Saimir Çili: Nuk ka muzikë të keqe, dikush e bën të mirë e dikush jo

Saimir Çili: Nuk ka muzikë të keqe, dikush e bën të mirë e dikush jo
Është i njohur për publikun e gjerë prej mbi dy dekadash, herë si këngëtar, herë si kompozitor, herë se dirigjent dhe udhëheqës artistik dhe sot dirigjent i orkestrës së Cirkut Kombëtar. Portreti i tij dhe gishtat virtuozë në tastierë me Saimir Çili Band na kanë shoqëruar për vite, teksa shikonim në ekran spektaklet më të suksesshme muzikore në vend. Këtë vit e pamë nëpër Shqipëri me këngë jugu, teksa ngrinte publikun në këmbë. Saimir Çili është një nga artistët modernë më të kompletuar që kemi, ende në aktivitet të pareshtur. E përsëri ka shumë vakuume në historinë se nga vjen e se si e ka nisur historinë e gjatë të karrierës së tij si profesionist dhe virtuoz. Ai vjen në këtë rrëfim ekskluziv për “Albanian Free Press”, duke na lënë shijen se si një muzikant profesionist i reziston kohës dhe rrymave që cenojnë cilësinë e muzikës.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Pak dihet për rrënjët e tua, ti je me origjinë nga Jugu?

Kam lindur dhe jam rritur në Tiranë. Nga im atë, me origjinë të largët, jam pogonian, nga Janina. Të parët e mi kanë ardhur dikur nga viti 1900 në Gjirokastër e më pas janë shpërngulur në Tiranë, ndërsa gjyshen nga babi libohovite. Mami ka lindur në Frashër, në Përmet. Pra jam me origjina tërësisht jugore.

Dhe në cilën moshë fillove të kuptosh se muzika do të ishte jeta jote?

Ka një histori që, në fakt, ndodh në familjet tona. Vëllai im, katër vite më i madh se unë, ka qenë violinist, ka ndjekur shkollën “Dëshmorët e Lirisë”, në një klasë me Redon Makashin e me Arben Skënderin. Në moshë shumë të vogël, unë marr në duar violinën e vëllait dhe më provuan. E panë se unë kisha vesh për muzikë. Isha vetëm 6-vjeçar dhe ende nuk kisha filluar shkollën. Më jepte leksione Haki Bejleri. Më pas e lashë violinën, sepse e pashë që ishte instrument shumë i vështirë. Kur dilte në skenë Aleksandër Lalo dhe Agim Krajka me fizarmonikë, unë imitoja Agim Krajkën, si fëmijë që isha. Kur dilte në skenë Alqi Kareco, unë imitoja atë duke i rënë pianos mbi tavolinë, ndaj nëna ime më regjistroi në shtëpinë e pionierit, ku hyje me konkurs, për fizarmonikë dhe gjithashtu studioja edhe ksilofon sepse ishte vetëm një njeri që luante në ksilofon. Ndërkohë mësova të kopjoja edhe partiturat, duke pasur edhe shkrim të bukur.

Më pas ke studiuar në Liceun Artistik?

Im atë nuk donte që unë të studioja për muzikë, sepse mendonte se do të ishte e vështirë më pas jeta ime. Ai dëshironte, madje më regjistroi, në Politeknikum. Por unë kisha pasionin tim dhe, fshehurazi, shkova të konkurroj në Liceun Artistik. Kur dolën përgjigjet, informova tim atë dhe aty kishte mbaruar gjithshka. Gjatë shkollës kam ndërruar shumë profesorë në fizarmonikë, por jam diplomuar me Enver Shëngjergjin. Më vjen të qesh kur kujtoj që ai ishte aq i bindur në zotësitë e mia, saqë as më pyeti fare sepse, sipas tij, e meritoja dhjetën.

Pas shkollës së mesme, ti ndoqe Akademinë e Arteve?

Jo menjëherë, sepse nuk u përgatita dot në kohë për kompozicion, degën ku dëshiroja të shkoja. Është shumë kuriozitet, që një pjesë e mirë e kompozitorëve më të mirë që kemi, kanë qenë ish-fizarmonicistë ose pianistë. Alfred Kaçinari, Aleksandër Lalo, Shpëtim Saraçi, Agim Krajka dhe të tjerë.

Ka qenë si një modë, sepse me fizarmonikën mund të shoqërohej një mbrëmje edhe si instrument i vetëm. Në ato kohë unë pata edhe disa halle familjare, me të sëmurë në shtëpi, dhe nuk u përgatita dot për kompozicion. Por nga ana tjetër nuk doja të shkoja ushtar, siç ka qenë në atë kohë, ndaj konkurrova për menaxhim arti, sepse mendova të qëndroja aty një vit, sa të shmangia ushtrinë. Por ndodhi që më pëlqeu si degë shumë dhe e vazhdova. Gjithsesi, nga kompozicioni nuk hoqa dorë dhe, pa përfunduar fakultetin e parë, nisa të dytin dhe u diplomova edhe për kompozicion.

Ndërkohë, ti kishe filluar të aktivizoheshe në jetën artistike të Tiranës?

Po, kisha filluar në Estradën e Tiranës, hahahaha, madje kam qenë shumë mistrec sepse ngulja këmbë të dilja në koncerte. Mbaj mend që kam qenë shumë i ri dhe i kam thënë Alqi Karecos: “O profesor, dua të dal në skenë, në estradë, me fizarmonikë..” “Po mirë more djalë, hajde të të dëgjoj në komision!” pasi më dëgjoi më vuri në dukje se pjesët që luaja unë nuk ishin për skenën e estradës dhe më dha dy pjesë që t’i mësoja e me këto pjesë unë dola në skenë me formacionin e Estradës së Shtetit. Për çudi, ish drejtori, Genc Shalku më mori në estradë pa mbaruar akademinë, estrada kishte nevojë. Them për çudi sepse nuk isha çuni filanit, pra me prindër muzikantë, siç funksiononte atëherë. Unë ndërkohë dola përpara publikut me Vikena Kamenicën, këngëtaren e njohur. Më parë unë kisha çuar një këngë në festivalin e RTSH-së por nuk ishte pranuar, se isha i ri e i panjohur, pa prindër artistë.

Cila ka qenë pra kënga jote e parë me të cilën ke debutuar në festival?

Ka qenë një duet me Vikena Kamenicën, “Flas me rininë time”, një kompozim i Luan Zhegut bashkë me Osman Mulën, me tekst të Jorgo Papingjit dhe e ka orkestruar Elton Deda, hahahaha, me një shishe fërnet, pa asnjë pagesë, jo siç ndodh sot. Sepse ne ishim shokë, rrinim bashkë, me Bledar Sejkon, Elton Dedën, Redon Makashin.

Po me kompozimet e tua, kur nise të dalësh në skenë?

Që në vitin 1997 unë kam dalë me kompozimet e mia, me tekste ndonjëherë të miat e ndonjëherë të autorëve të tjerë. Atë vit fitova çmimin e parë të rinisë, së bashku me Eneida Tarifën, ishte një këngë për shpresën, sepse ishin kohë të vështira. Kënga ishte mbi situatën. Në vitin 1998 kam qenë në festival me sopranon e mirënjohur Eva Golemi, ku fitova për orkestracionin më të mirë, në vitin 1999 fitova për poezinë më të mirë, kisha marrë dhe përpunuar vargjet e të madhit Lasgush Poradeci e kështu vazhdoi deri në vitin 2007, vit për vit në festival. Kënga e fundit me të cilën kam marrë pjesë në festivalin e RTSH-së ka qenë “Ninullë për ty” sepse sapo kishte lindur ime bijë dhe ishte njëmuajshe. Në atë këngë janë të qarat reale të sime bije, pra është këngëtarja më e re në festival. E lashë atë festival, sepse nuk më futën në natën finale.

E mësove ndonjëherë arsyen pse?

Nga miqtë tanë mësova se dikush ishte shprehur që “është shumë këngë personale” ndërkohë që ai vetë ka bërë disa të tilla. Unë u mërzita dhe u largova nga festivali.

Por performove tek festivali “Kënga Magjike”...

Po, ishte viti 2009.

Si ka lindur ajo veshje skenike aq e veçantë?

Ka një histori ajo këngë. Unë aty ku punoja, tek cirku, tek estrada, shikoja çdo ditë një plak. Dukej si lypës, por nuk ishte, sepse mbante 6 paketa me cigare përballë për t’i shitur. Ishte i dobët, i thatë, duhet të ishte dhe i sëmurë. Unë çdo ditë përpiqesha t’i lija ndonjë lek të vogël. Një ditë disa djem si “të fortë”, me zinxhirë floriri në qafë, me atë ecjen karakteristike, e trajtuan shumë keq, e tallën, e përbuzën. U ndjeva shumë keq. Shkoj në shtëpi e nuk më zinte vendi. Mendova me vete se ai njeri nuk ishte i çmendur, nuk po lypte. Aty lindi ideja dhe kënga. Melodia mbaroi për gjysmë ore. Unë doja në skenë inversin, dola në skenë i veshur si zotëri, me shkop në dorë e një i varfër më shikonte. Doja të jepja një mesazh kontrovers. Që nga ai vit unë nuk kam marrë më pjesë në festivale. Aty mora dhe çmimin e kontributit artistik si kompozitor, këngëtar, dirigjent dhe orkestrues.

Pse nuk ke marrë më pjesë?

Ndoshta sepse nuk e kam gjetur shumë veten duke parë këto rrymat e reja, të cilat nuk i urrej, sepse zhvillohen edhe jashtë Shqipërisë me sukses, por atje bëhen nga njerëz profesionistë. Sepse nuk mjafton një kompjuter, dy bokse zëri e një aparaturw. Muzika ka disa kritere, nuk është kulturë të bëhet çfarë duam me muzikën.

Ti ke studion tënde muzikore, një nga të parat. Si e shikon muzikën e kompozuar sot?

Rëndësi ka shumë se çfarë mesazhi përcjell një këngë. Bëhet një këngë edhe më një kompjuter, por varet se me çfarë cilësie, ideje, mesazhi bëhet. E thashë edhe më parë, nuk jam kundër rrymave të reja, sepse unë mendoj se nuk ka muzikë të keqe, nuk shahet muzika, por dikush e bën atë mirë e dikush jo. Problemi këtu qëndron tek fakti që këngët bëhen pa konsultime me muzikantë profesionistë. Mesazhet janë të pasakta, janë shpesh zhargone rruge.

Je duke shkruar tani që flasim?

Kam në duar një vepër simfonike, por rutina e ditës nuk po më lejon ta mbaroj. Ndërkohë po shkruaj muzikën e një filmi me regji të Edmond Topit, ku luajnë aktorë shumë të mëdhenj, si Margarita Xhepa. Është eksperienca ime e parë me muzikën e filmit. Ndërkohë jam pjesë e pandashme e “Promotor”, që prej vitesh janë producentë të spektakleve më të suksesshme në vend.

Gjithë këto aktivitete, ku e gjen kohën për të gjitha?

Me programim. Mendoj me vete se më mirë do bëhet. Kam një të keqe të madhe, nuk rri dot pa punë, do t’i gjej punë vetes edhe kur nuk kam.

E ke bërë një pauzë ndonjëherë në gjithë këto vite karrierë?

Jo, këtë verë p.sh nuk kam bërë asnjë ditë pushim, kam qenë nëpër Shqipëri me maratonën e këngës. Më mungonte ky lloj kontakti me publikun. Është kënaqësia më e madhe për artistin, kur bëhesh njësh me publikun.

Ke qenë dhe je pjesë e institucioneve të kulturës. Duhet të bëjë më shumë shteti?

Ka një problem që ne nuk po arrijmë ta kuptojmë akoma. Vijmë nga një sistem i izoluar dhe shteti ka investuar gjithmonë për kulturën. Këtu gabohemi ne dhe duhet të kuptojmë njëherë e mirë se një artist i mirë arrin ta çajë rrugën vetë. Jo vetëm të kërkojë ndihmë nga shteti. Po ne vetë, çfarë bëjmë për kulturën? Apo bëjmë vetëm atë orarin e punës edhe kaq. Kontributi duhet të jetë i përbashkët, biznes dhe shtet. Është çështje mentaliteti edhe për shtëpitë diskografike, që mungojnë. Një menaxher e merr një këngëtar nga rruga dhe e bën të suksesshëm. Këtu nuk ekziston kjo, as në koncept. Jashtë Shqipërisë, menaxheri i artistëve e shikon një këngëtar në rrugë apo në një bar të vogël, e mendon se sa mund të fitojë ai nga kjo. Dhe kjo është normale, sepse kështu ai nuk mund të marrë kurrsesi një këngëtar të dobët e pa talent sepse është në lojë fitimi i tij.

Në Shqipëri menaxher arti bëhet motra, vëllai, babai, nëna, bashkëshorti, i dashuri, pra nuk kemi infrastrukturën e nevojshme, jemi shumë larg që ta sjellim artin në nivelet botërore.

 

Disa nga interpretimet e artistit:

Ëndërr e gjallë

 

Flas me rininë tënde

 

Hipokrizi

 

I çmendur nuk jam

 

I harruari

 

Ish’ një histori

 

Kjo festë që kohën e ndryshon

 

Në një arë, në një lëndinë

Nën magjinë e natës

 

Ninullë për ty

 

Potpuri pranvere

 

Sa herë që vjen pranvera

 

Sa larg

 

Të jetosh

 

Turkesha

 

Yjet e shpresës

 

Zemër, je ditari im

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: