Rruga e mbetur për në Rusi, Botërori përmes shifrave (ekipet e kualifikuara, favoritet)

Rruga e mbetur për në Rusi, Botërori përmes shifrave (ekipet e kualifikuara, favoritet)
Janë siguruar 23 bileta deri tani nga 32 gjithsej, në rrugëtimin drejt botërorit rus, që nis qershorin e vitit të ardhshëm. Gjermania kërkon në Kupën e Botës Rusi 2018 të mbrojë kurorën si kampione, që siguroi pas finales në Brazil ndaj Argjentinës, 1-0. Gjermania shihet si favorite e këtij turneu, ashtu sikurse Spanja dhe Brazili. Edhe pse Botërori ka ende kohë, edhe Franca shihet si një tjetër skuadër e kompletuar dhe me pretendime, ashtu sikurse Belgjika.

Por finalet mund të vihen edhe nën diktatin e eksperiencës së skuadrave me luhatje në kualifikuese si Argjentina, apo Italia që pret kualifikimin.

Nga Aranit Muraçi

Rusia (pritëse e botërorit )

Skuadra e Stanislav Cherchesov kualifikohet për herë të katërt, pas prishjes së Bashkimit Sovjetik, por këtë herë direkt si organizatore e këtij turneu. Ndër lojtarët e saj kryesorë veçohet veterani i portës, Igor Akinfeev, që ka më shumë se 100 ndeshje me kombëtaren. 31-vjeçari i portës së CSKA Moskë ka të ngjarë të jetë kapiten edhe i kombëtares. Rusia nuk shihet si favorite e turneut por skuadrat që organizojnë Kupën e Botës avancojnë deri në gjysmëfinale apo finale, si Koreja e Jugut në vitin 2002.

Belgjika (surpriza e mundshme)

Pasi dështoi të kualifikohej në dy turnetë e kaluara, Belgjika arriti çerekfinalet në Brazil 2014, duke humbur me finalistët e Argjentinës dhe shihet si skuadra e mundshme që mund të bëj surprizën në botëror. Arritja e tyre më e madhe është vendi i katërt në botërorin 1986. Lojtarët kryesorë të saj janë: Eden Hazard, sulmuesi i Chelsea, kapiteni frymëzues i skuadrës së  Roberto Martinez. Belgjika një skuadër me lojtarë si Kevin de Bruyne, Vincent Kompany (Manchester City), Marouane Fellaini e Romelu Lukaku (Manchester United), i ka kapacitetet për të konkurruar denjësisht.

Gjermania

Kampionë në fuqi të botës. Asgjë më shumë sesa përveç se janë numri një në botë, janë edhe favoritë kryesorë për të mbrojtur kurorën në “Rusi 2018”. Gjermania shkon në Rusi me 10 fitore në po kaq ndeshje të kualifikueseve, duke mos krijuar asnjë dilemë mbi pretendimet e saj.  Lojtarët si Toni Kroos, Thomas Muller e Mesut Ozil, i japin garanci gjermanëve për të përsëritur suksesin e katër viteve më parë. Do të ishte hera e pestë për Gjermaninë që fiton këtë turne, çka do të barazonte Brazilin, që duket se do ta ketë një ndër rivalët kryesorë për trofeun verën e ardhshme.

Spanja

Fitoi 3-0 ndaj Shqipërisë dhe preu biletën direkt për në botëror, me 9 fitore dhe një barazim. Të vetmin barazim Spanja e shënoi në Itali, përballë një skuadre që e ka fituar plot 4 herë kupën e Botës.  Aktualisht renditet e 11-ta në botë, por është skuadra që mbajti numrin një nga 2008 deri më 2013. Spanja, kampione e botës më 2010, si dhe kampione  e Europës më  2008 e 2012, shihet ndër ekipet favorite të këtij turneu, pavarësisht se u eliminua shpejt në Brazil 2014. Mes lojtarëve kryesorë shihet sulmuesi i Real Madrid, Isco, që ka shënuar 6 gola në shtatë ndeshjet e fundit.

Brazili

Fitues më 1958, 1962, 1970, 1994 e 2002, Brazili u mund 7-1 në gjysmëfinale nga Gjermania botërorin e kaluar dhe mbeti jashtë finales së madhe. Por nuk mungon dhe mbetet favorit në çdo turne të këtij lloji, sidomos para botërorit Rusi 2018. E siguroi kualifikimin me lehtësi, duke mos njohur kundërshtarë në zonën e Amerikës Latine. Llogaritë janë të thjeshta: skuadra më e mirë ose më në formë e Amerikës Latine nëse nuk fiton botërorin shkon deri në finale, ose në gjysmëfinale. Lojtari kryesor është padyshim, Neymar, i cili i kushtoi PSG plot 22 mln euro gjatë merkatos së verës.

 

Afrika

Afrika është konfederata e vetme që nuk e ka mbyllur fazën e grupeve. Nigeria e Egjipti janë dy ekipe afrikane që kanë garantuar një vend në Kupën e Botës, por janë edhe tre bileta ende të papërcaktuara si dhe tetë ekipe në garë për të zënë tre vendet e mbetura afrikane në Rusi 2018.  Ndeshjet e mbetura do të luhen më 10 dhe 14 nëntor. Në grupet afrikane kualifikohen vetëm të parat dhe nuk ka “play-off”.

 Australia

Tim Cahill shënoi dy herë ndaj Sirisë duke kaluar Australinë në “play-off”, për të diskutuar kualifikimin në botëror ndaj Honduras. Ndeshja tjetër Inter-konfederatë do të jetë ajo mes fituesit të zonës së Oqeanisë dhe vendit të pestë në Amerikën e Jugut. Zelanda e Re fitoi ndaj Ishujve Solomon në “play-off” të Oqeanisë, që do të thotë se do të ndeshet me Perunë më 6 e 16 nëntor, për të pretenduar kualifikimin.

Europa

Pas mbylljes së fazës së grupeve janë përcaktuar edhe tetë ekipet pjesëmarrëse në “play-offs” që do të diskutojnë katër biletat e fundit nga zona e Europës për në Rusi 2018. Nga ekipet që dolën të dyta në grupet mbeti jashtë Sllovakia, si e dyta më e dobët nga koefiçentët  e përcaktuar nga FIFA.

Vazo 1: Zvicra, Italia, Kroacia, Danimarka

Vazo 2: Irlanda e Veriut, Suedia, Irlanda, Greqia

 

Argjentina falë Messi, mes 23 ekipeve finaliste

Argjentina kapërceu frikën dhe shkroi emrin e saj si një prej 32 ekipeve finaliste të Kupës së Botës Rusi 2018, falë fitores në ndeshjen e fundit me Uruguain, 3-0. Skuadrës së Jorge Sampaolit i mjaftoi një tripletë e Lionel Messi. Para këtij takimi Argjentina ishte në vend të gjashtë, ose jashtë botërorit.

Skuadrat e kualifikuara

Europa: Belgjika, Anglia, Franca, Gjermania, Islanda, Polonia, Portugalia, Rusia (pritëse), Serbia, Spanja

Amerika e Jugut: Brazili, Uruguai, Argjentina, Kolumbia

Afrika: Egjipti, Nigeria

Azia: Irani, Japonia, Arabia Saudite, Koreja e Jugut

Amerika Veriore, Qendrore e Karaibet: Kosta Rika, Meksika, Panama

 

Botërori në shifra

335

mijë është popullsia që e bën Islandën vendin më të vogël që kualifikohet në historinë e finaleve të Kupës së Botës. Trinidad e Tobago, me 1.3 milion banorë, u kualifikua në vitin 2006.

98

Pozicioni i Arabisë Saudite në FIFA, kur siguroi kualifikimin. Kili ndodhej në vend të katërt, por mbeti jashtë botërorit, sikurse Holanda që është ende në 32 pozitat më të mirë.

90

Kjo është përqindja e fitoreve të Zvicrës në Grupin B, por megjithatë përfundoi e dyta. Nuk kishte ndodhur që një skuadër evropiane të mos kualifikohej direkt me këto shifra.

41

Pikët e Brazilit, e dyta më e lartë në fushatën kualifikuese të Amerikës Latine. Veron, Ortega, Crespo e Batistuta kualifikuan Argjentinën në Kore/Japani 2002 me 43 pikë.

39

Gjermania jo vetëm me 10 fitore (43 gola plus; katër minus). Skuadra e Joachim Loë vendosi një rekord perfekt për gola-varazhin +39, si asnjë ekip tjetër më parë.

32

Kanë kaluar kaq vite që kur Holandës i duhet të pranojë se ka mbetur sërish jashtë botërorit, duke përfunduar e treta e grupit në kualifikueset e Kupës së Botës “Rusi 2018”.

28

Kaq vite ka pritur Egjipti për t’u rikthyer në botërorin e Rusisë. Ishte për herë të fundit në Italia ’90, ndonëse më tej “Faraonët” kanë fituar edhe katër Kupa të Kombeve në Afrikë.

21

Golat në total të Lionel Messi e Luis Suarez që kryesojnë goleadorët e kualifikuesve të Amerikës së Jugut. Në fillim, Messi e Suarez kishin shënuar secili 14 e 16 respektivisht, pas Crespo (19).

17

Golat që shënoi SHBA në kualifikuese, më shumë se çdo ekip tjetër, por përfundoi në vend të pestë dhe dështoi të kualifikohej në botërorin e tetë radhazi, Rusi 2018.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: