PËRVJETORËT E MEDIAVE, SI PASQYRË PËR TË ARDHMEN - OPINION NGA ALFRED PEZA

PËRVJETORËT E MEDIAVE, SI PASQYRË PËR TË ARDHMEN - OPINION NGA ALFRED PEZA
Alfred Peza

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Festa e djeshme e 15-vjetorit të krijimit të Televizionit News 24, të jep shkas për t’u fokusuar te një traditë e munguar deri dje, e biznesit privat shqiptar, për të fiksuar dhe festuar historinë. Një histori e re çerekshekullore, ku gjithkush duket se po vrapon nxitimthi drejt së ardhmes, duke kërkuar ethshëm rrënjët e të shkuarës. Duket paksa paradoksale si formulim, por është një tendencë reale, jo vetëm në marrëdhëniet private të biznesit dhe ekonominë e tregut të lirë, por edhe në jetën sociale e shoqërore të shqiptarëve. Shenjë e sigurt se, duke u kujdesur për të sotmen, ne po kujdesemi jo vetëm për atë që do të vijë nesër, por edhe për atë që do të trashëgojmë e do të kemi mundësi t’ia tregojmë brezave nesër.

Festimi i përvjetorëve të sipërmarrjeve të ndryshme, ka një histori ciklike, sipas spirales së lindjes, rritjes dhe konsolidimit të secilës. Pas vitit 1990, fillimisht u privatizuan shërbimet e vogla tregtare, dyqanet, ndonjë punishte, apo edhe ndonjë ndërmarrje që vështirë t’i ketë rezistuar deri sot, kapitalizmit tonë të egër, bazuar tek importet jo vetëm të lëndëve të para, por mbi të gjitha të produkteve të gatshme. Më pas, erdhi tregtia e mallrave me shumicë e pakicë, për të vijuar dalëngadalë me linjat e para të prodhimeve jetike për të përditshmen. Më pas, erdhën materialet e ndërtimit, industria e ndërtimit, turizmi, agrobiznesi, fasonet, linjat e prodhimit e deri më sot tek fabrikat, hidrocentralet, komplekset rezidenciale, qendrat e biznesit, e me radhë.

Në media, cikli është më i thjeshtë për t’u shpjeguar, sepse ka qenë edhe më i prekshëm për të gjithë. Duke filluar nga gazetat e para private, krahas atyre partiake, për të vijuar më vonë me revistat, radiot, televizionet dhe tani me mediat online. Sigurisht që "industria e rëndë" e pushtetit të katërt, jo vetëm në Shqipëri, janë televizionet private. Ndoshta, kjo situatë duket se do të mbetet kështu edhe për disa vite, për aq kohë sa transmetimet televizive në internet, nuk kanë të njëjtin hop në treg, si edhe wordpress-i, i cili po e çon pothuajse drejt vdekjes klinike shtypin e shkruar, edhe në tregun tonë.

Televizionet private i kanë lëshuar sinjalet e para televizive prej 20 vjetësh, ndërkohë nga logot e para që u bënë edhe pionieret e kësaj mediaje, pothuajse asnjëherë nuk ia ka dalë t’i mbijetojë konkurrencës në treg. Edhe emisioni "Opinion" i Blendi Fevziut, që transmetohet në TV "Klan", i cili festoi 20-vjetorin pak javë më parë, ka nisur në ekranin e televizionit publik shqiptar, TVSH. Duke u bërë jo vetëm emisioni më jetëgjatë i debatit politik televiziv, por edhe nga të paktat raste, kur një emision është më i vjetër sesa vetë televizioni ku ai transmetohet.

TV "Klan" vetë, nuk mbaj mend të ketë krijuar ndonjë traditë të festimit të përvjetorëve të themelimit. Jo aq për faktin se nuk ka se ç’të festojë, por ndoshta për neglizhencë ose besëtytni të pronarit të saj të vetëm sot. Aleksandër Frangaj ndryshe nga disa botues që kanë qenë djepi dhe varri i mediave të tyre, ia ka dalë deri tani, të jetë jo vetëm djepi, por edhe shtrati i ngrohtë i medias, e cila është një nga kanalet e pakta televizive kombëtare në këtë vend dhe me shifra të lakmueshme shikueshmërie në treg.

Ndryshe nga TV "Klan", kanali tjetër i rëndësishëm televiziv shqiptar, "Top Channel", ka festuar pak më parë 15-vjetorin e krijimit, me pompozitetin dhe krenarinë e ligjshme që të jep trashëgimia e një perandorie që ka ndikuar jo pak në rritjen e standardeve profesionale e teknologjike në mediat e sotme shqipfolëse. Pak ditë më parë, Televizioni "Ora News" që futet tek gjenerata e dytë e mediave televizive private, festoi 10-vjetorin e themelimit. Çfarë tregon se transmetimet televizive në Shqipëri, kanë jo vetëm jetëgjatësi, por edhe një histori për të treguar e për të trashëguar. Në këtë atmosferë festimi përvjetorësh, u zhvillua edhe ceremonia e 15-vjetorit të themelimit të televizionit të parë informativ shqiptar, "News 24". Si për të treguar se, tashmë ekranet shqiptare zotërojnë veç viteve e traditës që ajo krijon, por edhe arkiva të pasura, që janë një ndër asetet më të vyera në një media, krahas burimeve të tyre njerëzore.

Tani, gara e mediave në përgjithësi, por edhe e vetë televizioneve, po zhvendoset dalëngadalë  në internet. Jo vetëm çdo gazetë, revistë, televizion ka faqen e tij web, por edhe çdo produkt mediatik, çdo emision e personazh televiziv, ka website-n e vet gjithashtu, krahas facebook-ut, intsagram-it, apo twitter-it. Si një mundësi e re, për të përhapur dhe çuar në kohë reale tek çdo qytetar, informacionin e vet, duke shfrytëzuar në këtë mënyrë, çdo mundësi, çdo fije dhe kanal të ri, si mundësi komunikimi. Lufta tani nuk është më si dikur, se cili ka godinën më të madhe, makina, kamera, antena dhe studio. Por cili shihet më shumë, shpërndahet më shumë, merr like dhe share më shumë. Një luftë e re që nuk e sheh si problem, e aq më pak si barrë të vjetrën, historinë, vitet mbi kurriz. Përkundrazi, e sheh si një vlerë të shtuar, si shenjë besueshmërie, jetëgjatësie, rezistence, mbijetese dhe vlere të shtuar përballë mungesës së përvojës të mediave të reja që hapen çdo ditë, me shpejtësi e lehtësi të paimagjinueshme kurrë më parë.

Nëpër këtë rrugë që po kalon biznesi privat sot, kanë kaluar më parë të gjitha shoqëritë me më shumë histori në marrëdhëniet kapitaliste në prodhim, me ekonomi tregu liberal, ku përcaktuese nuk janë më si dikur në Shqipëri, planifikimi i centralizuar, por kërkesë-oferta dhe dora e padukshme e Adam Smith-it. Çdo markë e njohur lokale, kombëtare, rajonale apo ndërkombëtare, i ka pjesë jo vetëm të historisë dhe të krenarisë, vitet e ekzistencës në treg. Por i ka një dimension mjaft të rëndësishëm besueshmërie dhe sigurie për cilësinë e produktit dhe vlerave që sjell dhe i jep tregut dhe konsumatorit.

Kanë kaluar shumë vjet tashmë, nga ajo periudhë kur shqiptarët hidhnin me zell, çdo gjë të vjetër të trashëguar nëpër shtëpitë e tyre, për ta zëvendësuar me mallrat e reja e të munguara më parë, plot shkëlqim të rremë. Madje, duke i braktisur me zell edhe vetë shtëpitë, derisa pas kaq shumë vitesh, pothuajse të gjithë, po rikthehen nëpër fshatrat, krahinat dhe qytete nga ku janë larguar për një jetë më të mirë, pas revolucionit demografik që solli liria e lëvizjes, për t’i rikonstruktuar, për t’i mirëmbajtur, e për t’i treguar tashmë me krenari, si një vlerë e shtuar e historisë së vet, familjes, fisit dhe për rrjedhojë, edhe të shoqërisë shqiptare. Sepse, dalëngadalë, pas dalldisë së parë e të madhe kolektive të hapjes, erdhi periudha e reflektimit dhe e qetësimit. Derisa tashmë, të gjithë po e kuptojnë, se shprehja "kush nuk ka të shkuar, nuk ka as të ardhme", vlen për këdo edhe në Shqipëri.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: