Sokol Pepkolaj: Shqipëria, mbetet më e mira ndër të gjitha

Sokol Pepkolaj: Shqipëria, mbetet më  e mira ndër të gjitha
INTERVISTË/ Flet regjisori dhe aktori me banim në Itali, Sokol Pepkolaj: Ka patur raste që prejardhja ime shqiptare ka ndikuar dhe nuk kam marrë vendin që më takonte, ose atë që meritoja

“Si aktor nuk mund të them që jam ndjerë në vështirësi, ndërsa përsa i përket regjisë kam parë vështirësitë e vërteta në kampin e xhirimit dhe në menaxhimin e tyre”. Një pohim të tillë, rreth karrierës së tij, regjisori dhe aktori Sokol Pepkolaj, gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”. Gjatë saj, ai tregon gjithashtu edhe vështirësitë, por në të njëjtën kohë dhe favoret e të jetuarit dhe të të ushtruarit të artit në Itali...

 Intervistoi për “Albanian

Free Press”: Albert Z. ZHOLI

 

Kur dhe si u larguat nga Shqipëria? Kishit dëshirë të largoheshit apo shtysë familjare?

Në vitin 2013, vendosa të largohem nga Shqipëria. U largova si turist, por duke parë favoret dhe mundësitë më të mira që m’u afruan, vendosa të ndërtoj të ardhmen atje, në Itali.

 

Babai juaj ishte ushtarak. Sa ka ndikuar ai në edukimin tuaj duke zbatuar kërkesat si një prind me rregulla ushtarake?A ishte tolerant?

Babai im si një ushtarak që ishte, më ka kultivuar këshilla të vlefshme të cilat më kanë dhënë ndihmesë gjithmonë për të arritur dhe realizuar qëllimet dhe dëshirat e mia. Ai ka qenë një karakter i fortë, gjë të cilën e kam trashëguar dhe unë, për të mos u dorëzuar asnjëherë edhe në rast dështimi. Përsa i përket tolerimit, babai im si një burrë me karakter të fortë, nuk e toleronte atë që nuk duhej.

 

Si vazhdoi edukimi juaj arsimor dhe ku?

Pas një kohe qëndrimi në Itali, duke parë dëshirën dhe pasionin tim për t’u marre më aktrim, vendosa të bëj një specializim ne këtë fushë, në një shkollë private në Milano.

 

Si ka qenë shkolla shqiptare, duke e krahasuar me atë italiane?

Mendoj se në shkollat shqiptare, gjërat mësohen në vija më të përgjithshme, ndërsa në shkollat italiane mëson gjëra më konkrete që të shërbejnë drejtpërdrejtë në profesionin që zgjedh të ndjekësh në jetë.

 

Jeni marrë me sporte, por edhe me aktrim. Si kaluat në regjisurë dhe përse?

Për të krijuar dhe shfaqur idetë e mia, duhej të isha unë regjisori dhe jo thjesht një aktor pjesëmarrës në një film, pra që të zbatoja atë që më jepej nga dikush tjetër. Për këtë arsye, unë doja të realizoja idetë e mia dhe prandaj iu futa fushës së regjisurës.

 

Kur e ke ndjerë veten më në vështirësi si aktor. Po si regjisor?

Si aktor nuk mund të them që jam ndjerë në vështirësi, ndërsa përsa i përket regjisë kam parë vështirësitë e vërteta në kampin e xhirimit dhe në menaxhimin e tyre.

 

A keni ndjerë shenja racizmi në vendet ku keni studiuar dhe keni xhiruar, pasi shqiptarët shpeshherë janë paragjykuar?

Ka patur raste që prejardhja ime shqiptare ka ndikuar dhe nuk kam marrë vendin që më takonte, ose atë që meritoja.

 

Cili është vendi më ideal në mendimin tuaj për të punuar pa stres dhe që të përkrahen idetë?

Nuk mendoj që ka një vend të caktuar, për të thënë se ky është më ideali. Vendi ideal është ai ku njeriu gjen njerëzit e duhur dhe frymën e bashkëpunimit me ta, në këtë mënyrë është më e lehtë që të përkrahen idetë e tua dhe të realizohen.

Nga filmat e deritanishëm, cilët kanë marrë vlerësim dhe ku?

Para pak kohësh, në “Palena Film Festival”, fitova “Pllakën e Artë” për filmin më të mirë me metrazh të shkurtër, si filmi me sensibilizues ndër 130 filma konkurrues.

 

Si lindi ideja për filmin “Parajsa e Zezë”? Cili është subjekti i tij dhe ku do realizohet?

Ideja e “Parajsës së Zezë” ka lindur duke parë një fenomen të kohës siç është ekstremizmi. dhe terrorizmi. Ideja ime është që përmes artit të përcjell një mesazh ndërgjegjësimi për të cilin kemi shumë nevojë. Subjekti i këtij filmi është ekstremizmi fetar. Filmi do realizohet pothuajse i gjithi në Shqipëri, pjesë të tjera në Romë dhe në Berlin.

 

A ka artistë të Hollivudit në këtë film dhe a e mendoni të sigurt suksesin?

Po, ka artistë te Hollivudit. Për mendimin tim, suksesi është i sigurt.

Keni menduar te ktheheni ndonjëherë në Shqipëri dhe çfarë është Shqipëria për ju?

Aktualisht, këtë projekt jemi duke e zhvilluar në Shqipëri dhe mendoj se Shqipëria, pas përvojës dhe eksperiencës që kam është më e mira ndër të gjitha.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: