KTHIMI I “KAFSHËS POLITIKE”- OPINION NGA FRROK ÇUPI

KTHIMI I “KAFSHËS POLITIKE”- OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Kuvendi, shpesh herë, na shfaqet si një kopsht zoologjik, jo në kuptimin përçmues të kafshës, por në atë filozofik të “kafshës politike”. Aty, në atë sallë, ndodhin përleshje, aty ndodhin kashaisje, intriga, dashuri dhe përfitime... Njësoj si në fermë.

Qysh prej fillimit të teorisë politike, teoricienët dhe baballarët më të mëdhenj, kanë arritur në përfundimin se të gjithë njerëzit, secili prej nesh, jemi qenie politike. Por koncepti i kafshës politike lindi vonë, madje i pranuar nga vetë politikanët. Edhe Kuvendi i Shqipërisë ka pranuar se Kuvendi, d.m.th., “ne, deputetët, jemi të inkriminuar”, ose në kuptimin thjeshtë të rrezikut ndaj njeriut, janë të kafshëruar. Nuk kanë munguar as etiketimet në foltore, për vete a për kolegët, se jemi “kafshë politike”. Para së gjithash, nuk mungon asnjë ditë, akti i tyre si “kafshë politike”: Grabisin, mashtrojnë, pasurohen me paratë e publikut, i shërbejnë vetëm pushtetit, mbjellin e shesin drogë, edhe vrasin, edhe bëjnë sikur rrihen, duke na prishur atmosferën.

Nuk i shikoni në sallën e Kuvendit?

A është kjo një padrejtësi ose një fyerje që iu bëhet politikanëve të kthyer në “kafshë politike”? Jo, aspak. Kjo është vetë natyra. Vetë filozofi anglez që iu kushtua kësaj ideje, John Kitto, i viteve tetëqind, pati shkruar se njeriu me pushtet, “nga vetë natyra, është kafshë politike”..., por “e detyruar të jetojë në qytet”.

Atëherë, pse themi kthimi, kur e paskëshim pasur qysh herët kafshën politike? Sepse kthimi është i pandërprerë, aq herë sa ne, jo- kafshët jemi poshtë si qytetarë.

1.

A janë kthyer banditët në Kuvend?

Si ta thuash... Kuvendi para këtij, kishte shumë banditë. Kësaj here kanë ardhur disa të rinj. Sa net pa gjumë kaluan teleshikuesit, populli i thjeshtë, duke dëgjuar se kësaj here pastrohet Kuvendi nga banditët. Jo, prapë në listën e partisë. Po a mund t’i thuash kthim i banditëve? Po të krahashosh me Kuvendin e vitit 1992, ku në sallën ndodheshin 52 profesorë e studiues të mirëfilltë, ashtu del. Edhe sot ka “profesorë”, por edhe shumica e tyre janë banditë. Gradën shkencore e kanë marrë si një krim, pasi kanë kryer edhe një krim... Po ku shkuan intelektualët? Hëëë! Intelektualët janë të “dobët”, nuk imponojnë dot frikë, nuk i nevojiten kryetarit të partisë për të rrahur ose vrarë dikë, ose për të grabitur popullin... Mes mendimtarëve dhe banditëve, ka një hendek të madh. Sot të parët nuk duhen më.

2.

A jetojnë këta mes nesh? A i zgjedhim ne?

Pyetje më trishtuese se kjo, nuk ka! Edhe të duket sikur, ti je ai që ke në dorë t’i ndalosh rrugës për në krye, kafshët politike, por edhe nuk ke gjë në dorë. Ta mbushin mendjen se demokracia të jep të drejtë dhe në fakt të drejtat i ka në dorë “kafsha politike”. Ty të duket sikur ai jeton me ty dhe se në llojin e kafshëve, është qengj. Por, në fakt, nuk është kështu. Ai (d.m.th., kafsha politike) ndodhet aty me ty, por gjëmën ta bën nga përtej, ose pas kurrizit. Për shembull, një fis fshatarësh në Shkodër, terrorizon gjithë qytetin. Ai të del në rrugë me makinë luksoze, të merr fëmijën, të merr paratë, të merr jetën... Polici e shikon dhe e përshëndet. Në Lushnjë, një i dënuar përjetë si vrasës, edhe pse në burg, vazhdon të terrorizojë qytetin... Në Tiranë, një i  burgosur i piketuar edhe nga Amerika si kriminel, që nga burgu, bën trafik armësh, trafik droge, porosit cili të vritet...

Pse i solla shembujt? Sepse kafsha politike ndodhet bashkë me ty, në sallën e Kuvendit, ose të vjen në shtëpi si deputet. Por, në fakt, lidhjet i ka me Barjen në Shkodër, me Baren në Lushnjë, dhe me Shullazin në Tiranë. “Kafsha politike” është ky qengji që ke në krah.

... A jetojnë bashkë me njerëzit edhe kafshët politike. Në thelb, jo. Sepse nuk jetojnë njësoj si njerëzit, por pasurohen prej tyre. Ata jetojnë në kryqëzimin ku kalojnë të mirat nga shteti te individi dhe anasjelltas. Në këtë kryqëzim, marrin maksimumin.

Dhe pse jetojnë jashtë qytetit d.m.th., aty ku nuk jetojnë njerëzit? Sepse kafsha politike nuk zbaton ligjet e të gjithëve; ai ka ligje të veçanta që janë përfitimet jashtëligjore, sjelljet jashtë ligjit, manipulimi, kërcënimi... Njësoj si krijesat biologjike që jetojnë larg njerëzve.

3.

A nuk jemi dy lloj krijesash?

Jo që në nisje. Aty ishim njësoj. Pastaj kafsha politike- si në xhungël- merr vendime mbi të gjithë të tjerët. Shpesh herë, na duket se mes intelektualëve dhe banditëve të politikës, hendeku bëhet gjithnjë e më i madh. Në fakt, është e vërtetë, por edhe nisja e këtij fenomeni, vështirë të datohet. Shekulli njëzet, sipas studiuesve, është më i ziu. Sepse krijesat që tashmë jetojnë në fermën e tyre dhe që quhet Kuvend, ose qeveri, ose parti..., duket se janë shtuar shumë; nganjëherë duken shumicë. Pse ndodh? Sepse ngrihen mbi shumicën, i hanë të drejtat shumicës, i marrin djersën e ballit asaj dhe vendosin për fatet e shumicës. Bie fjala, kush vendos për rritjen e borxhit të shtetit, që është borxh i secilit nga ne?! Vendoset nga ferma e mbyllur... Kush vendos çfarë të bëhet më parë, me ekonominë e vendit? Të bëhen rrugët, shkollat, spitalet, apo spektaklet, fasadat, sheshet...?

Jo, ata e vendosin. Po ç’akt prej përbindëshi është ky? E di sa e ka paguar këtë sjellje njerëzimi në historinë e vet?... Ja një shembull: Stalini, një jo kafshë,  por përbindësh politik dhe banditi më i madh, i vuri vetes qëllim të industrializojë Bashkimin Sovjetik... Ku janë paratë? Nuk kishte. Atëherë shiti grurin e pamatë që prodhonte Ukraina dhe i bëri fabrika. Miliona njerëz vdiqën nga uria, vetëm pse kafsha politike kishte një qëllim.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: