KRIMI PRISHET NË VEZË- OPINION NGA FRROK ÇUPI

KRIMI PRISHET NË VEZË- OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Gjithë marrëdhënia e fundit me krimin, po prishet, ende pa u formësuar.

Marrëdhënia e fundit me krimin, ishte kjo:

1.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan pastrimin e terrenit nga krimi. Arsyet janë:

E para. Krimi, sidomos ai i lidhur me politikën, t’i hiqet nga zverku popullit të pambrojtur!

E dyta. Në këtë udhëkryq ku kalojnë akset, politikat, zhvillimet, ekonomia, marrëdhëniet e fuqishme Perëndim-Lindje, të mos preken nga krimi shqiptar. Sloganet se do të na zotërojë Rusia apo Kina, janë përdorur për të fshehur sundimtarin real, më të keqin në jetë. Krimi mund të kthehet shpejt në një rrezik alias Phenian ose ISIS. Kjo nuk është një përrallë, por realitet i certifikuar edhe nga aleatët e vendit.

2.

Perceptimi i krimit shqiptar, si më i egri në Europë, ka ardhur duke u ngjizur pak nga pak. Më në fund, vrasjet shtazarake dhe guximi për të transportuar drogë, edhe përmes vrimës së gjilpërës, e bënë botën europiane të krijojë arketipin krim shqiptar. Njësoj siç ishte formuluar regjimi komunist: “Më i egri ky, në Shqipëri”. Frika jonë kombëtare është se, me këto simptoma, mos vallë po na shoqëron egërsia si tipar.

Nisja me detyrim e luftës kundër katër klaneve kriminale të organizuara, dhe kundër 20 familjeve kriminale që kanë lidhje me politikën. Aleatët kanë vënë gisht mbi emra dhe skema konkrete. Bashkë me këtë, sapo u duk se edhe lufta kundër drogës, të jetë e vërtetë. Me drogë nëpër duar dhe me krim nëpër qelizat e shtetit, nuk mund të ketë as Drejtësi, as Kuvend, as Qeveri, as media, as kisha dhe xhami. Të gjitha kapen nga krimi.

Kjo ishte marrëdhënia e re që u ndërtua fuqishëm, brenda ditës, me një sinjal nga Shtetet e Bashkuara.

Si po prishet marrëdhënia?

Sigurisht, jo duke e shpallur se po prishim formulën e luftës kundër krimit. Sapo u formësua Marrëdhënia, në atë moment nisi prishja e saj, në sy të publikut dhe fshehurazi njëkohësisht. Secili që ka rol në prishje, mori pozicionin e vet.

E para:

Opozita, - si garantuese e pastrimit të pushtetit, - e goditi vezën e marrëdhënies me krimin që në Parlament. Në vend që krimi të ishte i pari, dhe i dyti, dhe i dhjeti , opozita nxori parzmoren kod zgjedhor. Duam kodin zgjedhor! - tha opozita dhe pushtoi foltoren e Kuvendit. Në Kuvend ndodhen shumica dhe opozita që, së bashku, nuk duan ta largojnë krimin. Sskush tjetër nuk mund të flasë, foltorja u pushtua. Opozita e kërkon kodin zgjedhor në stinë kolere, për dy arsye në lidhje me krimin: E para të devijojë luftën kundër krimit (sugjeruar nga USA), dhe e dyta që të thotë se pushteti ka më shumë vlerë se lufta për pastrimin nga krimi. Kodi i zgjedhjeve do të thotë pushtet për vete, jo pushtet për popull. Populli përjeton krimin... Sidoqoftë, me manovrën e opozitës në Kuvend, axhenda kundër krimit u prish.

E dyta:

Qysh prej fillimit të legjislaturës së Kuvendit, është bërë strategjia për status quo, pa cenuar krimin. Mes shumicës dhe opozitës ka një marrëveshje të fshehtë, e cila domosdoshmërisht është e lidhur te krimi. Njëra palë i ka dhënë koncesione tjetrës, me betimin se as të zbulojë e as mos më zbulo. Të dy palët kanë qenë dhe janë në pushtet. Sapo të preket krimi, në çast preken të dy palët. Ndodhemi nën pushtetin e institucionit të vjetër, - si në qeveri edhe në opozitë...

Të gjitha pushtetet janë të barabartë, në raport me krimin.

Kështu është ndërtuar kjo aleancë mes palëve, si demi që mbante Botën. Sapo preket qimja e njërit dem, ky hidhet përpjetë dhe tjetri hesht. Sapo foli ambasadori amerikan, shumica nxori prova se, kryetari i opozitës, kur ishte ministër, ka liruar nga burgu kriminelë të rrezikshëm të Elbasanit. Ky u ngrit sot, në Kuvend, për t’i thënë gjysmës tjetër të heshtë... Përderisa njerëzia ka marrë vesh se këta janë bashkë, krimi ka dështuar që në vezë, – d.m.th., lufta kundër krimit.

E treta:

Heroizmi dhe patriotizmi si mburojë për krimin.

Qeveria po harxhon kohë me spektakle qeveritare mes Tiranës e Prishtinës. Asnjë fjalë mes qeverive për të kapur kriminelët që qesin pushkë në Tiranë dhe fshihen në Prishtinë, e vice- versa. Krimi nuk është në axhenda, edhe pse është fushës. Ka hyrë në mes edhe festa për Gjergj Kastriotin - Skënderbe; edhe Rilindja Urbane, edhe disa festa që janë parashikuar për të mos e lënë popullin të qetë. Vetë kryeministri i Republikës, bashkë me një kryetar bashkie në Tepelenë, ka ndërtuar një përmendore për vete, në një nga fushat e sportit të qytetit. Përmendorja është më e madhe se fusha. Qëllimi është që në Tepelenë, - kryeqendra e kultivimit të drogës, - njerëzit të shikojnë heroizmin e kryeministrit në përmendore, dhe t’i venë gishtin kokës: “Ky nuk preket”

E katërta:

Ora e Revolucionit fsheh krimin... Interesant! Në gjithë revolucionet e mëdha që kanë ndryshuar fatet e botës, prapa orës së fillimit, kanë pasur një krim: Revolucioni Francez, Revolucioni Bolshevik, Revolucioni Kulturor, Ardhja e Kmerëve të Kuq...

Këtu është më e thjeshtë, por orë krimi, - sidoqoftë. Sapo nisi lufta kundër krimit, e iniciuar nga USA, të gjitha palët u zgjuan. Shumica ka bërë gati disa viktima, por të vogla. Si për shembull, zbuloi se Drejtori i përgjithshëm i Policisë u ka dhënë armë me leje vrasësve serialë.... Opozita nuk ka polici, por ka marifete për të zhvlerësuar luftën kund krimit. Ja për shembull, sot në Kuvend: Pushtuan foltoren, ngritën tonet në kupë të qiellit, një deputet u delegua që të thotë se “Kurrë më kështu!” Për çfarë?... Për radhën e një seance parlamentare të zakonshme. Sa e vockël...!

Po kur të vijë puna për krimin, cilat tone do të përdoren?! Tone më të larta nuk ka. Këto tone u zhvlerësuan për kot...

U prish e tëra, që në vezë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: