Në Halloween hiqni maskat!

Në Halloween hiqni maskat!
Nga Juela Meçani

Ndoshta do kërkoni një maskë prej maceje mikluese, nga ato që mjaullijnë rëndom në përditshmërinë tuaj, fantazitë le të vërshojnë. Ndoshta do të kërkoni dy brirë prej djallusheje, fundja ky roli i gocës së mirë nuk ju shkon më për shtat, e ndoshta edhe një veshje shtrige, se mjaft me paqen që ju vë në gjumë egon dhe iniciativën. Ti djalosh, ndoshta do kërkosh një tutë supermeni, se më në fund do shkulësh nga sub-ndërgjegjia talljet e shokëve të klasës, ose do marrësh fuqi, qoftë edhe për një natë, mbi atë shefin despotik, ose figurën e rëndë të babait që mendonte se duke qenë i egër e harbut, do bëheshe më burrë. Por thellë-thellë, në çdo maskë e nën maskë, do kërkoni vetveten, atë që donit të ishit e që shoqëria nuk ua lejon të jeni.

Po si do ia bëjnë ata që janë në rol çdo ditë? Që jetën e kanë një skenë tragji-komedie? Me sa pasqyra do të luajnë “mbretëreshat” e liga, që kuisin “o pasqyrë o pasqyrë” mos e lër atë specialisten e re e të bukur të ndriçojë më shumë se unë, as atë vajzën e forumit rinor të partisë që të dalë në pah, se jam unë e para, jam unë më e mira. Bjeri o t’i biem! Fundja edhe me mua kështu janë sjellë e shpesh, kush pëson në jetë, nuk bëhet më i mirë, përkundrazi, bëhet më i hidhur se xhelati i vet!

Po ai biznesmeni që dikur kishte ngrënë sallatën e oborrit të vet, e që sot vë maskën e borgjezit dhe merr çarter që të hajë darkën në kullën me drita të perëndimit? Vallë do ta heqë maskën, apo do vërë një më të sofistikuar, atë të garipit që bën jetë të shëndetshme në periferi?

Rrugëve të këtij qyteti me zhurmë e pluhur, me ushqim të intoksikuar e ndotje karakteriale, parakalojnë maska gjatë gjithë kohës, zbresin nga autobusi, marrin taksi, shkojnë në supermarket, stërviten në palestër, blejnë rroba të shtrenjta, shkojnë tek kafeneja ku shkojnë politikanët dhe ata të televizioneve, zgjedhin Tailandën, ose dhe Golemin. Sepse maskat tashmë i kemi poshtë lëkurës, që në vitet e largëta kur maskoheshim të lumtur, edhe kur prisnim në radhë tollonin. Maskat bëjnë pjesë në mënyrën sesi i shohim të tjerët, duke ruajtur shpinën edhe nga fisi e gjaku, duke zgjedhur në jetë dashurinë me pak interes brenda. Maska që nuk na lejojnë të heqim këpucët, si Richard Gere tek filmi kult “Pretty Woman”, e të ecim në bar zbathur, të ndjejmë natyrën nën vete, të braktisim rolet e të jetojmë ashtu si Zoti na ka krijuar.

Ndaj në këtë vend që feston një mbrëmje maskash, le të hiqen maskat pikërisht atë natë. Le të dehen njerëzit pa drojë, le të thurin poezi jo fshehurazi, le të shahen e të nxjerrin dufin. Fundja a nuk e ka bërë bisturia këtë proces maskimi, pa pritur festën? Nuk e kanë bërë kollaret e administratave partiake? Po klubet sportive që shkretuan familjet nga paratë me baste të cilat vendosen në tavolinë me truke kollarexhinjsh? Maska është naiviteti ynë se fijet e jetës tonë i luajmë ne. Hiqini maskat, le të mbeteni vetëm ca kohë; kush do, mbetet me ju më pas, është i ose e duhura! Përzgjedhja natyrale e një xhungle tranzicioni!

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: