POLICIA E MINISTRIT TË RADHËS- OPINION NGA ROLAND QAFOKU

POLICIA E MINISTRIT TË RADHËS- OPINION NGA ROLAND QAFOKU
Vera e re në fuçinë e vjetër

POLICIA E MINISTRIT TË RADHËS

Nga ROLAND QAFOKU

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Tashmë, është bërë rregull dekadash: Sa herë në Shqipëri, ndërrohen pushtetet, aq herë administrata gjendet në udhëkryq. Por ka edhe një strukturë shteti që gjendet e tillë, jo vetëm me ndërrimin e pushteteve mes forcave politike, por edhe me ndërrimin e vetë ministrave, - edhe kur ata i përkasin të njëjtës forcë politike. Kjo është Policia e Shtetit.

Që nga vendosja e pluralizmit e deri më sot, e majta dhe e djathta kanë qeverisur pesë herë, në periudha që nuk kanë zgjatur më shumë se 8 vjet pa ndërprerje. Nga këto, tre herë në pushtet ka qenë e majta dhe dy herë ka qenë e djathta. Përkatësisht, e majta ka qeverisur në periudhat 1991-1992, 1997-2005 dhe vazhdon të jetë në qeverisje nga shtatori i vitit 2013 e në vazhdim. Ndërsa e djathta ka qeverisur në periudhat 1992-1997 si dhe 2005-2013.

Por që nga vendosja e pluralizmit deri më sot, Shqipëria ka patur 9 kryeministra, që nisin me Fatos Nanon në vitin 1991, deri te aktuali, Edi Rama. Por, ama, qeveritë e 9 kryeministrave, kanë patur brenda tyre 24 ministra të Brendshëm. Ky është numri më i madh, i çdo dikasteri të mundshëm, ndër qeveritë shqiptare pas rënies së komunizmit dhe besohet se asnjë ministri nuk mund ta thyejë këtë rekord. Nga këta 24 ministra të Brendshëm, e majta ka patur 14 ministra dhe e djathta 10 të tillë. Rekordin si ministri i Brendshëm më jetëgjatë, pas vitit 1990, e mban Saimir Tahiri me 3 vjet e 6 muaj të qëndrimit në detyrë. Ai qëndroi në këtë post nga 12 shtatori i vitit 2013, deri më 12 mars 2017, kur e shkarkoi kryeministri Edi Rama. Ndërsa ministri i Brendshëm më jetëshkurtër, është Ali Kazazi me 21 ditë. Ai qëndroi në këtë detyrë, nga 4 korriku deri më 25 korrik të vitit 1997. Ndërkohë që statistikat e qëndrimit në detyrë të drejtorëve të policisë, janë edhe me interesante. Në krahasim me ministrat, ata janë më të paktë në numër, por shumica e tyre nuk kanë konsumuar jo vetëm mandatin në atë detyrë, por janë shkarkuar dhe lëvizur sipas dëshirës së forcës politike në pushtet, por edhe dëshirës së vetë ministrave. Është e turpshme për një shtet që synon të jetë serioz, kur fakti është se nga viti 1990 deri më sot, nuk ka asnjë drejtor të Përgjithshëm të Policisë që të ketë konsumuar një mandat 5-vjeçar të qëndrimit në detyrë, i mbështetur në ligjin për policinë e shtetit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë më jetëgjatë në detyrë, është Hysni Burgaj me pothuajse katër vjet në këtë detyrë. Ai qëndroi në këtë post nga 28 tetori i vitit 2009, deri në 10 tetor 2013, duke u larguar një muaj pasi Partia Socialiste erdhi në pushtet. Drejtori i Policisë me jetëshkurtër në detyrë, është Hasan Ahmetaj me 2 muaj e 7 ditë. Kryepolici Ahmetaj qëndroi në këtë detyrë, nga 4 shtatori i vitit 1998, deri më 9 nëntor 1998.

Mjafton leximi i këtyre shifrave për të kuptuar se, çfarë nivel stabiliteti mund të kenë patur në detyrën e tyre, drejtorët e policive në qarqe, për të mos vijuar me shefat e komisariateve, e deri te shefat e krimeve dhe të rendit.

Rokada e pushteteve politike ka qenë njëra arsye e ndërrimit të drejtuesve të policisë dhe, në një farë mënyre, në mënyrën se si funksionon politika shqiptare, kjo është normale brenda një anormaliteti tipik shqiptar. Por problemi më i madh akoma, është se ndryshimet e drejtuesve të policisë, kanë ardhur edhe pas ndryshimit të ministrave, edhe kur ata kanë qenë brenda një force politike. Pothuajse ka qenë rregull për çdo ministër kur ka marrë detyrën, si fillim ka synuar largimin e drejtorit të përgjithshëm të policisë dhe nëse nuk e ka arritur këtë, ai ka larguar dhe ndërruar drejtuesit e policisë së qarqeve dhe shefat e komisariateve. Kjo vlen si për të majtët, si për të djathtët, pa asnjë përjashtim. I gjithë opinioni besoj, e ka ende në memorie një takim të kryeministrit Edi Rama me drejtorët e policive në qarqe, në tetor të vitit 2013. Në sallën e kryeministrisë, shefi i qeverisë kishte ftuar 12 drejtorët e sapoemëruar, të cilëve u ndrinte jo vetëm uniforma, por edhe fytyra, për zellin që po tregonin për të luftuar krimin. Vetëm në pak ditë, kryeministri kishte shkarkuar të 12 drejtorët e policive që kishin punuar gjatë pushtetit të Partisë Demokratike, një pjesë të të cilëve, eksponentë të PS-së, i kishin etiketuar deri “barkderra” e “policë me çifteli”, - një rast i paprecedentë ky. Nën dehjen e ardhjes në pushtet, kryeministri deklaroi se, tani e tutje policia nuk do tradhtohej më si deri atë moment dhe karriera e çdo polici të aftë dhe të pa korruptuar me paratë dhe krimin, do të ishte e garantuar. Për 3 vjet e gjysmë në detyrën e tij si ministër, Saimir Tahiri i cilësonte ata drejtorë, heronjtë e policisë dhe të shtetit. Por kur Saimir Tahiri u largua nga detyra e ministrit, u larguan pothuajse të gjithë nga ajo detyrë. Një nga urdhrat e parë të ministrit të ri të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ishte shkarkimi i 9 drejtorëve të policisë dhe vetëm 3 prej tyre, i shpëtuan këtij largimi masiv. Ndërsa për Tahirin ata 9 ishin heronj, për Xhafën ata morën një damkë që është e vështirë të hiqet. Sipas Xhafës kanabisi nuk mund të kultivohej, masivisht, pa dijeninë e tyre. Pra, kur PS-ja erdhi në pushtet, i largoi të gjithë drejtorët e policisë. Por largimi i të gjithë drejtorëve të policisë, ndodhi edhe kur u ndërruan ministrat e të njëjtës forcë politike. Thënë me fjalë të tjera, rregulli i pashkruar është që, çdo ministër ka stafin e vetë të policisë. Ai nis nga lart -drejtori i Përgjithshëm - e deri në bazë, nivel shef komisariati.

Personalisht, e vlerësoj reagimin e ministrit Xhafaj, ndaj fenomenit të kanabisit dhe ai, realisht, duhet të përshëndetet për këtë. Por nuk kuptoj politikën e shumicës. Të njëjtët drejtues policie vlerësohen maksimalisht, kur punonin me një ministër dhe, sapo ministri u shkarkua dhe në vend të tij emërohet një tjetër, ata jo vetëm nuk vlerësohen, por marrin mbi shpinë damkën se kanë qenë të lidhur me krimin.

Aq evidente është kjo sa, në historinë e policisë së Shtetit sot, me të vërtetë kemi 24 ministra të Brendshëm dhe 15 drejtorë policie në 27 vjet, por nuk kemi qoftë edhe një oficer policie i cili të ketë nisur karrierën në vitin 1990, dhe të vazhdojë edhe sot atë, në radhët e policisë, pa asnjë shkëputje.

Është mjaft ironike edhe sot e kësaj dite, kur oficerë policie dinjitozë, të aftë në profesionin e tyre, të pakorruptuar dhe pa asnjë lidhje me krimin, të cilët kanë sakrifikuar dhe jetën, janë larguar nga policia, janë rikthyer dhe janë larguar sërish nga puna, vetëm e vetëm se kanë ndryshuar pushtetet, por edhe pse janë ndryshuar edhe ministrat e Brendshëm.

Oficerë të tillë të policisë, - që janë nderi i shtetit shqiptar, - janë lënë dhe lihen pa të drejtë rrugëve, si: Mehmet Rrumbullaku, Tonin Vocaj, Albert Dervishi, Saimir Muça, Neritan Nallbati, Xhovalin Loka, Niko Brahimaj, Bernard Caushi, Arben Hajdarmataj, Veli Myftari, Aleks Hajdari, e deri te rasti i Artan Cukut për të cilin, tashmë, i gjithë opinioni është i qartë, se u vra për faktin se shteti e hoqi nga puna dhe ai ishte i pambrojtur nga kriminelët që arrestoi, kur ishte në radhët e policisë.

Një tjetër problem shumë i rëndësishëm, është edhe mbyllja e Akademisë së Policisë për më shumë se 1 dekadë. Aktualisht, ne nuk kemi oficerë të moshës rreth të 30-ve, që të bëjnë karrierë mbi bazën e arsimit dhe viteve të punës. Ky boshllëk rrezikon të sjellë, gjithmonë, zëvendësimin e vetëm një grupi oficerësh që, kur të jetë PS-ja në pushtet, t’i largojë nga policia dhe kur të vij PD-ja në pushtet, t’i kthejë në punë dhe anasjelltas. Afërmendsh, kjo situatë gjithnjë rrezikon të sjellë pasiguri në radhët e policisë në nivelin bazë, rrjedhimisht sjell situatë të pasigurt në rend dhe siguri publike. Ata që përfitojnë më shumë, janë kontingjenti kriminal dhe organizatat kriminale.

Prandaj, mes morisë së madhe të punëve, për shkak të angazhimit serioz që po tregon për të luftuar krimin, personalisht, do t’i sugjeroja ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, që jo vetëm nuk duhet të largojë nga puna specialistët dhe drejtuesit e aftë, pavarësisht se me kë forcë policie dhe ministër kanë punuar, por duhet të afrojë në polici të gjithë ata specialistë dhe oficerë policie, që kanë cilësitë e njeriut pakompromis me krimin, por janë larguar nga puna për shkak të pushtetit dhe ministrit të radhës. Kjo i shërben shumë edhe nismës së tij për të realizuar procesin e vettingut në polici duke realizuar në fakt procesin e vendosjes së rendit brenda rendit, aq shumë të dëshiruar dhe kërkuar në këto 27 vjet.

Vetëm kështu policia do të vijojë të jetë policia reale e shtetit dhe jo e pushtetit, madje as e ministrit të radhës. Kështu policia do të bëjë të mënjanoheshin ngjarje si ajo e Elbasanit, - një simbolikë e gjallë e paaftësisë dhe lidhjes së krimit njëkohësisht.

Vetëm kështu do të kemi vërtet një polici që duam të kemi. Ndryshe, ajo do të jetë vetëm policia e pushtetit të radhës. Pse jo, edhe policia e ministrit të radhës.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: