“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Monika Kryemadhi: Si më ra të fikët kur Iliri po bënte byrek, dhe pashë tepsinë...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Monika Kryemadhi: Si më ra të fikët kur Iliri po bënte byrek, dhe pashë tepsinë...
Satirë

Flasin për maskat në "Festën e Halliuinit", Edi Rama, Sali Berisha, Taulant Balla, Monika Kryemadhi, Flamur Noka, Petrit Vasili

"Antena Jashtë Familjes" sot në këtë ditë të shënuar, apo siç i thonë në gazetari "sinjifikative", ka mundur të mbërthejë bashkëllafosjen e bërë në Kuvend, rreth problemit të maskave që nuk duhet të vendosen. Me thënë të drejtën, ne mundëm të dëgjonim vetëm një pjesë të diskutimeve. Vetëm të atyre që po mbajnë peshën më të madhe në politikë. Duke ju uruar mbarësi në festën për nder të kungullit, ju ftojmë ta lexoni dhe të mos jepni mendimin tuaj në adresën lum-këta-për-këtë-popull-kungull@KuvendiShqipërisë.al

Gramoz Ruçi: Sot do flasim për maskat, për festën e Halliuinit. Kush e do llafin?

Taulant Balla: Me leje! A të flas unë?

Gramoz Ruçi: Po flisni...!

Taulant Balla: I mora leje shef Edit, jo ty Gramoz!

Edi Rama: Dil në foltore, o pallë!

Taulant Balla: ...Kthehemi te diskutimet për këtë festë. Unë dua që asnjë nga deputetët në festën e përbashkët që do bëjmë, të mos mbajë maskën e krimbit.

Edi Rama: Nuk kemi përse e mbajmë akoma krimin. Bravo Palla!

Sali Berisha: Ju jeni vetë krimi.

Taulant Balla: Sali ti je shurdh, o plak. Nuk thashë "krimi", por "krimbi".

Flamur Noka: Krimi, e tha Edi juaj, jo Saliu. S'ta mban t'i thuash shurdh Edit, se të përvëlon fare karrierën politike.

Sali Berisha: Hesht Flamur, e mos merr flamurin e mbrojtjes time! Kur jam unë këtu, mbrohem vetë.

Flamur Noka: Sigurisht Shef, por m'u ngacmua nervi trigeminal. Ju, ashtu si unë, keni qenë mjek dhe ne e dimë se ç’është në gjendje të bëjë ky nerv.

Monika Kryemadhi: Boll se na ngrite nervat, me këto muhabete nervash. Diskuto tamam, atë bëj se që kur je ndarë nga forca jonë politike, vetëm budallallëqe thua.

Edi Rama: Qetësohu "motër"! Me qetësi dhe dashuri, siç e di edhe ti.

Petrit Vasili: E bëtë debatin, mjekësor, pa më futur mua në tepsi. Harroni që edhe unë kam qenë mjek, madje specializuar në Romë.

Flamur Noka: Të jetë për specializim: Saliu ka qenë në Paris, e s'po mburret. Roma para Parisit për mjekësi, është si Kukësi përballë Athinës. Meqë ra llafi te Kukësi. E keni katandisur pa mjekë të specializuar. Turp! Qeveri e...

Edi Rama: O Muli, a do llafosim për problemin që jemi mbledhur, apo po?

Flamur Noka: Unë nuk llafos, para Saliut. Madje as ti nuk duhet të flasësh përpara këtij burri!

Taulant Balla: Hesht o Muli, se po të jetë për atë që thua ti, asnjë s'duhet të flasë përpara këtij burrit këtu. Ju "theu në mes" në zgjedhje.

Petrit Vasili: N.q.s. zbatohet protokolli shtetëror, ju të gjithë duhet të heshtni, e të mos flisni përpara këtij burri. Ja përpara këtij që kam në foto, Ilir Metës.

Monika Kryemadhi: A ç'ja u the mirë, Petja. Vetëm unë mund të flas përpara Presidentit të Republikës. Tani të kthehemi te çështja për të cilën jemi mbledhur, se më duhet të shkoj te parukierja.

Petrit Vasili: Fol ti, shefe Moni, meqë me këtë pamjen e kuruar, je tamam femër!

Monika Kryemadhi: Unë kërkoj që për Halliuin, asnjë të mos vendosë si maskë, tepsinë. Po e vendosi, mua do më bjerë direkt të fikët. Nuk e shikoj dot me sy. E dini ç'më ndodhi njëherë me tepsinë e byrekut?

Petrit Vasili: Unë e di, por thuaja edhe këtyre, shefe Moni!

Taulant Balla: Këtu vendos Edi! Shef, a do i japësh leje Monikës që ta thotë?

Edi Rama: Le të flasë, o Palla, se mos e dëgjoj unë atë dhe ty.

Monika Kryemadhi: Një ditë të dielë, nuk dola me Ilirin për peshk në Gji të Lalzit. Donte Iliri të më bënte surprizë. Shtroi petët mbi tavolinë që të bënte një byrek. Sa nxori tepsinë nga rafti i kuzhinës, mua më ra të fikët. Nëse doni të më trembni, më tregoni tepsinë. Ama do ju mbetem në dorë, po ju paralajmëroj.

Gramoz Ruçi: Kërkesën tuaj, sekretaria po e shënon në procesverbal. Kush do llafosë tjetër?

Edi Rama: Meqë ra llafi te gatimi. Unë kërkoj që asnjë prej jush, mos të vendosë si maskë, makaronat. Sa i shikoj, më kujtohet jeta e vështirë e viteve kur isha refugjat në Francë.

Flamur Noka: Për inat të Edit, këtë maskë me makarona do e vendos unë.

Taulant Balla: Ti Muli nuk i vendos dot, se të kujtohen tenderat me ushqime dhe makarona që ke futur në xhep kur ishe Ministër i Brendshëm.

Gramoz Ruçi: Qetësi! Pa zënka. Fjalën e ka Saliu...

Flamur Noka: Saliu e merr fjalën kur të dojë, jo kur ja jep ti Gramoz.

Sali Berisha: Unë kërkoj që maska me fytyrën e Fatmir Mediut, mos të më shfaqet fare. Ai djalë, së bashku me djalin tim, më turpëroi në Gërdec. Dakord? Sigurisht që jeni dakord.

Gramoz Ruçi: Ti Taulant, ç'kërkon?

Taulant Balla: Unë ashtu siç thashë në fillim, kërkoj që asnjë mos të mbajë maskën e "Procesionarit të Pyjeve".

Petrit Vasili: Koncensionarit të pyjeve? Edhe pyjet do i jepni me koncension, o qeveri e kanabisit, o hajdutë të poshtër?!

Taulant Balla: Nuk thashë "Koncensionarit", por "Procensionarit" o plak! Me koncensionarët merret shef Edi. Unë merrem me Procensionarët. Kështu quhen krimbat që kanë rënë në pyjet e qarkut tim në Elbasan. Më morën në qafë, këtë vit, më lanë fukara...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: