Ndahet nga jeta filozofi i futbollit fierak, Vangjel Capo

Ndahet nga jeta filozofi i futbollit fierak, Vangjel Capo
Ndahet nga jeta në moshën 64-vjeçare Vangjel Capo.

Ish-futbollist dhe trajneri i Apolonisë ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje të rëndë.

Vangjel Capo lindi në Fier më 6 dhjetor 1952.  Si futbollist ai ka kaluar një karrierë të shkurtër si mbrojtjes. Pas përfundimit të studimeve te larta në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në Tiranë, Vangjel Capos, iu besua drejtimi i Apolonisë, ekip të cilin e ka drejtuar disa herë gjatë dekadave të fundit.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, nëpërmjet një mesazhi përcolli mesazhin e ngushëllimit për familjen e tij dhe komunitetin e futbollit shqiptar: “I hidhëruar për humbjen e njeriut të dashur të familjes tuaj, më lejoni që në emër të FSHF-së të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Kontributi i tij për zhvillimin e futbollit në qytetin e Fierit do te vlerësohet gjithmonë. I paharruar qoftë kujtimi i tij”.

Vangjel Capo, filozofi i futbollit fierak

Me zërin e fortë prej basi dhe staturën prej analisti të mirëfilltë, ai u bë nxitësi dhe kritizeri, mbështetësi dhe oponenti, ‘’i miri’’ dhe ‘’i keqi’’, që në njerën formë apo tjetrën e ‘’udhëhoqi’’ Apoloninë përsëri drejt ‘’filozofisë’’ fituese, të cilën e krijoi vetë disa dekada më parë.

Fillimet e Vangjel Capos në krye të ekipit të Apolonisë nisën në vitet 1980-të. Në librin e tij ‘’Djemtë e Apolonisë’’, Prof. Kristaq Shtëmbari, biografi i futbollit fierak midis të tjerave thotë: – ’’Në kampionatin e vitit 1983-84 trajner i ekipit të futbollit u caktua përsëri Vangjel Capo, i cili megjithëse moshën e re bëri një punë sistematike e serioze me skuadrën e Apolonisë, duke i dhënë përsëri përparësi sulmit të shpejtë e të befasishëm, riorganizimit të mesfushës me cilësinë që zotëron lojën dhe i jep tonin e shpejtë asaj, duke rritur në mënyra efektive dhe shpirtin luftarak të ekipit, si duke bërë edhe pregatitjen psikologjike të skuadrës. Të  gjitha këto cilësi që filluan të dukeshin në fillim të vitit 1983, mbetën tiparet dalluese të skuadrës edhe në periudhën e ardhshme’’.

Ndërkohë, pas shumë ecejakesh dhe dështimesh për tu rikthyer në elitën e Futbollit Shqiptar, në maj 1985, skuadra e tij shpallet kampione e kategorisë së dytë dhe sezonin tjetër, në edicioin e 40-të, të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, debuton në kategorinë e parë. Një arritje e madhe por njëkohësisht edhe një sprovë për teknikun Capo dhe djemtë e tij. Kjo sepse, deri në atë kohë në qytetin e Fierit ishte krijuar një steriotip i çuditshëm se, këtu mund të nxirrej naftë apo të prodhohej grurë, por kurrësesi nuk mund të bëhej futboll.

Dhe faktet ishin vërtet kokëfortë sepse në këtë drejtim kishin dështuar trajnerë të njohur dhe me emër si Vasip Biçaku, Zihni Gjinali, Kolec Kraja, etj. Por u desh vetëm një vit që kjo ide të mos ekzistonte më. Tani çdo skuadër që zbriste në ‘’arenën’’ e blertë të stadjumit Loni Papuçiu, duhej që ta ‘’pyeste mirë veten’’, përballë lojës së Apolonisë, modulin e së cilës, Capo e kishte shdërruar në një lojë të thjeshtë, të bukur, të qartë taktikisht, me një organizim të menduar mirë e të zbatuar në mënyrë krijuese. Me emra të tillë, ku mund të veçojmë futbollistë si Stefa, Balla, Tegu, Papuçiu, Meçe, Prifti, Kasa, Tare, Bita, Pogaçe, Kokuri, I. Haxhiaj, Paço, Sulaj, Rrapi, Mahmutaj,Tole, Majaci, Demçe, Lutaj, Nuredini, Veliu, Stroni, Nakiçi, Ndreu, Basholli, Jahiqi, Çanole, Gjoka, Gjyli, Mone, Bare, R. Haxhiaj, etj, Apolonia krijoi armën e saj më të njohur, goditjet e shpeshta e të befasishme në çdo pozicion. Kush nuk e kujton nga bashkëkohësit me nostalgji atë periudhë, kur ishte shumë e vështirë të siguroje një biletë për të ndjekur shpërthimet e Majacit, triblimet spektakolare të Kokurit, inteligjencën krijuese të Toles, gjuajtjet e ‘’thata’’ të Poçit, elegancën e kapitenit Tegu, planzhonet e Stefës, apo qëndrueshmërinë prej gladiatori të Meçes.

Në sezonion e parë Apolonia e Vangjel Capos u rendit në vendin e shtatë pas skuadrave më të mira të vendit si: Tirana, Partizani, Dinamo, Famurtari, Vllaznia, Elbasani, etj. Ndërsa futbollisti i saj ‘’fenomeni’’ Majaci u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit me 20 gola.

Në vitet në vazhdim për gjashtë sezone rresht, ky ekip do të dominonte kategorinë e parë të Kampionatit Shqiptar të Futbollit. Përveç futbollit të bukur dhe korrekt, Apolonia e Capos do të kishte edhe arritje të tjera. Pikërisht në vitin 1989 nisi aktivizimi i përhershëm i lojtarëve të saj në ekipin Kombëtar dhe atë Shpresa, si Majaci, Tole, Haxhiaj, Stroni dhe Lutaj, ndërsa vetë Capo arriti të ulet njëhkohësisht edhe në pankinën e ekipit Shpresa si zv. trajner i tij.

Ndërsa në 13 shtator 1989, Apolonia luajti takimin e parë ndërkombëtar të saj në kupën Uefa, ku u ndesh me Okserin e Francës, në gjirin e të cilit luanin disa nga lojtarët më të njohur të Europës, si Martini, Shifo, Kovaç, apo Patrik Boli, i cili vite më vonë do të shënonte atë gol spektakolar ndaj Milanit, duke i rrëmbyer kuqezinjve finale e Champion League. Kështu për mëse një dekadë në krye të pankinës bardhë-jeshil, Vangjel Capo, arriti të krijojë një traditë dhe filozofi fituese, duke e shdërruar Fierin në një qendër të futbollit, i cili do ti shërbente në të ardhmen gjeneratave të reja.

Por cili është jetëshkrimi i Vangjel Capos? Ai  lindi në Fier 6 dhjetor të vitit 1952 dhe nuk vinte rastësisht në botën e sportit pasi këtë gjë e trashëgoi nga tradita familjare. Xhaxhai i tij në vitet e rinisë ishte marrë me atletikë , ndërsa i vëllai Pandi do të ishte sportist, trajner dhe për një kohë edhe drejtues i Klubit-Sportiv, Apolonia. Po kështu edhe kushërinjtë e tij të afërm, vëllezërit Bardhyl dhe Jorgaq Angjeli, do të ishin sportistë të njohur të këtij klubi.

Siç tregon edhe vetë Capo , sportin e nisi qysh në fëmijërinë e hershme kur ishte akoma fëmijë i klasës së pestë. Me ekipet e pionierëve siç quheshin atëhere kam marrë pjesë në të gjitha aktivitetet dhe spartakiadat, për tu përfshirë më vonë në ekipin e të rinjve të Apolonisë, së bashku me Novruz Mellanin, Pirro Bardhin, Mimi Hysën, etj. Nën drejtimin e trajnerit të shquar Fiqiret Kaprata, Capo i ri luajti fillimisht si mbrojtës i djathtë dhe më vonë si qendërmbrojtës. Pas një karriere të shkurtër si futbollist ai ju përkushtua studimeve të larta në Institutine Kulturës Fizike Vojo Kushi në Tiranë. Pas përfundimit të tyre, Vangjel Capos, ju besua drejtimi i Apolonisë, fillimisht në sezonet 1980-1981 dhe 1981-1983, ku ekipi arriti fazën e stanjacionit duke u renditur në vendet e para të kategorisë së dytë. Pas një shkëputje një vjeçare ai do të vijë përsëri në krye të pankinës fierake në sezonin futbollistik 1983-1984. Në krye të Apolonisë ai do të qëndrojë deri në vitin 1992. Me një punë intensive, Capo, futi konceptet e futbollit modern, që tek Apolonia nisi të shihej tek përdorimi i topit, koncepti taktik i lojës, lëvizjet pa top, spostimet në krahë, aplikimet e pasimeve të shkurtëra dhe të gjata, por veçanërisht tek gjuajtjet në portë.

– Së bashku me djemtë krijuam traditën e Apolonisë, tregon tashmë Capo. Ata u rritën me mua dhe unë u rrita njëhkohësisht me ta. Ata mësuan nga unë por edhe unë mësova prej tyre. Investova të gjitha energjitë e mia, vijon më tej ai, duke i shdërruar në personalitete si Stefa, Tegu, Papuçiu, Tole,  Majaci e shumë të tjerë. Celësi i suksesit tonë ka qenë disiplina, përgjegjësia dhe mungesa e të bërit kompromis. Me kualitetet që kisha në atë ekip të viteve 80-të, mund ti merrja të tre trofetë, Kupën, Kampionatin dhe Superkupën, port ë tilla ishin konjukturat e asaj periudhe të komunizmit. Në ato vite të arta kam patur edhe ndihmën e pakursyer të përgjegjësit të ekipit, Prof. Kristaq Shtëmbarit, me të cilin kemi punuar pranë njeri-tjetrit, vijon Vangjel Capo.

– Kristaqi ka qenë orietuesi im në shumë moment. Një pjesë të sukseseve të arritura ja dedikoj punës dhe përkushtimit të tij. Por çelësi i suksesit për cdo trajner qëndron në radhë të parë tek karakteri i tij. Unë asnjëherë nuk jam treguar kapricioz dhe i përkëdhelur. Gjithmonë për problem të ndryshme konsultohesha me ish trajnerët e mi: Fiqeret Kaprata, Petraq Ndreu, Mersin Gjoka, apo të zv. trajnerit Andrea Tanaka.

Në shkurt 1992 në kulmin e krizës politike në Shqipëri, Capo u detyrua të ndahej nga ekipi i tij. Largimi prej Apolonisë u bë me ‘’zemër të thyer’’ pas mosmarrveshjeve që pati me drejtuesit e klubit. I vetmi lehtësim ishte se ekipin ja dorëzoi zëvendëstrajnerit, ish kapitenit të Apolonisë së tij , Sotiraq Tegut.

Megjithatë karriera e tij vijoi me ‘’zigzake’’ ashtu si shumë trajnerë në vitet e çuditshme të tranzicionit. Për disa sezone drejtoi ekipin ballshiot të Bylisit në superligë, duke shënuar edhe suksesin më të madh të tij, siç ishte përfaqsimi në kupën Uefa në turin Intertoto, ku u ndesh me Krakovian e Rumanisë .  Gjithashtu për disa kohë ai ishte edhe në krye të pankinës së Naftëtarit të Kuçovës, Albetrolit të Patosit dhe Fierin në kategorinë e dytë.  Pas këtyre përvojave Capo do të merrej me futbollin e grupmoshave të vogla si dhe do të bënte njëhkohësisht dhe analistin mediatik, duke ruajtur gjithmonë profilin e tij prej eksperti dhe karakterin e papajtueshëm me dukuritë negative të futbollit të sotëm. Me këtë staturë, ‘’autoritetin e ekspertit’’ ai vazhdon të ndjekë çdo ndeshje të Apolonisë nga shkallët e stadiumit, apo të jëtë aktiv, duke ‘’studjuar’’ çdo ndeshje të rëndësishme që nga Campions League e deri tek kampionatet më të rëndësishme të Europës. Pa u shkëputur asnjë ditë nga futbolli aktiv dhe viziv, Xhela, siç e njohin të gjithë në Fier, profesor Capon, mbart në vetvete edhe një peng të vjetër. Ndoshta duhej të shkruanim profilin e tij për Fieri.com, që ta bënim publik atë.

Është sfida e fundit që kërkoj nga vetvetja dhe qyteti im, thotë i sigurtë ai. Dëshiroj të jem edhe njeherë në krye të pankinës së Apolonisë.  Pas një meditimi të gjatë, tashmë jam në një moment ku me përvojën dhe energjitë që zotëroj mund të jap akoma një kontribut të madh, ashtu si dikur përpara disa vitesh.

Ky është sinjali që ‘’Trajneri Historik’’ i pankinës fierake lëshon në drejtim të presidencës së Apolonisë. Të shpresojmë që ky komunitet ta dëgjojë këtë kërkesë të mjeshtrit. Komuniteti ynë, i cili këto vitet e fundit ka dhënë aq e aq tituj nderi dhe qytetarie edhe njerëzve që nuk kanë patur ndonjë konribut të drejtëpërdrejtë për të, nuk ka pse ta privojë Vangjel Capon nga një dëshirë e tillë fisnike. A nuk do të ishte ky vlerësimi i vetëm që kërkon ky njeri nga ne!  Dhe cili vallë? Vangjel Capo, ai që krijoi mitin dhe filozofinë e futbollit në Fier.

 

Ilirjan Gjika (historian)

Shpërndajeni me miqtë tuaj: