Në modë, sepse jashtë saj

Në modë, sepse jashtë saj
Nga Juela Meçani

Tashmë jemi pjesë e një rrjeti global, në çdo aspekt të jetës. Duam apo nuk duam, përmes eksperimenteve siç janë rrjetet sociale, televizioni, politika, showbiz-i, ndikohemi aq shumë sa që, po t’i hedhësh një sy realitetit të përditshëm, ka një klonizim në sjellje, veshje, stil apo mënyrë jetese.

Është bërë rutinë e vështirë për mos të të stresuar edhe e bukura, në sensin e modës, grimit profesional që tashmë përdoret në jetën e përditshme, modës në konceptin e jetesës, madje edhe kalimi i fundjavës është bërë pjesë e rrjetit global dhe i nënshtrohet një mode të ndikueshme. Sinjale të pandalshme na vijnë edhe mbi vendet ku duhet të çojmë fëmijët për kurse jashtëshkollore, ose si vajzat e vogla duhet të ushqehen me sensin e bukurisë dhe paraqitjen, teksa gëlojnë konkurset e bukurisë për të mitur, të cilat kanë zëvendësuar bindshëm, kurset e dikurshme për balet klasik, recitim, pikturë.

Njerëzit kanë një si farë detyrimi, të jetë në modë. Edhe në momentin që nuk mundet ose xhepi nuk ia lejon, përpiqet me të gjitha mënyrat, duke u lëshuar në tregje malli të përdorur, duke blerë veshje dhe produkte grimi false në internet ose duke shkëmbyer mes njëra-tjetrës veshje, aksesorë dhe bizhuteri. Sepse të jesh në modë, është ligj i pashkruar, sepse të jesh në modë është dhe një nga arsyet kryesore përse jemi në stres. Stres? Po dhe po!

Një stres që na vret nga pak, për të pasur çdo gjë që na duhet për të qenë në modë, një arsye trishtimi dhe ankthi, nëse nuk je një e ose i tillë. Stres keqbërës, nëse je i padukshëm ose e padukshme, nëse je normal. E për t’u dukur, do të bëje çdo gjë që ke dhe nuk ke në dorë. Do të përdorje çdo mjet dhe çdo mundësi që të jepet. E të gjitha këto, jo për të qenë i lumtur, jo për të qenë mirë me veten, as për të bërë të lumtur të tjerët. Por, vetëm e vetëm, për të qenë çfarë në fakt nuk je. Për t’u bërë dikush tjetër.

Nuk do të zëmë kurrë mend nga modelet që vuajnë nga depresioni, sepse luajnë një rol të sforcuar. Nuk kemi zënë dukshëm mend, as nga personazhet publikë të përtej oqeanit, që pavarësisht se janë në modë, e kanë shumëçka, duket qartë se ju mungon shumëçka dhe zhyten në avuj alkooli ose eliksir të bardhë me vija. Jemi me vonesë në këtë turravrap kopjimi, të paktën 70 vjet me vonesë, e si të gjitha gjërat që nuk bëhen në kohën e duhur, i bën me etje dhe nxitim.

E pra, teksa personazhet e njohur botërorë po investojnë drejt vreshtave, të izolohen në kodra e male, buzë liqeneve, apo të maskohen kur shkojnë në supermarket, ne bëjmë të kundërtën. Atlete me pallto? O burra, me mijëra rrugëve, të gjithë njëlloj. Tuta, mëngjes drekë e darkë? Pse jo, edhe me taka? Dhe ja ku shtohen si me makineri, në çdo cep. Flokë mbi supe, se i ka prerë ajo? Mjafton të dalësh në një rrugë qendrore dhe e shikon që të duket vetja në një film fantashkencë, ku raca njerëzore është bërë pa ato dallimet që na bëjnë aq të larmishëm.

Sa shëmtuar që kemi vuajtur aq shumë për lirinë, e sot në stilin vetjak, që duhet të na karakterizojë dhe dallojë, jemi aq robër të të tjerëve. Sikur po me aq zell të punonim për të qenë të ndryshëm, ndoshta nuk do na mërzitej kaq shpejt njëri- tjetri. Në modë, sepse jashtë saj! E tha moj e tha, po kujt ia tha!

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: