Meta në Kosovë takoj Haradinaj: Marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të pasurohen më shumë

Meta në Kosovë takoj Haradinaj: Marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të pasurohen më shumë
Presidenti Meta që prej ditës së djeshme ka nisur një vizitë zyrtare në Kosovë teksa sot u takua me kryeministrin kosovar Ramush Haradinaj.

Meta u shpreh se tashmë ka ardhur koha që marrëdhëniet mes dy vendeve të pasurohen më shumë dhe çështjet e prekshme e konkrete të gjejnë zgjidhje për qytetarët e të dy shteteve veçanërisht nëpërmjet agjendës së përbashkët të dy qeverive, duke u fokusuar tek infrastruktura, arsimi, lëvizja e lirë dhe heqja e çdo barriere burokratike.

Presidenti shqiptar shprehu mbështetjen në këtë proces i cili ka rëndësi jetike sipas tij për qytetarët e dy vendeve teksa Meta siguroi Haradinaj lidhur me mbështetjen e gjithanshme të Shqipërisë për Kosovën në proceset integruese dhe anëtarësimin në organizatat rajonale e ndërkombëtare.

Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta iu referua nevojës së madhe për liberalizimin sa më shpejt të regjimit të vizava nga ana e BE-së për qytetarët e Kosovës dhe, duke iu referuar kushtëzimit të demarkacionint të kufirit me Malin e Zi, si një sfidë tashmë të pashmangshme, shprehu besimin se kjo çështje do të gjente një zgjidhje të shpejtë në frymën e mirëkuptimit të ndërsjellë me këtë vend fqinj.

Ndërsa, duke vlerësuar nevojën e vazhdimin dhe përmbylljen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Presidenti Meta u shpreh se vijimi dhe konkretizimi i këtij dialogu nuk është i rëndësishëm vetëm për këto dy vende por edhe për të gjithë rajonin sigurinë dhe të ardhmen e tij. /f.ç/

Foto: GOogle

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: