Lili Cingu: Ndiej trishtim mbi gjendjen e valles shqipe sot!

Lili Cingu: Ndiej trishtim mbi gjendjen e valles shqipe sot!
intervistoi Juela Meçani

Lili Cingu, valltarja shtatlartë, elegante, me një plastikë unike, është cilësuar si “mbretëresha” e valles shqiptare dhe ka mbetur në kujtesën e publikut, si solistja me fuqi pasioni të pashtershme.

Ajo u ngjit në skenë si profesioniste, në vitin 1967, dhe, menjëherë, spikati mes shoqeve për një mënyrën e të vallëzuari të valles shqiptare, që ende sot nuk është arritur të zëvendësohet.

Vallja për artisten e njohur, është jeta e saj, por, në fakt, skena e ka pasur hajmali fatsjellëse valltaren e mirënjohur, mbetur në kujtesën e publikut njëlloj si disa dekada me parë. Sot, pas kaq vitesh karrierë artistike, Lili Cingu ruan një formë fizike të admirueshme dhe, kur i jepet mundësia, kërcen me të njëjtin pasion si në daljen e saj të parë në skenë.

Ka performuar vallen shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke mos lënë pas dore simbolikën e motiveve popullore në kostumet po popullore, duke i dhënë rol e një pjesë të rëndësishme paraqitjes skenike, pasi, me këto kostume, identifikohej historia shqiptare, me to kërcehej vallja, dhe shpalosej kultura shqiptare.

Të mëdhenjtë Besim Zekthi, Agim Krajka, Rexhep Çeliku, jo vetëm bashkëpunuan me Lili Cingun, por krijuan, posaçërisht, për të vepra që sot janë në arkivin e artë të valles shqiptare.

Jeni cilësuar mbretëresha e valles shqiptare! Çfarë mendoni për gjendjen e valles dhe folklorit shqiptar sot?

Duke më vlerësuar me një emër që shumë e dëshirojnë, me një kurorë si mbretëresha e valleve, mendoj se ka qenë puna dhe talenti im, për ta merituar. Unë ndihem e nderuar që kam kërcyer në vallet tona nga e gjithë Shqipëria. Për mua, vallja shqiptare është më e bukura në botë.

Të them të vërtetën, mbi gjendjen e valleve sot, ndiej, hera-herës, trishtim, çdo gjë që ka lidhje me trashëgiminë tonë popullore  më dhemb.  Kur shoh që shpesh e bastardojnë duke dashur të tërheqin vëmendjen, ose më saktë për të qenë në vëmendjen e disa koreografëve të patalentuar, me përzierje motivesh në lëvizje nga jugu deri në veri, ose edhe duke futur motive jo origjinale shqiptare. Kjo gjë më shqetëson shumë!

Ruani një formë të admirueshme fizike edhe sot. Si ia dilni?

Për të ruajtur fizikun dhe pamjen, nuk bëj asgjë të veçantë, kam qenë e jam në aktivitete artistike pa ndërprerje, kur më kërkojnë për koncerte, nuk them asnjëherë, jo; në të gjithë botën më ftojnë dhe kjo për mua është respekt dhe u përgjigjem pozitivisht. Me humor, po ju tregoj një kuriozitet. Shumë më thonë, Lili mban dietë ose ka mbajtur dietë. Ndërsa unë qesh. Asnjëherë nuk kam mbajtur dietë apo të kem treguar kujdes në ushqim. E kam në gen, sepse i ngjaj prindërve të mi.

Keni qenë, për shumë dekada, frymëzim brezash.

Më vjen mirë kur më thonë se kam qenë frymëzim për brezat; krenohem, sepse më vlerësojnë. Çdo ditë përpiqem ti transmetoj brezit të ri dashurinë për vallen e bukur shqiptare, për kostumet popullore brilante, për çdo aspekt të folklorit që është gur i çmuar në traditën tonë shekullore. Duke pasur respekt për rrënjët e veta, çdo i ri dhe e re do të ketë më tepër respekt për veten dhe botën.

A keni ndonjë valle më të dashur?

Në repertorin e viteve të shumtë të karrierës si soliste në Ansambël, kam debutuar me shumë valle. Nuk jam në gjendje t’i veçoj ato, por, për mu, mbetet vallja që, kur hapet skena dhe fillon vallja “Valëzimi i Shqipeve”, është një emblemë për Shqipërinë kur ne e përfaqësonim në botë; simboli i shqipes që, sot, të gjithë, të njohur e të panjohur, bëjnë me duar.

Pallati i Kulturës ka qenë për shumë vite shtëpia juaj e dytë. Sot po boshatiset për tu rindërtuar. Si ndiheni për këtë?

Fillimet e mia kanë qenë në vitin 1967, pikërisht, në këtë ndërtesë; aty dola edhe në pension e mbylla karrierën, atë zyrtare se praktikisht unë vazhdoj punoj. Sallat dhe korridoret, dhomat e provës e çdo mjedis tjetër aty, mbetën shtëpia ime e dytë për shumë vite pune, mundi dhe djersë.  Sukseset, lulet, brohoritjet nga spektatori, ajo skenë m’i dha, titujt  dhe meritat janë sigurisht falë talentit tim, sakrificave dhe dashurisë për këtë profesion, por Ansambli ishte forca ime e madhe. Keq më vjen, por edhe mirë për brezat e rinj! Keq, sepse duhet që ta shijojnë suksesin,  jo vetëm për të ecur, po për të punuar që të arrijnë sukseset. Mirë, sepse do të kenë kushte më të mira ku të shpalosin talentin dhe dashurinë e tyre për vallen shqiptare. Kishte ardhur koha që të rindërtoheshin mjedise moderne, me kushte optimale për artistët. Pavarësisht talentit, kushtet luajnë rolin e tyre. Kujtimet dhe nostalgjia na mbajnë gjallë pasionin dhe na japin vitalitet, por brezat e rinj të artistëve duhet edhe të kenë kushte përgatitjeje si të gjithë kolegët e tyre në botë. Kjo, veçse, na nderon. Më mirë vonë se kurrë!

Keni një urim apo këshillë për valltarët e ri?

Urimi im për të rinjtë është se duke punuar me dashuri, duke  pasur kërkesën e egos pozitive, që çdo minutë të djersijnë në orarin e punës, se vetëm kështu  mund të arrijnë të kenë sukses dhe të marrin meritat që u takojnë. Ata duhet ta vlerësojnë punën, më e mira për ta është që zërin ta ngrenë për të drejtat që u takojnë dhe të besojnë fort se fitohet vetëm me talent. Përzgjedhjen më të mirë në fund, e bën publiku.

Keni ndonjë kujtim nga turnetë në Kosovë?

Ka qenë viti 1971, kur shkela tokën e robëruar të  Kosovës, gjatë një turneu të Ansamblit. Po ju rrëfej një detaj që edhe sot më prek. Në atë turne, pata rastin të prek pragun e shtëpisë ku lindi im atë dhe lotët më vijnë edhe tani kur e kujtoj atë çast. Pavarësinë e Kosovës e prita në Gjakovë, nuk mund të mos isha dhe të përjetoja nga afër ditën më të bukur të kombit shqiptar. Dua, me këtë rast, të nis një përqafim për të gjithë shqiptarët e një gjaku, kudo ku ata jetojnë!

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: