“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Shoku Erion Veliaj dërgon Gaz Demin në shtëpinë e Saimirit

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Shoku Erion Veliaj dërgon Gaz Demin në shtëpinë e Saimirit
Satirë

Më pas do shkojë edhe Rid Halili...

"Antena Jashtë Familjes" ka mundur të zbulojë që, në takimin bërë disa muaj më parë në zyrën e shokut Erion Veliaj, me Presidentin e Klubit Partizani dhe Presidentin e Sportklub Tiranës, është diskutuar ndër të tjera edhe për shokun Saimir Tahiri, që atë kohë mbante vendin, apo siç i thonë në gazetari, postin, e ministrit të Brendshëm dhe kishte nen yçëm rendin në stadiume.

Ne kemi mundur të kapim me antenën tonë të vendosur fshehtas në tarracën e godinës të mbushur me lule, pjesë të bisedës së këtyre tre personave.

Për arsye se rubrika jonë atëherë nuk ishte krijuar, e mbajtëm atë në kasafortë, e po e botojmë tashmë që mediat po shkruajnë për këtë çështje.

Ja bashkëllafosja e bërë midis këtyre tre personave:

.....

Erion Veliaj: Pra siç ramë dakord Gazo, po të jap të drejtën të luash në Stadiumin ish Dinamo, tashmë Selman Stërmasi, me kushtin që kur të plasë çështja e Saimes, të shkosh te shtëpia, e t'i thuash ato që të thashë.

Gaz Demi: Çfarë më the? Përsërite se nuk e mbaj mend tekstin! S'kam këtu as Bob-Sul Starovën me vete, se ai mban mend ç'do gjë. Ai kujton edhe ndonjë faull që s'na japin arbitrat, madje.

Erion Veliaj: Ta dija kështu, ftoja edhe Bobin të vinte...

Gaz Demi: Ishte i zënë, se po shkruante një artikull kritik për Kombëtaren, ndaj nuk e mora.

Erion Veliaj: Artikull kritik për Kombëtaren tonë?

Gaz Demi: Jo, jo, për Kombëtaren e Argjentinës. Nuk po paraqiten mirë ata, mesa më kanë thënë bashkëpunëtorët e mi. Bobi do analizojë shkaqet e kësaj paraqitjeje të dobët të tyre.

Rid Halili: O Gazo! Si nuk man men një tekst të thjeshtë, mer jahu! Unë maj men tekstet e mbi 100 këngëve popullore. A t'ja përsëris unë, o Shef?

Erion Veliaj: Përsëritja, Rido!

Rid Halili: Shef Erioni tha që kur të plasë "ajo puna" e Saimirit me ata që çonin drogë në Itali, të shkosh ta takosh, e t'i thush që mos të mërzitet. Kështu e ka politika. Midis Erionit dhe Saimirit, Edi Rama ka zgjedhur Erionin, t'i thush. A i the kështu, o shef Erioni?

Erion Veliaj: Të lumtë, Rido! I meriton lekët që të ka borxh Bashkia e Lulit!

Rid Halili: A do më japësh edhe ndonjë leje ndërtimi për pallat, veç borxheve, o shef?

Erion Veliaj: Pse jo! Kur të duash, hajde dhe më tako. A do edhe ti ndonjë leje ndërtimi, Gazo?

Gaz Demi: Jo, jo, unë s'kam ndërmend të ndërtoj, në Tiranë. Jepja Ridit atë që do më jepje mua!

Erion Veliaj: Mirë Gazo, po ndryshove mendje më thuaj! Veç shko te Saime "qorri" dhe t'i thuaj që të heqë dorë nga ëndrra për të marrë Partinë Socialiste pasi të iki Edi! Pasi të shkosh, do të të jap të rindërtosh çdo kopsht, ose çerdhe...!

Rid Halili: Gazit jepi ndonjë ide se si të "rregullojë telat" me Mand Dukën!

Erion Veliaj: Me Mandin nuk ngatërrohem, se atë sektor e mbulon Safeti.

Gaz Demi: Mua më jep ndonjë lek, meqë edhe ne jemi klub i këtij qyteti...!

Erion Veliaj: I ka vdek' mami atij muhabeti! Siç edhe e kam thënë: Të gjitha klubet sportive do marrin lekë,...mandatin tim të tretë. Pasi të takohet Gazi, ti Rido do shkosh, siç e lamë, që t'i këndosh këngë! Nuk dua që të mërzitet shumë, ndaj. Kënga do e shplodhë.

Rid Halili: Ato i qaj unë, ti e di. Po përgatis edhe një album.

Erion Veliaj: Ti Gazi, kujdes kur të shkosh! Saimiri nuk është tifoz i kuq, megjithëse është i majtë! Kujdes se mos të nxjerrë jashtë nga shtëpia!

Rid Halili: Nuk e nxjerr njeri Gazin mer jahu! Atë nuk e nxjerr Ed Rama, do e nxjerrë Saimiri!

Erion Veliaj: Atë mos e thuaj ti Ridi, se ku i dihet. Në Vlorë nxorën nga stadiumi shokun Edi me shoqen Mimi me bisht ndër shalë, sezonin e kaluar.

Rid Halili: Shef Erioni! Kisha një kërkesë. A mund të vish të luash me ekipin tim? S'po na japin asnjë penallti arbitrat, mer jahu! Dun që të rrëzohemi nga Superiorja, që unë të detyrohem që të shes klubin. Aman Erion, hajde, se ti di si të shtiresh. Penallti tamam s'po na japin. Mbase na japin ndonjë me simulim.

Gaz Demi: Hajde luaj me ne, ti djalë! I them unë shef Edit, të të lejojë. Kam përshtypjen se ata lojtarë që do na sjellë Moxhi, do na dalin kot. Më shumë punë do më bësh nëse luan ti Erion, se lojtarët që do më sjellë Luçianoja.

Erion Veliaj: Ju falenderoj për vlerësimin që të dyve, por nuk mund të vij te asnjë klub. E para e punës, dua të jem i paanshëm në tifozllëk.

Gaz Demi: Me llafe i paanshëm je ti mor djalë, por na hudh ndonjë lekë edhe neve!

Erion Veliaj: ...Merrni atë gocën e BE-së, Vlahutinin. Se mos bëjnë më shumë kilometra se ajo, futbollistët tuaj, fundja. Me thënë të drejtën, ajo luan mirë, sidomos me këmbën e majtë. Pastaj, ju e dini: Jam i zënë deri në grykë me rikonstruksione kopshtesh, e nuk gjej dot as dy orë kohë të lirë, qoftë edhe në fundjavë.

Pra siç ju thashë! Ti Gazi shko e bëja të qartë Saimirit që Edi më ka zgjedhur mua si pasardhës. Më pas shko ti Rido, këndoji ndonjë këngë mos të mërzitet...!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: