Sot vendoset për imunitetin e Saimir Tahirit, Ruçi mbledh komisionin

Sot vendoset për imunitetin e Saimir Tahirit, Ruçi mbledh komisionin
Mbledhja për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm do të mbahet në orën 11.00. Dy akuzat e Krimeve të Rënda që mund të çojnë në arrestimin e Saimir Tahirit. Taulant Balla paralajmëron vendimin e PS për të braktisur deputetin. Basha kërkon veprime të shpejta: Po zhdukin provat. Tahiri: Nuk keni parë gjë akoma

Kërkesa e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri do të vendoset sot në orën 11.00. Njoftimin e bëri në një dalje për mediat Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

“Pasi u konsultova me stafin e Kuvendit, në orën 18.30 nxora vendimin që materiali i Prokurorisë t’i vihet në dispozicion anëtarëve të komisionit të mandateve dhe deputetit Saimir Tahiri brenda ditës së sotme”, tha Ruçi.

Ai tha se anëtarët e komisionit, deputeti Tahiri dhe Prokuroria e Përgjithshme do të njoftohen për mbledhjen.

“Nuk ka për të pasur asnjëherë në Kuvend një votë të Partisë Socialiste kundër drejtësisë. Jemi këtu për t’i qëndruar fort mesazhin që u kemi dhënë shqiptarëve”, tha kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke paralajmëruar votën e mazhorancës kundër Tahirit.

Prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga Komisioni i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë dhënien e autorizimit për “arrestimin, heqjen e lirisë dhe kontrollin personal të banesës” për deputetin Saimir Tahiri. Akuzat janë “shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i zyrtarë të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”.

Kërkesa e Prokurorisë për Krime të Rënda për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm, erdhi pasi emri i tij doli në përgjimet e Moisi Habilajt, të arrestuar në Itali për trafik droge.

Pas publikimit të lajmit, qindra simpatizantë të Partisë Socialiste dhe të ish-ministrit, kanë shkuar përpara apartamentit të tij për t’i shprehur solidaritet, ndërsa Tahiri i ka përshëndetur nga ballkoni.

Më herët, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kishte kërkuar veprime të shpejta procedurale për heqjen e imunitetit të Tahirit, pasi kishte rrezik për zhdukjen e provave.

Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, ka dënuar shtyrjen e mbledhjes së komisionit të mandateve për heqjen e imunitetit të Saimir Tahirit. “Dënoj ashpër qëndrimin e Gramoz Ruçit i cili tregoi edhe një herë që është vetëm një vegël në duart e Ramës për ta përdorur në ditë të vështira si kjo e sotmja, që kërkojnë kohë për të prishur provat. Çdo minutë që kalon është në favor të krimit”, tha Halimi.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: