RAMA-GAZETARËT, NJË "SHERR" MES KOLEGËSH - OPINION NGA ALFRED PEZA

RAMA-GAZETARËT, NJË "SHERR" MES KOLEGËSH - OPINION NGA ALFRED PEZA
Nga Alfred Peza

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vetëm pak çaste pasi kishte përfunduar seanca e së mërkurës në Parlament, ku u rrëzua kërkesa e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për t’i hapur rrugë arrestimit të ish-ministrit të Brendshëm, Samir Tahiri, Kryeministri Edi Rama nisi të zhvillojë një komunikim me gazetarët, i cili përfundoi me nervozizëm të theksuar mes palëve. Ky moment shkaktoi një furtunë të vërtetë mediatike, sa në 48-orët e fundit, debati i jashtëzakonshëm për çështjen "Tahiri", tashmë duket i largët dhe kryefjala është debati për raportin e Ramës me mediat në përgjithësi dhe gazetarët në veçanti.

Qëndrimet kanë qenë nga më të ndryshmet, shumica sigurisht kundër, jo vetëm nga politika dhe brenda medias vetë, por edhe nga opinionet jashtë gardheve. Rasti u mundua edhe të ndërkombëtarizohej madje, ndihmuar nga ndonjë qëndrim i organizatave ndërkombëtare të gazetarëve, që i shohin gjërat me një optikë dhe ndjeshmëri tjetër nga ne, për këto çështje, apo nga thirrjet e protagonistëve politikë të opozitës, drejtuar ndërkombëtarëve në Tiranë, për të mbajtur qëndrim të hapur publik kundër Ramës.

Ka patur edhe zëra të tjerë, aspak emotivë, si shumica dërrmuese që e kanë parë me sportivitet të gjithë këtë "sherr", duke u munduar të futen "nën lëkurën e Kryeministrit". Kjo ka bërë ta paraqisnin gjithë këtë, si një "skenar" të paramenduar, të llogaritur ftohtë më parë prej tij, e të aktruar si një profesionist, në mënyrë të shkëlqyer para kamerave, për të dhënë mesazhe të caktuara jo vetëm për median dhe protagonistët e saj, por mbi të gjitha për politikën, shoqërinë dhe njerëzit brenda gardhit të tij. Duke gjykuar se ata kishin nevojë për një shfaqje të tillë, për t’u qetësuar disi, pas një jave ku janë ndjerë të bombarduar për një çështje që në momente të caktuara, dukej sikur rrezikonte të shkonte edhe përtej Saimir Tahirit vetë.

Kur e shihja nga pozicioni im personal dhe vihesha në pozitën e reporterëve, e mendoja edhe unë si gazetarët. Kur vihesha në pozitën e politikanit, e mendoja pak a shumë si Rama. Kur vihesha në pozitën e qytetarit të zakonshëm, nuk e di pse e mendoja krejt ndryshe nga të gjithë ata që kam lexuar dhe kam mundur të dëgjoj deri tani, për këtë çështje.

Më shumë sesa një përplasje mes një lideri politik, një kryetari partie të madhe parlamentare dhe shefit të ekzekutivit të vendit, nuk e di pse e gjitha kjo e Ramës me gazetarët, më ngjason me një "sherr" mes kolegësh. Jo thjesht dhe vetëm për faktin se nuk është hera e parë gjatë karrierës së tij që përfshihet në momente të tilla nervoze me gazetarë të veçantë, me media të veçanta, me drejtues emisionesh të veçanta, apo edhe me punonjës të veçantë të mediave në përgjithësi. E, me siguri, nuk do të jetë as e fundit. Jam i sigurt për këtë.

E them këtë, jo vetëm si një gazetar që vazhdon të jetë e do të jetë gjithmonë aktiv në media, as si një njëri që e njeh tani politikën edhe nga brenda, por edhe si një prej atyre që jam përplasur edhe vetë nga brenda gardhit të medias, si gazetar, me Edi Ramën në pozitat e politikanit. Ai vetë e ka përshkruar shumë bukur, të gjithën çfarë ndodh në raportet e tij interesante me median, drejtuesit apo protagonistët dhe punonjësit e saj, në librin "Kurban". Është një raport që është bërë edhe rast studimor, ku dikush e ka parë si superstar, e dikush si Murinjo. Duke e bërë kështu të shihet paksa ndryshe raporti mes Edi Ramës dhe gazetarëve, nga ai i një raporti klasik të një lideri politik, apo i një kryeministri të vendit me gazetarët.

Specifike këtë raport e bën fakti se Edi Rama vetë, përpara se të bëhej pjesë e politikës aktive, vinte nga një përvojë e gjatë prej publicisti. Jo vetëm si autor e bashkautor librash, por edhe si firmëtar i dhjetëra e dhjetëra artikujve publicistikë nëpër gazeta, në revistat e asaj kohe, për të cilat ai hynte e dilte vetë direkt nëpër redaksitë e mediave, me po të njëjtin familjaritet që hynte në auditorët e Akademisë së Arteve ku ishte pedagog apo në atelietë e piktorëve e skulptorëve. Ai ishte një klient po aq i rregullt i bar "West"-it të dikurshëm, që njihej ndryshe edhe si klubi i gazetarëve në ish-parkun "Rinia", sa edhe gjithë gazetarët e tjerë, në mos më tepër. Njeh personalisht pjesën më të madhe të protagonistëve kryesorë të mediave të viteve 1990-2000 e më mbrapa, me të cilët ka ndarë ditë të vështira e momente të bukura, kur botonin e polemizonin së bashku si të ishin pjesë e një familje.

Ky pasion për germat, për shkrimin, për fjalimet, për publicistikën, për librat, për drejtshkrimin, për gazetarinë nuk i është ndarë asnjëherë, as gjatë këtyre më shumë se 15 viteve në angazhimet e tij si politikan aktiv dhe protagonist i dorës së parë tashmë, i jetës së vendit. Mjafton që për këtë të dëgjosh apo lexosh fjalimet e tij, nga ato më të parëndësishmet, tek ato më delikatet, në momente kyçe të zhvillimeve të ndezura brenda e jashtë vendit. Kjo ndoshta është arsyeja se përse është nga të paktët ndoshta kryeministra të kësaj epoke, që nuk ka një "fjalimshkrues" që të punojë me kohë të plotë për të, por preferon të gdhihet e të ngryset duke u kujdesur edhe për pikën dhe presjen e fundit të fjalimit të tij të radhës.

Ndaj, pakkush është çuditur nga ne, kur edhe për takime nga më të rëndomtat nga pikëpamja e rëndësisë apo e rangut protokollar, ai ta ketë të shkruar atë që do të thotë, qoftë kjo një minutë gjë, apo shumë më tepër. Përveç merakut për historinë që me sa duket, kërkon ta gjykojë edhe për këtë aspekt, ndihet pasioni për shkrimin, për të shkruarën, për t’i thënë e renditur gjërat në mënyrë të qartë dhe me një stil të ligjërimit publik, që e konsideron po aq të rëndësishme sa edhe një punë publike të kryer apo të mos kryer. Me këtë shpjegohet, ndoshta, se përse, në shumë raste, sidomos ato që kanë gjithë vëmendjen e opinionit publik, ai edhe i deklamon fjalimet e tij të shkruara, me gjestikulacione dhe ulje ngritjet e zërit, të shoqëruara me një përkujdesje të hatashme, që nga detajet dhe simbolikat e veshjes, e deri tek gjuha e trupit.

Pikërisht këtu, unë e gjej një nga rrënjët e arsyes së këtij raporti, ku Edi Rama përfshihet me apo pa dashje, me apo pa vetëdije, por e sigurt është se gjithnjë me pasion, në sherre me gazetarët. Sepse për aq kohë sa ai e ka tashmë një mënyrë jetese publicistikën, pavarësisht se është në politikë, ai brenda vetes ndihet gazetar. Ashtu sikundër, e sigurt është që shumë gazetarë (e se mos vetëm gazetarët në këtë vend, në fakt...), ndihen politikanë. Për aq kohë sa gjithë ditën flasin për politikën, raportojnë për politikën, analizojnë politikën, rrinë me politikanët, gëzojnë, qeshin dhe grinden e përplasen me ta, sipas humorit të zhvillimeve të vendit dhe nevojave të gjithsecilit.

E sigurisht, në një vend ku Kryeministri nuk ka pse ia privon vetes mundësinë për t’u ndjerë, herë pas here, edhe gazetar e publicist, as gazetarët dhe shefat e tyre nuk kanë arsye përse të mos ndihen pothuajse gjithnjë politikanë. Madje, shumë e shumë më tepër se politikanët e tjerë, të çdo rangu qofshin. Atëherë duket që kjo përplasje e re nuk është edhe aq e re mes tyre, sikundër edhe kjo përplasje nuk është aq e fortë, sa ata që janë jashtë këtij mjedisi e kësaj ndjesie, e mendojnë se është.

Më shumë se një përplasje mes Kryeministrit e gazetarëve, shefit të qeverisë dhe medias, kryetari të PS-së dhe reporterëve, e gjitha kjo më shumë duket si një "sherr" mes kolegësh, për shkaqe dhe arsye që jo gjithkush është në gjendje t’i kuptojë, t’i besojë, apo ta pranojë. E, mbi të gjitha, askush nuk është i detyruar ta shohë në këtë mënyrë, në këtë optikë e nga ky këndvështrim, gjithë këtë.

Më shumë se sa kjo, një gjë është e sigurt, se me apo pa dashje, duke aktruar ose jo, duke u nxehur me të vërtetë apo duke bërë sikur, "kolegët" nuk e lanë në baltë as këtë radhë Edi Ramën. Duke "u nxehur" kaq shumë, sa këto dy ditë me të, ata në vend që ta vinin në pozitën që do të ishte vënë çdo kryeministër tjetër që nuk do të kishte background-in e Ramës, duket se si pjesëtarë të tempullit të heshtur të fjalës, ata e ndihmuan me apo pa dashje atë, edhe këtë radhë. Duke e larguar, në këtë mënyrë, si me magji, vëmendjen nga çështja "Tahiri".

Nesër do të jetë një ditë e re. Edi Rama dhe "kolegët" e tij gazetarë, me siguri do të jenë duke menduar për temën e radhës, sesa për grindjen e radhës, që sapo kaloi mes tyre.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: