QË TË RILINDË DREJTËSIA, DUHET TË SAKRIFIKOHET KUVENDI I RILINDJES- OPINION NGA SONILA MEÇO

QË TË RILINDË DREJTËSIA, DUHET TË SAKRIFIKOHET KUVENDI I RILINDJES- OPINION NGA SONILA MEÇO
Nga SONILA MEÇO

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Asgjë nuk do të ndryshojë, derisa të përballemi me burimin e vërtetë të pushtetit, kur politika ka dështuar. Dhe, kësaj here, ka dështuar plotësisht.

Kronika e ditës nis kështu: Kuvendi rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për lejimin e arrestimit të deputetit Saimir Tahiri.

Raporti i deputetëve të PS-së, pjesë e Komisionit të Imunitetit kundër dhënies së autorizimit të arrestimit, mori 75 vota pro dhe 60 kundër.

Ndërkohë që raporti i PD-së e LSI-së që rekomandonin pranimin e kërkesës së Prokurorisë, u rrëzua me 75 vota kundër e 60 pro.

Përfaqësuesi demokrat në Kuvend, deklaroi se opozita është pro arrestimit, për t’i hapur rrugë shpërbërjes së grupit kriminal që ka siguruar injektimin e parave të drogës në fushatën elektorale të PS-së. Për të, Kuvendi nuk ka kompetenca të vlerësojë provat apo besueshmërinë e tyre. Përfaqësuesi socialist deklaroi se, kërkesa e Prokurorisë është në kundërshtim me Konventën e të Drejtave të Njeriut.

Fronti opozitar, tashmë njëzëri, pranon se kjo shumicë e kapur nga krimi, ka legjitimuar këtë të fundit si burim pushteti. Pra, edhe Kuvendi që mbahet në këmbë nga vota e krimit, është i kriminalizuar, tashmë i pasqyruar sipas frontit edhe nga qëndrimi i Parlamentit, ndaj një çështjeje kaq të ekspozuar, kundrejt lidhjeve të krimit me pushtetin.

Pra, nëse Parlamenti i mandatit të parë të Rilindjes, iu nënshtrua dekriminalizimit, duke prekur emër për emër të akuzuarit, ky i dyti, megjithëse faji kolektiv nuk ekziston, po sillet si një trup unik rilindës, që nuk lejon drejtësinë të identifikojë deri ku dyshimet për injektim të parave të drogës në politikë e zgjedhje, janë të vërteta. Prezumimi i pafajësisë nuk ka më vend në arsyetimin politik, sepse për çështje edhe më pak të provuara, kuvendet janë bojkotuar e është tentuar rrëzimi i qeverisë.

Atëherë, çfarë duhet të mendojë publiku i hutuar në debate, që herë i nënshtrohen argumentit juridik e herë atij politik? Një publiku bombarduar me akuza për narkoshtet, me deklarata bombastike të vetingut që do të bëjë hatanë, me prova dosjesh nga gjykatat italiane, se krimi është tashmë i strukturuar dhe i lejon vetes të përdorë këdo, të fikë radarë dhe të ndezë një ekonomi të tërë për t’i pastruar paratë? Si do të zgjidhet tashmë kjo çështje, kur pushtetet nuk kanë më ndarje, kur verdiktet i jep Parlamenti, median e bën pushteti qendror dhe politikën e madhe, analistët e studiove televizive? Kur politika ka dështuar, pushteti i është nënshtruar krimit, kur kemi Pallat vettingu, por jo drejtësi?

Çështja Tahiri është çështja provë, për çfarëdo drejtësie aktuale e atë që do të vendoset. Por edhe një provë e madhe politike për opozitën dhe frontin e përbashkët krijuar prej saj. Do të jetë provë për median. Por edhe ndërkombëtarët, sidomos ata që mbështetën reformën në drejtësi, që garantuan rrjetën që do të kapë “peshqit e mëdhenj” e që do të shmangnin vendosjen e sistemit në duart e pushtetit. Dhe sot, reforma më e madhe në vend, bllokohet nga Kuvendi, jo thjesht se dha një vendim për të mos autorizuar një arrestim, porse tashmë, ai nuk ka individë të dyshuar për lidhje me krimin, ai lëviz si një trup unik nën urdhrat e tij. Ky është dyshimi më i provuar në këto kohë, qëkurse deklaratat për shitje e blerje vote, vluan edhe në raportet e ndërkombëtarëve, qëkurse dosjet bëjnë ecejake të përditshme mbi Adriatik, mbi radarët e fikur të ushtrisë, nën hundën e policisë, ku edhe u mboll sasia më e madhe historikisht, e drogës në vend.

Nëse vendimi i Kuvendit për këtë çështje qe politik, duke shndërruar debatin për ligjshmërinë e kërkesës së Prokurorisë, në një gjyq për këtë fundit, dhe lëndë të parë për programet e darkës në televizione, atëherë, politikisht duhet shkuar deri në fund me sjelljen e shumicës. Se nëse i hyjmë debatit vetëm në vektorin juridik, arsye për të interpretuar në provat ekzistuese, për të dyshuar në procedurat e ndjekura edhe nga Kuvendi, ka plot. Edhe vetë hartuesit e reformës së famshme të drejtësisë, u kapën në flagrancë duke shkelur ligjin. Dhe vetëm në emër të këtij të fundit nuk flet dot kjo klasë politike, ky Kuvend e kjo shumicë. Ndaj nëse ka një akt të fundmë të mbetur në pritje të dosjeve që harton bota e agjencitë ligjzbatuese të saj, është politik. Drejtësia nuk vepron dot më, e braktisur nga hartuesit dhe mbështetësit e saj. Nuk e shpëton dot as opozita, që ka ende llogari të hapura me të. Ama, farsën e mbajtjes së një kuvendi që s’ka nevojë për prova të tjera nga Italia, për të bindur këdo se ka dalë nga zgjedhje ku qarkullonte lirshëm tymi i hashashit, nuk ia kemi borxh opozitës.

Sepse edhe nëse sot, Prokuroria ka autorizimin për të hetuar një ish-funksionar të lartë për lidhjet me grupet mafioze, që kanë ndikuar edhe produktin politik në vend, edhe nëse kjo qe ligjërisht zgjidhja e pranueshme, në vend të autorizimit të arrestit të tij, këtë hetim do ta kryejë në kohën e një qeverie ku kryetari i saj sulmon çdo pushtet tjetër që duhet të garantojë balancat. Qe ai që lejoi shndërrimin e Shqipërisë në hambarin e kanabis sativa-s, duke kërcënuar sigurinë e vendeve nga priten të vijnë bomba të tjera për përfshirjen e pushtetit me krimin e organizuar. Drejtësia nuk mund të bëjë më shumë se kaq, braktisur tërësisht në hipokrizinë e atyre që besuan se, një Pallat do të bënte çudinë.

Por kur politika ndan më shumë se bashkon, kur vendos mure në vend të urave të komunikimit, kur e vjedh në vend që t’i shtojë mirëqenien popullit, kur hedh benzinë në vend të ujit në zjarrin e militantizmit, kur vret në vend të frymojë shpresë, kush do të vërë dorë në këtë shoqëri të bërë copash? Kur politika ka dështuar plotësisht, çfarë e zë vendin e saj? Sot për diçka jemi të sigurt, krimi. Ai që financon edhe Kuvendin e gjithëfuqishëm, që nuk respekton më asnjë pushtet. Ndaj, nëse nuk bie Kuvendi, vështirë se krimi do të ketë ç’të furnizojë. Tashmë që grykat po ua lidh një e nga një, drejtësia e vendeve ku po prish qetësinë.

Nëse duam të marrim frymë prej drejtësisë nesër, duhet të pranojmë se Kuvendi i Shqipërisë ka vdekur sot.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: