Operacioni / Habilajve u sekuestrohen bizneset e llogaritë bankare, arrestohet i kërkuari Fredi Hoxhaj

Operacioni / Habilajve u sekuestrohen bizneset e llogaritë bankare, arrestohet i kërkuari Fredi Hoxhaj
Operacioni për arrestimin e “Bandës së Babicës” ka vijuar me sekuestrimin e bizneseve të vëllezërve Habilaj por dhe me evidentimin dhe bllokimin e llogarive bankare të këtij grupi kriminal.

Drejtori i Policisë së Vlorës Gentian Shehaj doli sot në një deklaratë për median për të bërë publike vijimin e këtij operacioni.

Ai tha se janë sekuestruar 3 aktivitete biznesi, 5 automjete dhe një mjet lundrues gjithashtu kanë vijuar kontrollet në disa objekte dhe prona në pronësi të vëllezërve Habilaj, për kapjen e pjesëtarëve të kësaj bande, por edhe sekuestrim të lëndës narkotike, pasi dyshohej se në këto objekte mund të kishte sasi të lëndës narkotike të fshehur.

“Në vijim të Mega - Operacionit "Banda e Babicës", të zhvilluar nga Policia e Vlorës nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë dhe mbështetjen e Repartit Delta Forcë, ku u sekuestrua 4 ton Cannabis Sativa, armë gjahu, municion luftarak, mjet lundrues dhe u arrestuan dy shtetas, ju informojmë se: Operacioni për identifikimin dhe kapjen e pjesëtarëve të bandës së Babicës, gjetjen dhe sekuestrimin e lëndës narkotike që mund të jetë fshehur nga kjo bandë është në vijim”, deklaroi Shehaj.

Sipas tij, Policia e Vlorës në sinkronizim të plotë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka vijuar kontrollet në disa objekte dhe prona në pronësi të vëllezërve Habilaj, për kapjen e pjesëtarëve të kësaj bande, por edhe sekuestrim të lëndës narkotike, pasi dyshohej se në këto objekte mund të kishte sasi të lëndës narkotike të fshehur.

“Policia e Vlorës ka vijuar punën për identifikimin dhe sekuestrimin e aseteve dhe pasurive që rrjedhin nga kjo veprimtari kriminale ku ka referuar në Prokurori materialet në ngarkim të vëllezërve Habilaj, për veprën penale të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’, për 3 aktivitete biznesi, 5 automjete dhe një mjet lundrues.

Po në këtë kuadër po bashkëpunohet me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave për evidentimin dhe bllokimin e llogarive bankare të këtij grupi kriminal.

Në lidhje me aktivitetin kriminal të këtij grupi theksojmë edhe njëherë faktin se Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë në datën 30 Prill 2017 ka referuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda materialet procedurale për grupin kriminal të njohur si ‘Habilaj’, pas informacioneve të siguruara për aktivitetin kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve”, vijoi Shehaj.

Gjatë natës në vijim të operacionit dhe kontrolleve të ushtruara nga policia lokale Vlorë dhe FNSH Fier u kap një person në kërkim ndërkombëtarë, konkretisht shtetasi Fredi Hoxhaj, 42 vjeç, banues në fshatin Rromës, Bashkia Selenicë, shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Gjykata e Catanzaros, Itali për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në akset rrugore dhe lokalet e natës, në një lokal nate u arrestua në flagrancë shtetasi Musto Kapaj, 26 vjeç, banues në fshatin Gjorm - Vlorë, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” të parashikuar nga neni 279 i Kodit Penal, pasi u kap me një armë e ftohtë, thikë./l.k./

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: