KUR POLITIKA DHE DREJTËSIA NDËRROJNË ROLET - OPINION NGA PLATOR NESTURI

KUR POLITIKA DHE DREJTËSIA NDËRROJNË ROLET - OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

E mërkura duket larg. Dita kur seanca parlamentare do të caktojë fatin e deputetit Tahiri nëpërmjet votimit se deri çfarë tagri do të ketë prokuroria në hetim ndaj tij. Sidoqoftë pozicionet duken të qarta. PS dhe Kryeministri Rama, pavarësisht përjashtimit të ish-ministrit të Brendshëm nga strukturat e partisë dhe si deputet të grupit parlamentar, mbeten në të njëjtin qëndrim që u shpreh dhe nga deputetët e saj në komisionin e Mandateve. Lejim për hetim dhe kontroll banese, por jo autorizim për arrestimin e Tahirit. Nga ana tjetër, opozita njëson qëndrimin e saj dhe krerët e PD dhe LSI shprehen se i hapin rrugën për çdo gjë organit të akuzës, përfshirë këtu dhe arrestin e ish-ministrit.

Në gjithë këtë rrokopujë lajmesh që bombardojnë median, me akuza të ndërsjellta nga politikanë e deputetë si dhe kujtesa për krime të shkuara e përherë të pazbardhura, duket se çështja Tahiri më së shumti do të fokusohet për t’u trajtuar politikisht sesa si çështje që duhet të jetë ekskluzivisht në kompetencën e drejtësisë. Madje, edhe një ndërhyrje nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda si reagim ndaj deklaratave të kryeministrit për çështjen Tahiri në grupin parlamentar të PS, nuk i shpëtoi komenteve politike të shprehura në të. Dhe si avancim në komente politike, mori një përgjigje, po politike, nga zyra e Kryeministrit. Nuk di çfarë mendje e ka bërë atë deklaratë të Prokurorisë dhe kujt i shërbente një agravim me një forcë politike. Pasi, më e pakta, kjo do të shprehte pozicionim.

Në gjithë këto ditë, pavarësisht debateve sesa e bindshme apo jo ishte dosja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në provat ndaj Tahirit në Komisionin e Mandateve, duhet thënë se, për këdo, po bëhej e qartë që ishte politika ajo që kishte hyrë pa të drejtë në terrenin e Drejtësisë. Ishte e dukshme që argumentet që përdoreshin nga deputetë të ndryshëm, pavarësisht se referoheshin në ligje e në bindje, më së shumti ishin politikë, pasi dhe për atë punë janë zgjedhur në parlament. Për të bërë politikë e për të mbrojtur interesat partiake. Por ndërsa edhe deklarata e organit të akuzës përmban në vetvete komente politike, këtu çdo gjë bëhet lëmsh. Pasi komentet mund t’i pëlqejnë një pale e të acarojnë tjetrën, ndërkohë që duhet folur thjesht me gjuhën e ligjit. Do të ishte më me vlerë për Prokurorinë dhe do t’i jepte imazh më të mirë paanësie nëse, në reagimin ndaj deklaratave të Kryeministrit, thjesht të mbante profilin ligjor, duke theksuar se ata janë organi kompetent për vlerësimin e provave dhe jo politika, por jo duke u futur në terrenin e politikës duke komentuar se sa e dëshiron apo jo Kryeministri apo kushdo qoftë reformën në Drejtësi. Ky është pozicionim përtej tagrit që të lejon ligji dhe kjo veç i hedh më shumë benzinë zjarrit që vetë politika kërkon ta mbajë të ndezur. Dhe kështu, duket se gjithkush do të bëhet pis me dashje, politika, drejtësia, institucionet shtetërore. Vetëm krimi mbetet qibar në pisllëkun e vet.

Nëse sot do të ishte e mërkurë, Saimir Tahiri do e kish të qartë fatin e tij. Nuk do të ishte më deputet i PS, as funksionar i saj. Do të hetohej në gjendje të lirë, por jo i rrezikuar në burg. Duke mbetur deputet i lirë. Gjithsesi, nuk përjashtohen të papriturat. Ajo çfarë bie në sy është një heshtje apostolike e faktorëve ndërkombëtarë si dhe diplomatëve shumë aktivë për çfarë ka ndodhur deri më sot në Shqipëri. Duket si një vëzhgim në distancë se çdo të nxjerrë në breg vetë klasa politike dhe drejtësia shqiptare. Nga çfarë ndihet në ajër, duket se do të ketë të papritura të tjera. Ndërsa Tahiri nga sot u la i vetëm dhe jo si pjesë e familjes socialiste për t’u përballur më tej me drejtësinë, kjo dëshmon për marrje masash paraprake. Masa që, çfarëdo del më vonë për ish-ministrin, do të jetë tashmë një përgjegjësi individuale dhe jo politike ku të përfshihet si PS edhe qeveria. Një lojë që mbetet sërish në terrenin politik, pasi vetë politika nuk po luan për të shpëtuar veten dhe vendin nga krimi, por sesi të shpëtojë ngjyrën e vet dhe si të avantazhohet ndaj kundërshtarit, kur të gjithë janë përgjegjës për këtë situatë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: