PASQYRAT NUK KA KUSH T’I THYEJË MË - OPINION NGA SONILA MEÇO

PASQYRAT NUK KA KUSH T’I THYEJË MË - OPINION NGA SONILA MEÇO
Nga SONILA MEÇO

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Pak ditë më parë, me vetësiguri tipike sikur të qe kryeministri i një vendi shumëmilionësh, pjesë e G20-ës, përcaktues strategjish gjeopolitike me ndikim në tre kontinente, zoti Rama akuzonte Brukselin për marrëdhënie të padrejta me Shqipërinë. Europa akuzohet prej tij si e paaftë, për të hapur negociatat me Shqipërinë, se po i jep përparësi procesit të integrimit të Serbisë dhe Malit të Zi, duke injoruar vendin tonë. Pyetjet e gazetës gjermane, “Frankfurter Rundschau”, në disa raste, bartin habinë, por edhe vetë përgjigjen për atë që konsiderohet injorim nga kryeministri shqiptar, sepse ndryshe nga mbulesa e vetësigurisë tipike të një udhëheqësi shkëputur nga realiteti, në Gjermani e kudo në Europë, ka mbërritur me kohë nami i keq i vendit të trafiqeve, krimit të organizuar, ofruesit të emigracionit masiv dhe zgjedhjeve të vjedhura. Për zotin Rama, frika e udhëheqësve europianë për të avancuar projektin integrues të Shqipërisë, është çmenduri.

Për çfarë çmendurie po i hakërrehemi udhëheqësve Europianë, ne vendi i statistikave të tmerrshme të prodhimit e trafikimit të lëndëve narkotike, të tonelatave të kanabisit që sekuestrohet me orë, të përgjimeve që hedhin dritë mbi përfshirje të zyrtarëve të lartë të shtetit, policisë e ushtrisë në aktivitete kriminale? Cili lider europian, do të qe i gatshëm të pohonte në parlamentin e të zgjedhurve nga populli në vendin e tij, se Shqipëria është një vend i mundshëm për t‘u integruar në BE? A nuk do të qe ky fundi i tij politik përballë opinionit publik?

Nëse këtë intervistë, kryeministri Rama do ta jepte sot, a do të përgjigjej me të njëjtën arrogancë ndaj gazetës gjermane? Me të njëjtin mllef ndaj Europës plakë, që lëviz ngadalë e paragjykuese ndaj Shqipërisë? A do kish të njëjtën vetësiguri, se Shqipëria plotëson çdo kriter? A do të akuzonte si çmenduri hezitimin e liderëve evropianë, për të pohuar para opinionit publik të vendeve përkatëse, se Shqipëria meriton t’i çelen negociatat?

Vetësiguria dhe ofrimi i garancive personale, janë asete të njohura të njeriut që luan poker, kur i ka të gjithë lojtarët nën vëzhgim të plotë. Ajo që pritet me interes është si do të reagojë njeriu i blofeve, që përgjon çdo letër në lojë, tashmë që në poker kanë hyrë letra të reja, e i përgjuari është vetë ai? Dhe këtu nuk është çështje fatesh personale. Dhe historia e kësaj qeverisjeje nuk është e paparë për vetë Europën.

Vetëm pak ditë më parë, Malta, një vend i BE-së, do të tronditej nga atentati ndaj një prej gazetareve më të fuqishme investigative, në një atentat me bombë në makinën e saj. Postimi i fundit në blog-un e Daphne Caruana Galizia, qe tronditës: “Kriminelët janë kudo, hidhni sytë! Gjendja është dëshpëruese!” Gazetarja kishte publikuar informacione që jepnin një ide të qartë mbi korrupsionin dhe pastrimin e parave në Maltë. Vrasja e Galizias, përtej kësaj, dëshmon kërcënimin ndaj lirisë së shprehjes, atmosferën e mosndëshkueshmërisë dhe dhunës që mbizotëron në arkipelagun mesdhetar. Kryeministri i Maltës dhe dy bashkëpunëtorë të ngushtë të tij, u akuzuan prej Galizias si të lidhur me kompani offshore, që siguronin aktivitete të jashtëligjshme, mes tyre edhe shitjen e pasaportave malteze tek oligarkë dhe përfitimin e miliardave nga qeveri të vendeve aziatike. Akuzat shkojnë deri në penetrimin e grupeve kriminale në industritë kryesore në vend, pastrimin e parave të Ndrangheta-s kalabreze etj. Për këtë arsye, e përditshmja “The Guardian” nuk do të rezervohej ta cilësonte betejën e Galizias, jo ndaj një demokracie funksionale, por ndaj një shteti mafioz. Zgjedhjet e fituara sërish bindshëm nga kryeministri i akuzuar gjerësisht për lidhje me krimin, bënë që shtypi ndërkombëtar ta cilësonte Maltën, si një shtet ku zgjedhjet, ligji dhe gjykatat, janë thjesht për show. E nëse ka një kritikë ndaj BE-së, ajo duhet t’i vijë prej qytetarëve maltezë që pranuan anëtarësimin në union, me synimin e një demokracie e shteti funksional. Dhe prej tij, për shkak të angazhimeve reciproke, të presin veprim të drejtpërdrejtë nga Brukseli.

Jo më larg se dje, djali i së ndjerës Galizia, do të trondiste opinionin publik me një letër të hapur, ku akuzon drejtuesit e shtetit dhe cilëson Maltën, ishullin e mafies. Ndër të tjera, ai pohon: “Qeveria e Maltës ka lejuar të lulëzojë një kulturë e mosndëshkimit. Është fare pak ngushëlluese, kur dëgjon kryeministrin e këtij vendi të thotë se nuk do të reshtë, derisa të gjenden autorët e krimit. Ndërkohë që ai vetë drejton një qeveri, që inkurajon mosndëshkimin. Si fillim i mbushi zyrat me kriminelë, më pas policinë me kriminelë dhe budallenj dhe, në fund, i mbushi gjykatat me kriminelë dhe të paaftë”.

Ngjan e dëgjuar?

Për të mos cituar veten në artikuj të mëhershëm, por duke i qëndruar burimeve ndërkombëtare të informimit, ja se ç’shkruhej pak ditë më parë, në median e Këshillit Europian mbi Marrëdhëniet e Jashtme: “Shqipëria ka ndarje të thellë politike, ku politika dhe marrëdhëniet mes klaneve, ndërthuren në një rrjet hakmarrjeje dhe korrupsioni. Trafikimi i drogës dhe pastrimi i parave, po lulëzon në këtë vend. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në vend që t’i përgjigjet këtyre dështimeve të qeverisë, rishtazi e ka përkeqësuar gjendjen, duke folur për Shqipërinë e Madhe dhe duke ushqyer frikën e shkëputjes së pakicave shqiptare në Maqedoninë fqinje”. Dhe artikulli i drejtohet BE-së, për atë që duhet të bëjë me autokracinë Ballkanase dhe krimin e organizuar, që ka shfrytëzuar dhe tolerancën në demokraci në emër të politikës së stabilitetit në rajonin e kalbur nga kriminaliteti.

Pra, ka hakërrim për Europën nga vetë Europa, por jo pse nuk pranon Shqipërinë kështu siç është, por pse lejon që formate të ngjashme të lulëzojnë brenda e jashtë portës së saj. I hakërrehen për dështimin e Maltës dhe atë të Ballkanit. Për dështimin e përfaqësuesve të saj që i kaplon amnezia me të thithur ajrin e këtyre vendeve. Sot, vetë Europa, drejtësia Italiane i ka dorëzuar shtetit shqiptar pasqyrën ku aq shumë refuzonte të shihte veten. Prova të forta të përfshirjes së shtetit në trafiqe lëndësh narkotike e armësh, me akuza të kopsitura e emra konkretë. Njerëz që kanë drejtuar për katër vite Shqipërinë, e tashmë kanë hyrë në vitin e pestë. Nëse dikush mendon se përgjegjësia nis e mbaron brenda një dikasteri, emri, dhe se zinxhiri i ka hallkat e shkëputura, mjafton të lexojë një deklaratë të kryeministrit shqiptar, ku pohon triumfalisht para deputetëve të tij, se Partia Socialiste, qeveria dhe shumica parlamentare, janë një.

Ndoshta kjo qe pyetja e munguar në intervistën e gazetës gjermane, “Frankfurter Rundschau”: Në dorën e kujt janë pushtetet në Shqipëri? Dhe përgjigjja është dhënë pak ditë pas intervistës, në transmetim të drejtpërdrejtë në mediat shqiptare, para opinionit publik, e klikueshme ngado në botë, nga vetë i intervistuari: “Jemi një parti! Jemi një fuqi!”

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: