NJË DIMËR I "NXEHTË", PAS VERËS SË "FTOHTË"!- OPINION NGA ALFRED PEZA

NJË DIMËR I "NXEHTË", PAS VERËS SË "FTOHTË"!- OPINION NGA ALFRED PEZA
Nga ALFRED PEZA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Kampet politike në Shqipëri, ende nuk janë ripozicionuar përfundimisht, për t’u përballur sipas një strategjie të qartë politike, në sesionin e ri parlamentar dhe në fillim të këtij mandati të ri politik katërvjeçar. PS-ja dhe Kryeministri Rama, sapo kanë ngrohur motorët dhe tashmë i kanë përcaktuar qartë piketat e destinacionit ku duan të mbërrijnë, pas udhëtimit që sapo ka nisur. LSI-ja vazhdon të endet në dilemën e deklarimeve, mes të qenët në opozitë me shumicën apo me krimin. Ndërkohë që PD-ja, ka më shumë energji për të shpenzuar, për luftërat e saj të brendshme, sesa për betejat e ardhshme opozitare.

Deklaratat e forta të ambasadorit amerikan, Donald Lu, ditët e fundit, i kanë shkundur palët. Ai ka folur jo vetëm shqip, si edhe shumë herë të tjera, por edhe me emra të përveçëm, duke e vendosur gishtin jo vetëm mbi plagët reale të sfidave të vendit, por duke caktuar edhe një kufi limit kohor, për realizimin e objektivave të prekshme, sidomos në luftën ndaj 4 klaneve dhe 20 familjeve mafioze, që dominojnë skenën shqiptare.

Kjo situatë të kujton vargjet e Nolit, "se pas dimrit vjen një verë/ që do kthehemi njëherë...", por tashmë në një version të përmbysur të raportit me ligjësitë e natyrës, duke marrë trajtën e re: Se pas verës, vjen një dimër... E që e thënë akoma edhe më shqip, e gjitha çfarë po ndodh, paralajmëron një dimër "të nxehtë", madje shumë të nxehtë, pas një vere "të ftohtë".

Për shkak të formulës kushtetuese, pas zgjedhjeve krijohet një gati vakuum në qeverisjen me kapacitet maksimal të vendit, për shkak se duhet të kalojnë gati tri muaj nga dita e votimit dhe shpallja e fituesit të zgjedhjeve, deri në krijimin dhe fillimin praktikisht me rendiment të lartë të punës së qeverisë së re. Ishte pikërisht kjo periudhë, që përkoi edhe me stinën e verës, ajo që detyroi vendin të kalojë një stinë vere "të ftohtë" nga ana politike. Kohë gjatë së cilës edhe mediat, gati gati, punuan në boshllëk dhe me gjithë sforcimin e tyre të hatashëm, herë - herë, nuk ia arritën dot të ndiznin ndonjë shkëndijë për të qenë.

Kjo periudhë mori fund nga dhjetëditëshi i parë, deri diku nga mesi i shtatorit, dhe që atëherë kanë kaluar 2-3 javë dhe gati një muaj, e, dalëngadalë, rrjedha politike e vendit po futet në një shtrat të ri, me një ritëm dhe vrull krejt tjetër. Shenjat e para janë dhënë, por edhe afati i fillimit të marrjes së rezultateve të para të reformave të rëndësishme, që u miratuan gjatë mandatit të parë të qeverisjes së majtë, pritet që t’i japin edhe më shumë impulse kësaj pritshmërie.

Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, gjatë një takimi me magjistratët e rinj, paralajmëroi se javën e ardhshme fillon vetingu në sistemin e drejtësisë, ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Një proces i shumëpritur, në dukje, nga të gjithë, por që në fakt ka filluar të krijojë edhe frikërat e para të mëdha, jo vetëm brenda sistemit, por edhe në pushtetet e tjera ku individë, grupe dhe klane të caktuara e kanë të lidhur fatin e tyre me atë të një pjese të "viktimave" të reformës së madhe që pritet të ketë në drejtësi.

Të gjitha këto, por edhe disa faktorë të tjerë, që lidhen me vetingun brenda radhëve të policisë së shtetit të shpallur nga ministri i Brendshëm, z. Fatmir Xhafa, dhe hapat që duhen ndërmarrë përpara marrjes së datës për fillimin e negociatave të pranimit të Shqipërisë në BE, po krijojnë parakushtet për të kuptuar që tani, se dimri që kemi përpara, ka për të qenë "i nxehtë", madje "shumë i nxehtë" për Shqipërinë.

Disa aktorë apo faktorë publikë, madje shkojnë edhe më larg, kur si edhe ata që parashikojnë, herë pas here, fundin e botës që nuk po vjen e sigurisht që nuk mund të vijë, parashikojnë që dimri mes 2017-s deri në pranverën e 2018-s, pritet të jetë stina e ferrit për ata që do i nënshtrohen reformave të thella, goditjes nga ligji dhe nga aksionet e policisë së shtetit, në bashkëpunim edhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe partnerët ndërkombëtarë.

Fitorja e parë, në këtë drejtim, duket se u arrit me një fushatë me tolerancë gati zero në drejtim të luftës kundër mbjelljes, kultivimit dhe korrjes së bimëve narkotike. Duke i sjellë vendit, përgjatë këtij viti kalendarik, një tjetër provë serioziteti dhe besueshmërie, si brenda ashtu edhe në planin rajonal e ndërkombëtar. Prova e zjarrit për këtë qeveri, sigurisht mbetet periudha e pranverës së ardhshme, kur që tani, ka filluar puna për parandalimin dhe nxjerrjen e Shqipërisë, njëherë e përgjithmonë, nga harta e vendit të prodhimit dhe të origjinës së trafikut të këtyre lloj drogave. Një premtim i dhënë nga Kryeministri, që ashtu si edhe me shumë premtime të forta e të mbajtura gjatë mandatit të parë, është në optikën e medias dhe opinionit publik dhe partnerëve të huaja, për t’u mbajtur.

Arritja e këtij objektivi është një provë edhe më e madhe, po të kemi parasysh, se me anë të saj, do të demonstrohet një shprehje e vullnetit të kësaj shumice për luftë pa kompromis ndaj krimit dhe fenomeneve të tjera që sjell ai për shoqërinë.

Pritshmëria e një stine "të ftohtë", ka prodhuar deri tani dy pamje, dy qasje, dy tendenca apo dy realitete. Kemi, nga njëra anë, luftën virtuale nëpërmjet deklaratave publike, artikulimeve, qëndrimeve dhe shkrimeve e komenteve si nga politika, diplomacia dhe media. E nga ana tjetër, të gjithë janë në pritje të rezultateve reale të këtyre betejave të saposhpallura, por që ende është shumë herët të prodhojnë një produkt të prekshëm, konkret dhe fruta, shija e të cilave mbetet për tu provuar.

Më shumë sesa optimizëm, edhe faza në të cilën ndodhemi, krijon më së shumti pritshmëri e pse jo edhe skepticizëm, së pari nga njëra anë nga opinioni i brendshëm publik dhe nga ana tjetër, edhe tek partnerët tanë ndërkombëtarë. Kjo po të kemi parasysh deklaratat e herë pas hershme në të shkuarën të drejtuesve të institucioneve më të rëndësishme dhe agjencive antikrim, për arrestime dhe ndëshkime në majën e piramidës së të keqes në këtë vend, të cilat kanë kaluar thjeshtë dhe vetëm si ca lajme bombastike, për një ditë për t’u zhytur në harresë. E për t’u përsëritur e përsëritur në fillim të çdo sezoni të ri politik apo viti kalendarik.

Pavarësisht problemeve të mëdha që mund të ketë opozita aktuale parlamentare, qoftë me njëra-tjetrën si PD-ja ashtu edhe LSI-ja, apo brenda tyre, apo në raportet e tyre me shumicën, një gjë të paktën është e sigurt: Asnjëra prej partive kryesore politike e parlamentare në Shqipëri, nuk ka ngurruar ta mbështesë qoftë nisjen e implementimit të reformës në drejtësi, qoftë luftën kundër krimit të organizuar, klaneve dhe familjeve mafioze  në vend. Kjo nuk është një gjë e re për realitetin politik shqiptar, gjatë këtyre 27 viteve. Problemi nuk është tek artikulimi publik, tek qëndrimet dhe deklaratat publike. Çështja është tek mbështetja reale, bashkëpunimi real, vullneti i palëkundur real në praktikë dhe tek hapat e duhur realë që duhen ndërmarrë, për të patur një stinë të nxehtë, por që duhet të shndërrohet në dimrin më të madh kundër paligjshmërisë, kundër kulturës së mos ndëshkueshmërisë dhe kundër mafies, klaneve dhe familjeve mafioze në Republikën e Shqipërisë.

Vetëm kështu do të arrijmë të kemi rezultate reale e të prekshme në praktikë, në drejtim të implementimit të reformës së madhe, në të gjithë piramidën e drejtësisë shqiptare, në luftën kundër krimit të organizuar dhe ardhjen e një klime gjithnjë e më të mirë të besimit të investitorëve të huaj, kapitalit të tyre dhe atij vendas, rritjen gjithnjë e më të madhe ekonomike të vendit, hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e të ardhurave dhe standardit social ekonomik të qytetarëve dhe familjeve tona.

Vetëm në këtë mënyrë, pas verës së "ftohtë" dhe dimrit të "nxehtë", do të mund të kemi në 2018-, një pranverë të begatë, për t’i krijuar vendit për herë të parë, të gjitha premisat reale për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: