Opozita e akuzon për Tahirin, Rama sulmon “kazanin”

Opozita e akuzon për Tahirin, Rama sulmon “kazanin”
Kryeministri mban fjalim përpara drejtuesve të Policisë së Shtetit, duke paralajmëruar betejë më të ashpër me krimin. Akuzon gjyqësorin, politikën dhe mediat. Lulzim Basha: Po u jep garanci publike Tahirit dhe kriminelëve. Petrit Vasili: Prokuroria të hetojë “policinë politike” të Ramës

Kryeministri, Edi Rama, ka takuar drejtues të Policisë së Shtetit, duke paralajmëruar një betejë më të ashpër kundër krimit.

Kryeministri tha se beteja nuk do të ndalet vetëm me arrestimin e kriminelëve e trafikantëve, por edhe me sekuestrimin e pasurive të tyre, sikurse edhe të zyrtarëve të korruptuar prej tyre.

“Nuk do të shpëtojë asnjë punonjës policie që ka punuar në polici e ka pasuri të pajustifikueshme,” – theksoi kryeministri Edi Rama, para drejtuesve të Policisë së Shtetit, të mbledhur për një analizë të situatës së fundit.

Rama u tha drejtuesve të uniformave blu se të gjitha ata që punojnë me përkushtim duhet të vijojnë punën, pasi flamurin e Policisë së Shtetit që është ngritur nga qeverisja e drejtuar prej tij “nuk ka baltë që e rrëzon”. “Nuk është hera e parë që fortuna e kazanit të politikës dhe të mediat ngrihet mbi punonjësit e policisë”.

Dalja publike e Kryeministrit Rama vjen në kulmin e akuzave ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të drogës.

“Qëllimi i daljes së Edi Ramës para drejtuesve më të lartë të policisë ishte t’u jepte garanci publike kriminelëve se, pavarësisht ngjarjeve të fundit, ai e ka në kontroll policinë, se Saimir Tahiri është i sigurt, se interesat e krimit janë të mbrojtura e nuk do të preken”, ishte reagimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Shefi i opozitës dha një tjetër panoramë të drejtuesve të policisë që, sipas tij, zbardhet në përgjimet e antimafias italiane.

“Shefat e policisë së Edi Ramës janë hamej që ngarkojnë gomonet e drogës, mjetet e policisë së Ramës janë në dispozicion të trafikut, radarët e policisë së Edi Ramës ndizen e fiken me urdhër të trafikantëve, trafikantët kujdesen edhe për dhuratat për festa për ministrat”, tha Basha.

Edhe LSI ka reaguar ndaj fjalimit të Kryeministrit.

“Kjo nuk është policia që duam, Shqipëria është kthyer në një narko-shtet”, tha kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, sipas të cilit, prokuroria duhet të hetojë momentin kur Rama bëri thirrje që policia të kthehej në parti politike.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: