë kam punuar në galeritë e modës në Milano, në firma prestigjioze nga Italia dhe bota. Por paralelisht kam mbajtur të ushqyer pasionin tim për sportin, muzikën dhe teatrin.

Veç muzikës, cilat janë pasionet e tjera të tuat?

Muzika është pasioni im më i madh, por më pëlqen shumë të shkoj në kinema, të praktikoj sportin dhe të gatuaj. Jam edhe amvisë e mirë, kujdesem shumë për mjedisin që më rrethon.

Kush kujdeset për pamjen tënde, stilin, veshjen?

Për look-un kujdesem vetë, por me këshillat e motrave të mia. Puna në fushën e modës dhe kontakti direkt me klientin, më ka ndihmuar të jem në linjë me hapin e tendencave të kohës.

Cili është njeriu më i afërt për ty, me të cilin këshillohesh për gjithçka?

Familja ime, njeriu i zemrës time dhe shoqëria.

Je shumë elegante, bën ndonjë kujdes të veçantë?

Patjetër që po, praktikoj shumë jogging, pilates, vallëzimin. Mundohem të kujdesem për ushqimin, edhe pse më pëlqen të ha shumë e të provoj çdo gatim.

Cilat janë cilësitë e reja që mendon se do të sjellësh në muzikë? Sepse ka shumë këngëtare. E ndjen konkurrencën?

Konkurrenca vetëm mund të më forcojë, më bën të punoj edhe më shumë. Muzika, përveç pasionit, do edhe vullnet, shumë sakrifica dhe investim. Çdo këngëtar ka stilin dhe cilësitë që e dallojnë. Unë preferoj stilin RnB dhe Pop. Dua të përcjell sa më shumë energji dhe adrenalinë për publikun, me këngët e mia.

Nga se merr forcë Juela?

Forcën e marr nga vetja dhe nga njerëzit që më duan më shumë. Sigurisht edhe nga natyra, kur praktikoj sport, ose thjesht dal për një shëtitje. Po ashtu edhe nga udhëtimet e ndryshme.

Po prehjen ku e gjen, Juela?

Prehjen e gjej kur dëgjoj muzikë, kur ha dhe jam me njerëzit që dua. Ato janë momente të shenjta për mua.

Si je me gatimin italian? Sa je ndikuar edhe në këngë nga arti dhe eleganca italiane?

Ehhh, Italia, njihet për gjithçka në botë! Gatimi është një nga gjërat që e bëj me shumë qejf, sidomos kur gatuaj për familjen ose shoqërinë. Për të marrë frymëzim, dëgjoj muzikë të stileve të ndryshme nga tregu i huaj muzikor. Gjithsesi, talenti i kantautorëve italianë mbetet i pazëvendësueshëm.

Pas pjesëmarrjes në festival, cilat janë planet e tua? Ke në duar ndonjë projekt të ri?

Pjesëmarrja ime te “Kënga Magjike 2017”, është një eksperiencë shumë e bukur nga e cila kam mësuar shumë. Dua të falënderoj Ardit Gjebrean - për mundësinë që më ofroi, për punën e talentuar, - Elgit Dodën, si dhe familjen time për përkrahjen e madhe. Projekte të reja sigurisht, që kam në duar, por ajo që mund të them është se po punoj me mish e me shpirt, për të sjellë muzikë sa më të mirë për publikun.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: