PRONARI I KRIMIT - OPINION NGA FRROK ÇUPI

PRONARI I KRIMIT - OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Në fakt, duhet thënë pronari i antikrimit. Të gjithë që ndodhen jashtë mureve të pallatit, po presin të marrin pronësinë e fitores kundër krimit. Brenda në pallat, dergjet Ministri i Brendshëm i mandatit të parë të qeverisë PS+LSI, Saimir Tahiri, tashmë i prezumuar si trafikant narkotikësh dhe bashkëpunëtor në një bandë kriminale, që vepron mes Europës dhe Shqipërisë.

Është hera e parë që, një ministër i Brendshëm i sapolarguar nga posti dhe i emëruar në pozita të tjera të larta të shtetit, shpallet trafikant narkotikësh dhe bashkëpunëtor në banda kriminale.

Orë pas ore, pritet arrestimi i ministrit të mandatit të parë.

Brenda dhe jashtë pallatit, vërehen dy lëvizje kaotike: Të parët për të dalë nga pallati ku bie erë krim, dhe të dytët që kërkojnë të hyjnë në pallat për të marrë autorësinë e krimit. Në fakt, të dy palët kërkojnë autorësinë.

Pala e parë është shumica

Edhe sot në mëngjes, kryetari i qeverisë, Rama, iu deklaroi opozitarëve se: “Ju nuk na ndalni dot, në rrugën kundër krimit”. Fraza se ju nuk na ndaloni dot, në një moment kur shumica u kap me prova në duar, nuk ka vend. Por sidoqoftë, mund të funksionojë për publikun e majtë. Sa herë që ministri Tahiri është dyshuar për implikim në krim, krerët e shumicës kane deklaruar të njëjtën gjë: “Nuk na ndaloni...”. Tahiri si ministër është kapur në shoqërinë e vrasësve me pagesë, ka përdorur zyrën për një komplot në një vrasje të dyshuar politikani, ka deklaruar se ka shitur makinën në të zezë, sepse nuk dua t’ia jap taksat këtij shteti, dhe, megjithatë, është mbajtur te fraza: “Ju nuk na ndaloni”. Me këtë mënyrë, shumica, edhe pse me ministër tanimë të thërritur si trafikant, kishte siguruar pozitën e pronarit të kundërkrimit.

Shumica tani po lufton për të siguruar që nuk do të arrestohen ministra të tjerë.

Pala e dytë është LSI-ja

Lëvizja Socialiste për Integrim gjatë katër viteve në koalicion me qeverinë e trafikantit, nuk pranoi kurrë se në shtet kishte autorë krimi. Edhe pse kryetari i LSI-së dhe njëkohësisht kreu i Kuvendit, Meta (tani President i Republikës), ishte i rrethuar me një dyshim se ministri Tahiri përgatiste komplote për vrasje ndaj tij, kurrë nuk tha një fjalë të drejtpërdrejtë. Gjatë gjithë periudhës kur sipërfaqe të mëdha të vendit mbilleshin me kanabis dhe droga transportohej në Europë me avionë, LSI-ja deklaronte se keni parë mushkonja. Por kurrë nuk tha një fjalë kundër krimit. Në atë periudhë i interesonte më shumë pozita e pronarit të krimit, ndërsa tani ka kaluar në anën e pronarit të kundërkrimit. Liderët e LSI-së, poshtë zotit Meta, po bëjnë zhurmë të fuqishme jashtë pallatit ku po dergjet trupi i ministrit që, pas pak, do të vihet në pranga. Kjo është një pronë shumë e çmuar për LSI-në.

Në radhë të parë, për të instaluar figurën e strucit, sikur të gjithë nuk kanë parë gjë gjatë periudhës së qeverisjes LSI+PS;

Së dyti, për të bërë sa më shumë zhurmë të ndershme, para arrestimit të personaliteteve kryesorë të LSI-së. Nëse me ministrin Tahiri nis rruga për pastrimin nga krimi, me siguri, në vend të dytë ndodhen këta të LSI-së. Prona e vetme që kanë në dorë tani, është shfaqja në bregun e ndershëm.

Pala e tretë, PD-ja ka një qasje më të çuditshme:

I vetmi nga PD-ja që paralajmëroi implikimin në krim nga ministri Tahiri dhe mijëra punonjës policie, është Sali Berisha, ish-kryeministër. Publicistika e tij e koduar “qytetari dixhital”, ka prurë mijëra informacione që nga Habilajt e deri te Tahiri... Ndërsa pjesa tjetër e PD-së, nuk ka asnjë kontribut. Marrëveshja e fshehtë e 18 majit mes PD-së dhe PS-së, siç del, kishte në qendër të saj shpëtimin e Tahirit nga burgu. Të dy liderët (Rama dhe Basha), e dinë se në politikën shqiptare ka shumë tahirë.

Cili është pozicioni sot, i PD-së ndaj Tahirit? Fenomeni “Tahiri” nuk duhej të ndodhte tani - sipas PD-së. Arsyeja e parë është se akoma ka instrumente të gjallë të marrëveshjes mes PS-së e PD-së. Nëse PD-ja lufton egër kundër krimit dhe kërkon zgjedhje të reja (gjë që nuk po e bën), mund të ndodhë që socialistët t’i nxjerrin të palarat dhe të dëshmojnë të fshehtën e marrëveshjes. E shikoni që PD-ja bën vetëm një retush të vogël mbi shumicën, sa për të ndihmuar qeverinë “demokratike” e cila ka edhe zëra kundër.

Arsyeja e dytë pse PD-ja kërkon pronësinë mbi “krimin”, është marrja e pushtetit me rastin që ndodhi jashtë kontributit të saj. Por përsëri, PD-ja nuk do as zgjedhje të reja, as rënie të qeverisë socialiste. Sikur kryeministri Rama ta lëshonte qeverinë në këtë çast, ajo nuk bie në dorë të Bashës së PD-së; ajo bie brenda oborrit socialist, p.sh., në dorë të Veliaj. Veliaj, ose çdo veliaj e shtyn pushtetin edhe tetë vjet të tjera... Basha nuk e do këtë, e do për vete pushtetin, sa më parë. Atëherë, i duhet që zoti Rama ta çojë mandatin deri në fund, dhe, në fund, ta marrë Basha... Lojëra gati kriminale...

Prandaj iu duhet pronësia mbi “Krimin”

Në fakt, askush nga këta nuk është pronar i asnjë hapi kundër krimit. Pronarët e kësaj lufte pastruese, janë aleatët e Shqipërisë, jashtë pallatit të këtyre dhe jashtë kufijve të vendit.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: