REVOLUCIONI I BUTË I NDRYSHIMIT TË FORTË – OPINION NGA ALFRED PEZA

REVOLUCIONI I BUTË I NDRYSHIMIT TË FORTË – OPINION NGA ALFRED PEZA
Nga Alfred Peza

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Kur pak ditë më parë, zv/ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, në një forum mbi ekonominë në Serbi, deklaroi se “nuk mund të qëndroni ulur në dy karrige, aq më tepër kur ato janë larg njëra-tjetrës”, fjalët e tij morën dhenë nëpër media, jo vetëm të Ballkanit. Ishte sinjal i qartë, i thënë troç, ndoshta nga më të drejtpërdrejtit që një zyrtar amerikan i këtij rangu, i jep klasës politike serbe publikisht dhe në shtëpinë e vet në Beograd, për strategjinë e saj të trashëguar qysh nga koha e Titos, për të qenë edhe me komunizmin edhe me kapitalizmin, edhe me Lindjen, edhe me Perëndimin. Madje, edhe me ëndrrën për të qenë njëkohësisht, edhe lideri i vendeve të “botës së tretë”.

Deklarata e Yee, më shumë se sa një sinjal i thjeshtë drejtuar liderëve serbë, duhet lexuar pak më mirë dhe pak më ndryshe. Kemi të bëjmë me një shenjë të sigurt, se SHBA-të e kanë më seriozisht nga sa e menduan shumë deri më sot, çështjen e Ballkanit, stabilitetit dhe orientimit të saj pro perëndimor, pas hyrjes së Presidentit Trump në zyrën ovale. Një kambanë e fortë alarmi kjo, jo vetëm për veshët e atyre që ne shqiptarëve na bën të gëzohemi, por edhe për liderët politikë shqiptarë vetë, kudo në rajon. Çfarë duhet të kuptojmë me këtë, në kontekstin e zhvillimeve të fundit rajonale?

Le t’i marrim me radhë, duke filluar nga Shqipëria.

Vetëm gjatë ditës së djeshme, me ndihmën e paçmuar të SHBA-së dhe BE-së, në Shqipëri ka filluar për herë të parë, zbatimi i reformës aq shumë të lakuar, asaj në drejtësi: U përurua godina e vetingut, ku do të punojë gjithë trupa e përzgjedhur për realizimin në praktikë të këtij procesi jetik, për sistemin e drejtësisë së ardhshme shqiptare.

Po dje, Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë një padi të unionit të gjyqtarëve të Shqipërisë, me një paketë prej 25 nenesh, kundër ligjit të vetingut.

Së treti, dha dorëheqjen shefi i shërbimit sekret shqiptar, Visho Ajazi, i emëruar në atë detyrë nga Kryeministri Berisha, sapo Bujar Nishani u fut në zyrën e Presidentit të Republikës, pesë vjet më parë. Nuk dihen shumë detaje për rrethanat dhe arsyet e këtij hapi të (pa)pritur. Por e sigurt është, për shkak të investimit dhe partneritetit strategjik, se ky vendim ka kaluar më parë, nga godina më e rëndësishme e Rrugës së Elbasanit në Tiranë.

Të gjitha këto, e shumë të tjera, të dukshme dhe të padukshme, të njohura apo të panjohura ende për publikun, janë shenja të qarta dhe të sigurta se procesi i vetingut dhe reforma në drejtësi, tashmë kanë filluar në Shqipëri. Duke e bërë këtë, një proces të pandalshëm tashmë, deri në reformimin e plotë dhe të thellë të sistemit të drejtësisë shqiptare. Një reformë që sipas burimeve diplomatike në Tiranë, synojnë që në të ardhmen, përveç të tjerash, “drejtësia të mos bëjë më politikë në Shqipëri, dhe politika të mos bëjë më drejtësinë. Hapi i parë, që është edhe më i rëndësishmi për procese kaq të rëndësishme dhe komplekse si ky, u hodh dje. Tani besohet se rruga është e hapur, në mënyrë që sipas filozofisë së efektit ortek, të vijojë në mënyrë të pandalshme me hapa të tjerë, pa kthim pas.

Shqipëria në këtë proces, po ndjek shembullin e disa vendeve që e kanë kaluar më parë se ne në këtë rrugë, përgjatë udhëtimit të tyre të vështirë, por të pandalshëm drejt anëtarësimit me të drejta të plotë në Bashkimin Europian.

Kroacia fillimisht pa u bërë anëtare, Bullgaria dhe Rumania pasi u futën në Union, i kanë paraprirë kësaj skeme për reformimin e thellë të sistemit të drejtësisë, që po aplikohet tashmë edhe në Tiranë. Prapa nesh në këtë rrugë, janë Mali i Zi dhe Serbia, të cilat në fakt e si për ironi të fatit, janë formalisht një hap para nesh, në procesin e integrimit.

Mali i Zi me anëtarësimin në NATO, i shpëtoi në çastet e fundit ndoshta, mundësisë për t’u ulur edhe ajo “mbi dy karrige”. Zbulimi i një komploti rus për vrasjen e liderëve pro perëndimor të Podgoricës, po gjykohet tashmë në një proces që po raportohet me interes nga mediat rajonale e ndërkombëtare, ku të akuzuarit kanë pranuar se kishin mision eliminimin e tyre fizik, me porosi që vinte diku nga Moska. Ky vend, dalëngadalë, duket se po kërkon t’i shkëputet njëherë e përgjithmonë, ndikimit të dikurshëm, për t’u orientuar përfundimisht e pa asnjë ekuivok, drejt perëndimit.

Maqedonia, dy ditë më parë, me përfundimin e balotazhit në 38 nga 80 komuna + qytetin e Shkupit, pothuajse ka hedhur një hap historik drejt shkëputjes përfundimtare nga trashëgimia e gruevizmit dhe triumfi i forcave pro perëndimore të moderuara. Fitorja e Zaev-it ishte më bindëse se kurrë më parë, edhe në këto zgjedhje lokale, pas fitores pak më parë edhe në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Ky është një lajm i mirë, jo vetëm për demokracinë dhe investimin amerikan dhe të Brukselit si në Maqedoni e në rajon, por edhe për shqiptarët vetë, posaçërisht. Tani ka më shumë mundësi praktike se kurrë më parë, që shqiptarët në Maqedoni të jenë jo vetëm formalisht pjesë e proceseve të transformimit të shtetit në reformat e integrimit europian. Shansi më i madh dhe mundësia më e madhe për ta, është implementimi për herë të parë, realisht në praktikë, i të gjitha pikave të marrëveshjes së Ohrit, që i njeh atyre të drejtat bazike për bashkëjetesë, shtetformim e bashkëpërgjegjësi reale në qeverisjen e vendit, në të gjitha nivelet e saj, nga ai lokal e deri në atë qendror në Shkup. Drejtimi për herë të parë i Parlamentit të Maqedonisë nga një shqiptar, pritet të pasohet edhe me hapa të tjerë në të ardhmen.

Kosova e kaloi gjithashtu një tjetër provë demokratike, me zgjedhjet lokale. Përfundimi i raundit të dytë, me siguri që do të sjellë të tjera rezultate interesante në terren, që do t’i shërbejnë shtimit të ekuilibrave të brendshëm dhe forcimit të shtetit ligjor. Kjo bën që në prag të 2018-s, Prishtina të përgatitet që tani, për disa nga proceset më të rëndësishme që ajo ka kaluar qysh nga koha e shpalljes së pavarësisë dhe krijimit të shtetit të ri. Siç janë zgjidhja e çështjes së demarkacionit me Malin e Zi, dialogu me Beogradin, njohjet e reja që kanë stopuar prej shumë vitesh, liberalizimi i vizave për qytetarët e saj, anëtarësimi në organizmat më të rëndësishme ndërkombëtare dhe sigurisht, avancimi më i i sigurt drejt procesit të pranimit në perspektivë, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. E gjitha kjo, sigurisht pritet të shoqërohet edhe me vendime të forta të drejtësisë, për të kaluarën e ish-luftëtarëve të UÇK-së, të shndërruar sot në udhëheqësit kryesorë politikë të vendit.

Bosnja dhe Hercegovina vazhdon të mbetet një version hibrid i investimit për demokracinë që, me sa duket, edhe për shumë vite të tjera, do të jetë një dhimbje koke për komunitetin ndërkombëtar, në raport me perspektivën e mbijetesës si krijesë shtetërore, për të parë ndërkohë edhe mundësinë e hedhjes së hapave bashkë me shtetet e tjera të rajonit, drejt unionit të bashkuar. Më shumë sesa një axhendë vetjake, atë do ta shpëtonte për këtë objektiv, ndoshta vetëm një projekt i përbashkët rajonal dhe një qasje në bllok e gjashtë vendeve tona të Europës Juglindore.

Zhvillimet gjeopolitike globale mund ta hidhnin në erë, ose mund ta shpëtonin me një “deus ex machina”, gjithë investimin çerekshekullor të Uashingtonit dhe Brukselit për demokratizimin dhe stabilizimin e Ballkanit Perëndimor, pas rënies së Murit të Berlinit. “Dy karriget” qëndrojnë larg nga njëra-tjetra sot, vërtetë. Por në rast përplasje, e mira do të ishte që Ballkani të ishte në anën e duhur të historisë, për të luajtur rolin e vet, sado modest në këtë proces. Shqipëria e ka bërë shumë kohë më parë në histori, zgjedhjen e vet. Dje, u hodh një hap i parë i vogël, por shumë i madh rikonfirmimi në praktikë, i këtij vullneti dhe kësaj perspektive, si një zgjedhje e saj strategjike dhe natyrale. Është efekti i një revolucioni të butë, të nisur shumë kohë më parë në këto anë, që duket se po na orienton, më në fund, drejt rrugës së duhur të një ndryshimi të fortë, e pa kthim pas.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: