Majlinda Aliaj: Një femër e ka të vështirë të jetojë vetëm me pikturë

Majlinda Aliaj: Një femër e ka të vështirë  të jetojë vetëm me pikturë
INTERVISTË/ Flet piktorja Majlinda Aliaj: Në Shqipëri blerja e një pikture reale, ende nuk është kthyer në kulturë

 “Akoma në Shqipëri blerja e një pikture reale nuk është kthyer në kulturë. Duhet kohë të bëhet kjo. Pastaj ne jemi një popull i vogël, por që kemi shumë piktorë”. Kështu shprehet gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, piktorja Majlinda Aliaj, sipas të cilës, kësaj i shtohet edhe dukuria që pikturat sot edhe nuk kuptohen nga të gjithë. “Kopjimet rrallë kush mund t’i kuptojë nga realet. Piktura reale ka shumë botë shpirtërore, ka shumë ndjesi, ka shumë imagjinatë, ka shumë ngjyra që përcjellin mesazhe njerëzore”, citon gjithashtu ajo....

 Intervistoi për “Albanian

Free Press”: Albert Z. ZHOLI

 

 Piktura, një magji... Si lindi dëshira juaj për të?

Dëshira për të pikturuar ka qenë brenda meje qysh në fëmijërinë e hershme, kohë në të cilën vizatoja nëpër faqet dhe kopertinat e librave shkollorë. Duke u rritur, vizatoja me laps modele të ndryshme për t’i qëndisur, sepse qysh atëherë doja që qëndismat e mia të ishin të veçanta. Unë jam piktore autodidakte dhe sigurinë e kam kërkuar brenda vetes. Në moshën e fëmijërisë, thjesht kisha dëshirë të vizatoja dhe nuk kisha kontakt me botën e pikturës.

 

Kur e keni vizituar ekspozitën e parë të pikturës dhe ku? Cilat janë mbresat që ju la?

Janë të shumta, por më mbresëlënësja ka qenë kur kam vizituar qytetin e Barletës në Itali. Në atë qytet vizitova një kështjellë në të cilën ishin ekspozuar piktura të epokave të ndryshme. U mahnita, shtanga, shpirti im u përhumb në tablotë e ekspozuara. Ndjesi të tillë nuk e kisha provuar ndonjëherë.

 

Gjinitë e pikturave janë të ndryshme, natyrë e qetë, portret, kompozim, peizazh, kontemporan. Ku e gjen veten më mirë Majlinda?

Megjithëse të gjitha gjinitë e artit i kam lëvruar me shumë dashuri dhe përkushtim, më e preferuara ka qenë natyra e qetë.

 

Si vazhdoi formimi juaj si piktore?

Formimi im në pikturë luhatet nga drita në errësirë, nga e bardha në të zezë, nga e dukshmja në të padukshmen, nga fizikja në shpirtëroren, nga gjithçka që shikoj e perceptoj.

 

Kur e keni hapur ekspozitën e parë tuajën dhe si jeni ndjerë? Si reagoi kritika?

Mini-studion time, e vizitonte shpesh mikja ime e nderuar, Vjollca Lubonja. Ajo mundësoi hapjen e ekspozitës time të parë, në ambientet e Shtëpisë Botuese "ELVE", në mjedisin e librarisë. Në këtë ekspozitë të parë u promovova nga artisti i mirënjohur, Buron Kaceli, i cili këmbënguli që punimet e mia duhej të ekspozoheshin në Muzeun Historik Kombëtar. Në datën 7 nëntor të vitit 2016 vijoi edhe ekspozita e dytë ime personale. Ajo u vlerësua dhe aty më erdhi ftesa nga artisti i mirënjohur dhe organizatori i ekspozitës, "Pranver Art", Lazar Taci.

Kohët e fundit keni hyrë bindshëm tek piktura kontemporane, abstraksioniste. Ccila është e veçanta e kësaj pikture? A është më e vështirë se gjinitë e tjera dhe pse?

Sigurisht që është më e vështirë, sepse në të ka tendenca shpirtërore. Askush nuk privohet nga e drejta për ta kuptuar abstraksionin, por ai vetë kalon ndjeshmërinë e shqisave tona, duke tentuar drejt sublimes, kjo e baraslargon nga perceptimi shqisor.

Cilin do të quaje sukses në rrugën tuaj të bukur, por dhe po kaq të vështirë? Arti kërkon përqendrim dhe imagjinatë, jo kushdo bën art...

Sukses do të quaja përzgjedhjen që m’u bë mes piktorëve ndërkombëtarë, nga kuratori italian Giorgio Grasso, i cili do flasë për punën time në Bienalen e parë në televizionin italian, në kanalin LA -9.

 

Një femër piktore, a ka më shumë vështirësi se një mashkull?

Sigurisht që është më e vështirë, sepse femrat kanë më tepër detyrime sesa meshkujt.

 

A është maskiliste shoqëria shqiptare?

Shoqëria shqiptare është shoqëri maskiliste, kjo sjell problematika të panumërta për femrën. Shoqëria shqiptare ka një maskilizëm te trashëguar.

 

Po politika shqiptare, a ka filluar ta respektojë femrën?

Megjithë tendencën që politika ka, për të rregulluar raportin mes femrave dhe meshkujve, përsëri mbetet shumë për të bërë.

 

Teknika që përdor në pikturë?

Përgjatë krijimeve të mia eksperimentale, kam realizuar një numër te konsiderueshëm tablosh. Pas shumë kërkimeve në pikturë, më është dashur të punoj me të gjitha teknikat. Secila prej tyre, të fal një ndjeshmëri te caktuar, por më e preferuara për mua është teknika e vajit, akrilikut, të cilat duke i miksuar me smaltin, me dhurojnë efektet që unë dëshiroj.

 

Mund të jetohet sot vetëm me pikturë?

Si shumë e vështirë. Akoma në Shqipëri blerja e një pikture reale nuk është kthyer në kulturë. Duhet kohë të bëhet kjo. Pastaj ne jemi një popull i vogël, por që kemi shumë piktorë. Pikturat sot edhe nuk kuptohen nga të gjithë. Kopjimet rrallë kush mund t’i kuptojë nga realet. Piktura reale ka shumë botë shpirtërore, ka shumë ndjesi, ka shumë imagjinatë, ka shumë ngjyra që përcjellin mesazhe njerëzore.

 

 

PJESËMARRJA

“3 ekspozita

kolektive dhe

2 personale”

 

“Kam marrë pjesë në tre ekspozita kolektive dhe dy personale. “Tetor 2007”, ekspozitë në grup në “Hotel Rogner”; Shtator 2015, ekspozitë në grup, në Ulqin, me piktorët e peizazhit; Mars 2016, ekspozitë personale e organizuar nga shtëpia botuese "Elve"; nëntor 2016, ekspozitë personale në Muzeun Historik Kombëtar; shtator 2017, ekspozitë në grup, në Muzeun Historik Kombëtar”.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: