Ndeshjet me Spanjën e Italinë, Duka zbulon mesazhin e De Biasi-t

Ndeshjet me Spanjën e Italinë, Duka zbulon mesazhin e De Biasi-t
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, pas një takimi që pati me Kombëtaren U-19, drejtuar nga Erjon Bogdani, në prag të nisjes së ndeshjeve eliminatore për Europianin e këtyre grupmoshe, u shpreh:

“Nëse nuk fillon ta përgatisësh lojtarin që 6 vjeç, nuk mund të kesh ekip të parë. Kujdesemi maksimalisht për moshat që të kemi të ardhme sa më të sigurt dhe mendoj që e kemi të mirë. Nis aktiviteti për U-19 që fatmirësisht e kemi në Shqipëri, i kam kërkuar djemve të japin maksimumin për fanellën që kanë veshur dhe të marrin rezultat pozitiv.”

Presidenti i FSHF-së, Duka kërkon maksimumin nga Kombëtarja, i vetëdijshëm se edhe mungesat janë një pengesë më shumë për të pretenduar pikë.

“Me Spanjën dhe Italinë? Janë dy ekipe shumë të forta, dy kampionë bote. Por, ne nuk jemi ekip për të pranuar humbjet kundër tyre. Ne do të bëjmë maksimumin. Duhet të bëjmë gjithçka mirë edhe pse fatkeqësisht kemi shumë mungesa. Ndaj kundërshtarëve të tillë kampionë bote duhet të kesh 30 lojtarë. Megjithatë, besoj se ata që do të luajnë do të bëjnë më të mirën dhe mund të arrijmë diçka.”

Sipas Dukës, përballë dy skuadrave që kanë fituar tituj botërorë, kemi shansin për të promovuar imazhin e futbollit shqiptar.

“Në grup është thuajse gjithçka e vendosur dhe lojtarët nuk kanë përse të kenë presion. Janë ndeshje që do të tërheqin vëmendjen e ndërkombëtarëve dhe duhet të promovojmë futbollin shqiptar.”

Ish-trajneri Gianni de Biasi, para ndeshjes me Spanjës, dhe një dëshirë për të përfituar nga situata aktuale në kampin iberik.

“Gianni De Biasi më ka dërguar sms ku më tha shpresoj të fitoni me Spanjën dhe të bëheni heronj të Italisë. Ndërsa unë i thashë që fitojmë me Spanjën dhe me Italinë. Spanja është një nga skuadrat më të mira në botë që ka kualitet pavarësisht problemeve të brendshme. Megjithatë le t’i shfrytëzojmë konfliktet e tyre të brendshme në këto momente, ndërsa më tej pastaj ata mund t’i zgjidhin këto çështje pas ndeshjes tonë.”

Me fushatën kualifikuese drejt mbylljes, një bilanc për edicionin e eliminatoreve, ku djeg ajo humbje në shtëpi përballë Izraelit.

“Vendi i tretë? Mund të themi se nga ky kompeticion kemi marrë atë që të paktën kishim llogaritur në fillim. Pishman është vetëm humbja me Izraelin në shtëpi. Objektivi mund të konsiderohet i arritur. Por kemi edhe dy ndeshje, mund të kërkojmë edhe më tepër. Nuk mund të dorëzohemi ende pa u mbyllur aktiviteti.” /a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: