Rosela Gjylbegu: Sot po shohim muzikë, nuk po dëgjojmë

Rosela Gjylbegu: Sot po shohim muzikë, nuk po dëgjojmë
Rosela Gjylbegu hyn tek ato këngëtare shqiptare të cilat, edhe nëse nuk i shikon në skenë për shumë kohë, edhe nëse festivalet të kanë ardhur në majë të hundës, po dëgjove që do të dalë në skenë, ndalon ta dëgjosh. Ka shumë vjet në skenë, por këngët e interpretuara prej saj, kanë mesazh direkt e të qartë. Një vajzë me brumë ka qenë, që kur nisi tek “Ethet e së premtes”, spektakli që i dha famën. Me një zë profesionalisht të ndërtuar, pavarësisht se nuk ka studiuar asnjë ditë muzikë. Portret të pastër e asnjëherë me imponim në veshje, duke dhënë idenë në publik se ajo vetë ka preferuar që kënga e saj më parë të dëgjohet, të mësohet e të këndohet edhe nga publiku e, në fund, të shikohet. Vajza shkodrane rrëfehet ekskluzivisht për Albanian Free Press, për jetën e saj, fillimet, ndjesitë mbi muzikën, mbi veten dhe ëndrrat e saj.

 

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

E mban mend sa vjet kanë kaluar, nga hera e parë që ke kënduar në një skenë?

 

Kanë kaluar plot 17 vjet nga hera e parë, kur kam kënduar në festivalin e fëmijëve në Shkodër.

 

Sa Shkodër ka tek ti?

 

Gjithçka unë përcjell nëpërmjet këngës, personalitetit, edukatës, dashurisë për të bukurën, artin, kulturën, mbi të gjitha vlerat e vërteta njerëzore, i kam marrë nga Shkodra, nga familja ime.

 

A e ke të trashëguar prej dikujt në familje, vokalin? Si i kujton fillimet e tua me këngën?

 

Në familjen time janë të gjithë shumë artdashës, kanë vesh të mirë muzikor, - si nga ana e babait, ashtu edhe nga nëna, e cila ka qenë në rininë e saj këngëtare, aktore e sportiste. Më pas e vazhdoi vëllai im, Mentori, i cili studioi për shumë vite violinën, por më pas e la. Ishte dashuria e tij e madhe për artin, baletin, këngën, që ma rriti si pakuptuar, dëshirën për të kënduar.

 

Nga Shkodra, qyteti ku ke lindur, kanë ardhur deri sot me qindra këngëtarë e zëra të bukur. Pse mendon se ti u dallove qysh në fëmijëri?

 

Ndoshta, këtë pyetje duhej t’ia bëni atyre që besuan tek unë mbi atë që më dalloi nga fëmijët e tjerë. Ajo që mund të them, është se pata fat të ndodhesha në kohën e duhur, në vendin e duhur, me njerëzit e duhur, për të kuptuar në kohë që zoti më kishte falur këtë talent, por që duhej zhvilluar. Me kohën u rrita dhe eksperienca dhe puna më bëri të jem këtu ku jam sot.

Por ti nuk ke ndjekur shkollim të profilit muzikor. Si i ke mbushur vakuumet

në këtë fushë?

 

E vërtetë që nuk kam ndjekur një shkollim të këtij profili, por talenti lind dhe, në këtë rast, punova me më të mirët, mora nga eksperienca e tyre, mendimet, sugjerimet që më ndihmuan të realizohesha plotësisht. Nuk të bën shkolla artist, aq më tepër kur tek ne nuk kishte një shkollë për muzikën e lehtë, por vetëm për formimin klasik.

 

Çfarë ndjen kur dëgjon, ndoshta në radio, një jare shkodrane?

 

Shumë emocion dhe përfshihem pa e kuptuar duke bërë zërin e dytë apo duke ndjekur vijën melodike. Më vjen keq që nuk i dëgjoj shpesh, në fakt, nëpër radio…

 

Pas studimeve në shkollën pedagogjike në Shkodër, erdhe në Tiranë. Si rrodhën ngjarjet që zgjodhe atë degë studimi?

 

Zgjodha Shkencat Sociale, sepse qysh në fëmijëri pëlqeja të isha pranë njerëzve, kisha natyrë empatike dhe isha e ndjeshme ndaj problemeve sociale. Mendoja që ishte një degë e re me perspektivë dhe si një njeri publik që kishte përfunduar studimet për Punë Sociale, do të isha e dobishme, nëse do të punoja nëpër organizata joqeveritare apo ndërkombëtare, duke i ndërthurur këto me njëra–tjetrën, mund të bëja diçka e t’ju vija në ndihmë njerëzve me nevoja specifike.

Kur dëgjoje një material muzikor, kur e ndjeje që ishte për ty? Kur fillove ta kuptosh se çfarë doje si artiste?

 

Modestisht mund të them që në fillimet e mia, duke qenë se isha me fat që nga “Ethet e së premtes” të punoja me kompozitorët më të mirë, nga të cilët isha nxitur që gjithmonë të isha kërkuese e të pretendoja maksimumin në materialet muzikore.

 

Pavarësisht se kishe tashmë disa vite që këndoje, ishte spektakli “Ethet e së premtes” që të bëri të njohur për publikun. Shumë nga ju që morët pjesë, janë ende sot në skenë. Si e kujton atë event muzikor?

 

“Ethet” ishin spektakli që na ndryshoi jetën që të gjithëve dhe nga ku na u hapën dyert për t’u realizuar edhe më tej, ndaj e mbaj mend si aktivitetin më të rëndësishëm dhe kyç të jetës time artistike.

 

Ke ti një këngë të preferuar nga të tuat, që ndoshta të kujton një moment të veçantë të jetës tënde?

 

Kam sigurisht, por nuk di t’i veçoj, sepse secila nga këngët që unë kam kënduar ka shumë dashuri, sakrifica, mund dhe përkon patjetër me diçka që më ka prekur në ato momente kur është bërë, ndaj s’do të dija t’i ndaja.

 

Kur shikon veten në TV ose Youtube në këngë të hershme të tuat, je kritike? Po nostalgjike?

 

Unë jam kritikja më e madhe e vetes, asnjëherë nuk më pëlqen vetja

gjithmonë gjej diçka që duhet ta rregulloj për herën tjetër, po edhe nostalgji kam, siç është normale. Kur je e emocionuar, shumë gjëra nuk i shijon me qetësi,

sepse ka përparësi përgjegjësia se si do të dalësh, e ca gjëra i humbet

rrugës.

Cilat janë cilësitë që vlerëson në një bashkëpunëtor, si e zgjedh atë?

 

Profesionalizmi, por mbi të gjitha komunikimi është shumë i rëndësishëm për të nxjerrë diçka cilësore e të suksesshme, duhet shumë sintoni mes bashkëpunëtorëve.

 

Numëron me dhjetëra këngë ose cover si dhe ri-interpretime të këngëve të tabanit nga muzika qytetare, ndërkohë jo shumë videoklipe? Pse?

 

Po, është e vërtetë që falë pjesëmarrjes tek “Këngët e Shekullit”, një tjetër aktivitet shumë i rëndësishëm për jetën time artistike, unë kam sot një repertor me këngë qytetare, kryesisht shkodrane por jo vetëm dhe pak videoklipe. Pse? Hmmm…sepse kanë një super kosto dhe, siç e dini, në Shqipëri nuk ka shtëpi diskografike të mirëfillta, menaxherë profesioniste, pra një grup njerëzish që të gjithë bashkë ndikojnë në realizimin dhe jetëgjatësinë e një artisti. Kështu funksionon në botë, tek ne jo, këtu çdo gjë e përballon artisti me shpenzimet e veta dhe, sigurisht, unë bëj aq sa mundem, me shumë sakrifica dhe ndihmën e familjes.

 

Të mbetet hatri shpejt? Të pëlqejnë apo të mërzisin kritikat?

 

Askujt si pëlqejnë kritikat, por për mua ka rëndësi kush ma thotë apo ma bën kritikën, sepse nuk mund t’ia lejojmë të gjithëve, por nëse kjo vjen nga familja, miqtë e ngushtë, ata që me të vërtetë më duan dhe më njohin mirë, nuk ua marr kurrë për keq. Përkundrazi, e vlerësoj dhe përpiqem ta ndjek këshillën e tyre, duke u përpjekur të përmirësohem.

 

Ke bashkëpunuar me kompozitorët dhe tekstshkruesit më të mirë në vend. Ke zgjedhur gjithmonë pak e saktë? Sa rëndësi ka cilësia për ty?

 

Cilësia, thjeshtësia me të cilën ajo lind, profesionalizmi, mesazhi i këngës

dhe mënyra se si përçohen emocionalisht tek publiku janë thelbi i çdo gjëje, mendoj unë.

 

Mendon se i je përshtatur kërkesave të tregut muzikor? Ku mendon se çalon shija muzikore dhe kualiteti i këngëve, nëse çalon!

 

Unë i jam përshtatur muzikës së vërtetë, të bukur, me melodi që mbetet në mendje gjatë, me tekste që përcjellin mesazh, që prekin njerëzit emocionalisht. Kjo është ajo që sot po mungon. Sot po shohim muzikë, nuk po e dëgjojmë. Nuk dua të gjykoj askënd, por me vjen keq që po i shkatërrojmë edhe ato vlera që kishim dhe po edukojmë një brez të ri me mesazhe dhune, negative, pa asnjë vlerë sociale e morale.

 

A lutesh për dëshirat e tua? Nëse po, si dhe kujt i lutesh?

 

Po, sigurisht që i lutem Zotit.

 

Nuk je tunduar asnjëherë të ndryshosh stil kënge? Nga vjen kjo besnikëri për muzikën e lehtë të pastër?

 

Nuk ka lidhje me tundimin apo besnikërinë, por me faktin se ku këngëtari e ndjen se zëri i tij përshtatet më së miri.

 

Ku e gjen prehjen?

 

Tek baladat.

 

Ke një stil shumë të kthjellët edhe në veshje. E ndihmon kjo suksesin në Shqipëri?

 

Unë mendoj se kam stilin tim dhe vishem ashtu siç ndjehem më komode dhe brenda natyrës sime, nuk sforcohem të bëj gjëra për të dalë jashtë natyrës, sigurisht, i përshtatem vendit dhe situatës dhe, sigurisht që po, mendoj se në një vend të vogël si Shqipëria, është diçka e rëndësishme të jesh me këmbë në tokë dhe të jesh i thjeshtë duke e reflektuar që nga sjellja, veshja e të tjera.

 

Ku do kishe dëshiruar të jetoje, veç Shqipërisë?

 

Ndoshta në Vjenë, Austri.

 

Ti punon në marrëdhëniet me jashtë, sektori i protokollit. Sa vend ke në kohën tënde për këngën?

 

Kjo është një periudhë ku unë i jam përkushtuar më shumë punës dhe jam e fokusuar momentalisht tek puna e përditshme, sepse e konsideroj shumë të rëndësishme, asnjëherë pa lënë mënjanë muzikën, ajo më shoqëron në çdo moment të ditës.

 

Ke ndonjë peng në lidhje me karrierën në muzikë? Po një ëndërr?

 

Në realitetin ku ne jetojmë dhe për kushtet që ne kemi, mendoj se kam arritur mjaftueshëm dhe kam realizuar atë çfarë unë kam dashur, gjithmonë duke bërë më të mirën dhe duke u munduar të lë gjurmën time si artiste me personalitetin tim. Sigurisht, do të dëshiroja që këtu të funksiononin më mirë gjërat në fushën e muzikës dhe artistët të ishin njësoj si të gjithë artistët jashtë. Kështu po, mund të ëndërroja për të realizuar projekte pafund.

 

Më thuaj një të metë që mendon se ke dhe një virtyt...

 

Jam shume emotive, e ndjeshme për së tepërmi dhe kjo më dëmton shpesh herë, mendoj që jam shumë njerëzore, mendje hapur, e zemërgjerë, pavarësisht vështirësive apo sfidave që ne të gjithë hasim çdo ditë, unë dua të besoj dhe të shoh më të mirën në çdo situatë.

 

Ke në duar ndonjë projekt të ri?

Akoma jo, por së shpejti do të filloj punën për diçka të re.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: