OPINION NGA PLATOR NESTURI - TË GJITHË AKUZOJNË TË GJITHË DHE TË GJITHË DALIN PIS

OPINION NGA PLATOR NESTURI - TË GJITHË AKUZOJNË TË GJITHË DHE TË GJITHË DALIN PIS
Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Histori me kriminelë, policë, politikanë dhe prokurorë

Nga PLATOR NESTURI

Stuhia filloi. Ndoshta krejt papritur e kur askush nuk do ta shkonte nëpër mend, por dosja e përgjimeve ardhur nga përtej detit, pritet të shkaktojë një valë të madhe arrestimesh, si dhe zhvillimesh të reja politike. Të ngjan si me uraganin Ofelia që, po ashtu, në mënyrë të papritur, nuk shkoi të godasë në Karaibe apo në brigjet e Floridës, siç bëjnë uraganet e tjerë. Një kthesë e beftë e Ofelisë dhe goditi brigjet e Portugalisë e të Spanjës, duke shkaktuar jo pak dëme, të cilat nuk i parashikonte askush. Njësoj si dëmet që mund të prisnin trafikantët në Shqipëri, pasi sipas përgjimeve, gjithçka e kishin në kontroll. Madje dhe vetë policët të cilët mund t’i përdornin dhe si punëtorë ngarkim-shkarkimi, në brigjet e Porto Palermos.

Goditja e një grupi kriminal apo trafikantësh droge, gjithsesi, nuk është ndonjë ngjarje e hatashme. Vetë të zotët e punës, ndërsa i futen këtij lloj aktiviteti, i dinë mirë rreziqet e profesionit e që mund të përfundojnë edhe pas hekurave. Ajo çfarë bën bujë, e na nxjerr zbuluar në sytë e të huajve, është se këtu qenka një truall parajse për eksponentët e trafikut e të krimit, pasi prej autoriteteve shtetërore këtyre tipave, nuk u ndodh asgjë. Edhe trafikantët e huaj italianë kanë zgurdulluar sytë kur, ndërsa shohin furgonë policie në rrugën Himarë-Sarandë, trimat tanë i qetësojnë duke u thënë se "dhe ata janë tanët". Njerëzit e "tyre" dalin deri në pikën e kontrollit të hapësirës detare. Dhe të mendosh se jemi vend i NATO-s.

Gjithçka duket e kalbur, e infektuar dhe e shëmtuar. Një fëlliqësi që nuk filloi sot, as para një viti apo tre vjetësh. Por që ka kohë, e për këtë kanë “meritë” të gjithë, majtas e djathtas, që kanë qenë në pushtet. Pasi strukturat shtetërore veçanërisht policia, në gjithë këto vite, janë përdorur. E ndërsa janë përdorur nga politika e pushteti deri në përdhosje, çfarë ndryshimi ka se po i përdorin dhe trafikantët. Madje, ata të paguajnë më mirë. Jo si pushteti që nuk u paguan as punën jashtë orarit. Dhe nuk është çudi të përdoret sërish, edhe pasi stuhia të ketë rënë, pasi ka marrë kokën e ndonjë politikani e ca shefash policie.

Rasti i përgjimeve të ngjan me atë çfarë ndodhi në Maqedoni, kur plasën skandalet e përgjimit të politikanëve. Tek ne ama, pazari ka rënë më poshtë akoma. Nuk janë të regjistruar ministrat e deputetët teksa bëjnë ndërhyrje për korrupsion në ndonjë tender. Por përgjime nga njerëzit e botës së krimit, ku përmenden emra politikanësh që bashkëpunojnë me ta apo që u dërgojnë pjesën e parave. Vetëm arroganca e të qenit të sigurt në këtë mjedis, ua lejon këtë shpërfillje e mendjelehtësi sa të përfshijnë në bisedat e tyre politikanët si të barabartë me ta dhe shefat e policisë si çirakët e tyre.

Çështja sidoqoftë, duhet shtruar më tej. Dakord. E mësuam të gjithë, dhe për ta që s'mund ta besonin, se deri ku ka vajtur infeksioni në strukturat e shtetit. Por më tej, si i bëhet? Si do të zgjidhet? Apo e hëngri kush e hëngri dhe ta mbyllim për të shpëtuar të tjerët? Nëse për Saimir Tahirin, së paku, fati politik u vendos si i mbyllur, pasi dënimi duhet të ndjekë procedurën ligjore, nëse arrestohen edhe ata 30 emra policësh që përmenden në përgjime, apo bashkë me të gjithë këta, shkon dhe ndonjë kokë tjetër e rëndësishme, a u zgjidh problemi?

Lëvizjet e deritanishme politike, nga secila palë, duket se po tentojnë thjesht një marrëveshje po mbi baza politike. Kryetari i PD-së kërkon dorëheqjen e Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike. Ndërkohë, eksponentë të PS-së e media pranë qeverisë, i kujtojnë Bashës se dhe ai është pis dhe ka llogari të pambyllura me drejtësinë, për rrugën e Kombit. E njëjta gjë edhe për eksponentët e LSI-së. Të gjithë akuzojnë të gjithë dhe të gjithë dalin pis.

Një problem jo i vogël ky, pasi të dyja palët e kishin bërë pis Parlamentin e kaluar me elementë kriminalë. Të dyja palët kanë qeverisur këtë vend, e i kanë lënë trashëgim njëri-tjetrit, skandale të pazbardhura e që si ka prekur as pasardhësi. I kanë lënë njëri-tjetrit, institucione të përdorura e të nëpërkëmbura e që thjesht janë përdorur sërish nga padronët e rinj, me të njëjtën arrogancë. Ndaj, me shumë gjasë, një marrëveshje politike do t’i mbajë të gjithë në lojë, pasi kështu nuk do të ndryshojë asgjë. Në fund të fundit, një marrëveshje Rama-Basha përpara zgjedhjeve, ekziston. A do të ketë avancim deri në bashkëqeverisje, në këto kushte të reja? Ende të presim. Siç do të presim se, deri ku do të shkojë kjo stuhi me kriminelë, policë, politikanë dhe prokurorë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: