PATATJA E NXEHTË E VISHO AJAZIT – OPINION NGA PLATOR NESTURI

PATATJA E NXEHTË E VISHO AJAZIT – OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Në kulmin e debatit mbi përgjimet, ku politika e të dy kaheve kërkon të nxjerrë përfitime në kurriz të palës tjetër, në emër të drejtësisë, kryetari i SHISH-it jep dorëheqjen. Ikën kështu drejtuesi i pestë i Shërbimit Informativ të vendit, pas 26 viteve demokraci. Gjithsesi, ky largim duket shumë i ndryshëm nga zëvendësimet e krerëve të mëparshëm të inteligjencës. Nuk vjen as si kërkesë e përcjellë prej Presidentit të Republikës, as nga ndonjë nismë në Parlament e shumicës për ta zëvendësuar me ndonjë të besuar të vetin, as si dorëheqje për arsye shëndetësore. Në lajmin që u përcoll në media, shprehet thjesht se, Visho Ajazi ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni i kryetarit të SHISH-it.

Ka shumë mister në dorëheqjen e drejtuesit të institucionit më të mistershëm në Shqipëri. Nuk është sekret që Ajazi nuk ka qenë i preferuar për kryeministrin Rama, madje, përkundrazi, nga shumica socialiste ka patur dhe më parë përpjekje për ta zëvendësuar kreun e SHISH-it, që shihej si vegël ende në përdorim e ish-kryeministrit Sali Berisha. Sidoqoftë, kreu i SHISH-it mori dekoratë nga kryeministri dhe tashmë, së fundmi, pas dorëheqjes së tij, Rama e falënderon për kontributin që ka dhënë me punën në organin që ka drejtuar.

Çfarë ka ndodhur për këtë dorëheqje të papritur? Për vetë informacionin e mugët që rrethon vetë institucionin, duket se sërish motivet janë politike dhe nga ndryshime balancash në vetë sferat e larta. Pavarësisht se sa të ftohta apo armiqësore mund të jenë marrëdhëniet ndërmjet kryeministrit dhe shefit të shërbimit informativ, gjithsesi, shkarkimi por dhe emërimi i zëvendësuesit, varet nga Presidenti i vendit. Kanë qenë këta mburoja për krerët e inteligjencës ndër vite, sa herë që krerët e shumicës shkreptinin ndaj shërbimit informativ. Kështu ka ndodhur me Klosin kur president Meidani e mbronte ndaj sulmeve të Nanos; kur Bamir Topi si president, iu vu barrikadë kryeministrit Berisha për ta hequr Shaqirin nga kreu i SHISH-it, e duke u quajtur edhe si grupi i puçit.

Edhe për Visho Ajazin, një parapritë e sulmeve nga shumica, ka qenë ish-presidenti Nishani. Madje dhe në kushtet e reja, kur para disa muajve u zgjodh president Ilir Meta, në media nisën të qarkullojnë disa deklarata garancie se, Visho Ajazi do të vijonte i qetë në detyrën e tij, edhe nën presidencën e re. Gjithsesi, largimi ka ardhur prej dorëheqjes dhe jo nga ndonjë nismë e presidentit apo e kryeministrit, për largimin e tij. Dhe në këto kushte, gjithçka të duket si një pazar. Ajo çfarë nuk është e qartë është se kush janë tregtarët për largimin e Vishos. A kemi një pazar midis Kryeministrit dhe Presidentit për të lëshuar kreun e shërbimit informativ e për ta zëvendësuar atë me dikë që nuk ka linjë të komunikimit direkt me Berishën? Apo është një pazar i vetë Visho Ajazit me kryeministrin apo dhe me presidentin së bashku, për të liruar krahun, që ai vetë të mos ketë probleme kur të ndeshen bajlozët me njëri-tjetrin?

Nëse është kjo e fundit, frika që mund të shoqërojë këtë dorëheqje e për t’u strukur larg në ndonjë qoshe të qetë, mund të ndodhë vetëm në dy raste. Ose shërbimi që ai ka drejtuar nuk ka bërë punën e tij dhe në këtë përballje të tanishme ku përgjimet vijnë nga shërbimet e huaja, nuk ke si të justifikosh dështimin e strukturave inteligjente të vendit. Ose Visho Ajazi ka lënë një patate të nxehtë në prehrin e politikës, me ndonjë hetim të fshehtë që ka bërë, dhe kërkon të jetë larg, pasi kjo patate të djegë duar. Asnjë prej këtyre mundësive nuk dihet sa qëndron, ashtu siç mund të jetë dhe për arsye apo pazare shumë më banale se kaq. Gjithsesi, dorëheqja e kreut të shërbimeve sekrete nuk është lajm i thjesht për çdo vend. Aq më shumë për një vend si Shqipëria dhe kur në fokusin e vëmendjes kanë qenë çështje të hetimit mbi trafikun e narkotikëve, lidhjen e krimit me politikën, çështje të terrorizmit dhe lidhjeve të tij me krimin. Çështje jo të thjeshta këto, që të paktën ish-presidenti Nishani e deklaroi se kanë qenë në vëmendje të diskutimeve të Këshillit të Sigurisë. Ndaj, mos dalja dhe qartësia se si e kanë bërë punën këto institucione, mbi këto tema të rëndësishme, atëherë patatja e nxehtë nuk është më thjesht në ca duar politikanësh, por është përvëluese për vetë shtetasit e Republikës.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: